A po përsëritet historia? Si mund ta shmangim një luftë tregtare si ajo e viteve ’30 - Business Magazine Albania

A po përsëritet historia? Si mund ta shmangim një luftë tregtare si ajo e viteve ’30

Nga Daniel Gros – Drejtor i Institutit për Politikëbërje Evropiane në Universitetin Bocconi

Më 2 prill, Presidenti amerikan Donald Trump propozoi tarifa të reja për thuajse të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-së, duke shkaktuar një humbje prej mbi 5 trilionë dollarësh në tregjet globale dhe duke ndezur frikën për një recesion. Përballë kësaj krize, tarifat “reciproke” u pezulluan për 90 ditë, por përplasja me Kinën vazhdoi, me tarifa absurde që shkuan mbi 100% nga të dyja palët. Kjo periudhë negociatash të tensionuara mund të përfundojë me dëm të kufizuar për SHBA-në, nëse pjesa tjetër e botës tregohet e matur. Bashkimi Europian është faktori kyç që mund të garantojë këtë rezultat pozitiv.

Kjo nuk është hera e parë që SHBA përqafon papritur proteksionizmin. Në vitin 1930, Kongresi miratoi Aktin famëkeq Smoot-Hawley, i cili rriti tarifat në një pjesë të madhe të importeve. Edhe pse SHBA-ja kishte suficit tregtar, sektori bujqësor dhe disa industri kërkonin mbrojtje. Pasoja? Një varg tarifash hakmarrëse dhe përkeqësim i klimës gjeopolitike.

Ndryshe nga vitet ’30, sot tregtia ndërkombëtare zë një pjesë të madhe të ekonomive. Importet përbëjnë 14% të PBB-së së SHBA-së, 18% të Kinës dhe mbi 48% të BE-së. Një luftë tregtare globale sot do të kishte pasoja shumë më të mëdha.

Ndërkohë, administrata Trump synon marrëveshje të pabarabarta: partnerët duhet të hapin tregjet, ndërsa SHBA ofron ulje të kufizuara tarifash. Kjo është e vështirë për t’u pranuar politikisht dhe nxit tundimin për hakmarrje, siç po bën Kina. Por për BE-në, pragmatizmi duhet të fitojë ndaj krenarisë. Përballja me SHBA-në nuk sjell përfitime gjeopolitike dhe e dëmton konsumatorin europian.

Lexo edhe: Trump ngrin 2 miliardë dollarë fonde për Harvard-in

BE-ja duhet gjithashtu të shmangë gabimet e së kaluarës, si vendosja e tarifave ndaj mallrave kineze që devijohen nga tregu amerikan. Në vitet ’30, kjo ndihmoi që proteksionizmi amerikan të kthehej në luftë tregtare globale. Sot, eksportuesit europianë do të përfitojnë nga përparësitë tarifore në tregun amerikan, krahasuar me kinezët.

Lajmi i mirë është se, megjithë gabimet e SHBA-së, pjesa tjetër e botës ende mund t’i shmangë ato. SHBA përbën më pak se një të gjashtën e tregtisë globale – ndaj, ajo që ka rëndësi është që pjesa tjetër e botës ta mbajë tregtinë të lirë dhe të hapur.

BE-ja duhet të udhëheqë një koalicion vendesh që mbrojnë sistemin tregtar të hapur dhe me rregulla – një sistem që SHBA po e braktis. Kjo do të ishte lidershipi i vërtetë global.

E drejta e autorit: Project Syndicate, 2025 – www.project-syndicate.org / Përshtati: Businessmag.al

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0