A jemi ajo që punojmë? Alarm për shëndetin mendor nga varësia... - Business Magazine Albania

A jemi ajo që punojmë? Alarm për shëndetin mendor nga varësia ndaj karrierës

Sa herë që prezantohemi për herë të parë, shpesh fillojmë me një fjali të thjeshtë: “Unë jam…” dhe më pas vjen profesioni. Për shumë njerëz, puna nuk është më thjesht një mënyrë jetese, por është kthyer në mënyrën kryesore se si matin vlerën e tyre personale. Ekspertët paralajmërojnë se ky lidhje e fortë mes vetëvlerësimit dhe karrierës po kthehet në një rrezik serioz për shëndetin mendor.

Sipas një studimi të Universitetit të Stokholmit, individët që e bazojnë vetëvlerësimin te arritjet profesionale janë më të prirur ndaj stresit kronik dhe djegies profesionale (burnout). Studimi tregon gjithashtu se gratë përjetojnë më shumë stres në punë, ndërsa lidhja mes vetëvlerësimit të bazuar te performanca dhe burnout-it është më e fortë pikërisht te to.

Kur puna “ushqen” vetëvlerësimin

Ekspertja e zhvillimit profesional Stefanie Sword-Williams, themeluese e një kompanie globale trajnimesh dhe autore e librit Career Comedown, shpjegon se shumë njerëz përpiqen ta “fitojnë” vlerën e tyre personale përmes punës.

“Puna bëhet vendi ku ne mbushim boshllëqet e vetëvlerësimit. Promovimet, vlerësimet pozitive dhe produktiviteti i lartë krijojnë një ndjenjë të përkohshme vlefshmërie, por na mbajnë të varur nga miratimi i jashtëm,” shprehet ajo.

Kjo shpesh reflektohet në tejkalim të orareve, marrje përgjegjësish të tepërta dhe pamundësi për të thënë “jo”, nga frika se mos dukemi të paaftë ose të pavlerë.

Histori reale, kur ambicia shndërrohet në humbje të vetes

Mahnoor Hussain-Pavlovskaya, e cila punonte në sektorin e teknologjisë, rrëfen se për vite me radhë e ka matur vlerën e saj vetëm përmes suksesit akademik dhe profesional. Presioni i vazhdueshëm, mungesa e mbështetjes dhe kritikat konstante e çuan drejt një pikë ku identiteti i saj u kufizua vetëm te performanca në punë.

“Fillova të besoja se problemi isha unë. Nuk kishte më ndarje mes asaj që isha dhe mënyrës si vlerësohesha në punë,” tregon ajo. Në fund, u detyrua të largohej për të mbrojtur shëndetin mendor dhe fizik.

Një histori e ngjashme vjen edhe nga Meena Alexander, gazetare freelance, e cila pranon se puna kishte zënë pothuajse gjithë hapësirën e jetës së saj, duke lënë pas marrëdhëniet, interesat personale dhe balancën emocionale.

Pse kjo prirje po bëhet më e rrezikshme sot

Sipas Sword-Williams, lidhja e fortë me identitetin profesional është edhe më problematike në ditët e sotme, në një kohë kur pasiguria në tregun e punës është rritur, pushimet masive janë të shpeshta dhe teknologjia po ndryshon shpejt karrierat.

“Gjëja më e sigurt që mund të bëjmë është të mos e bëjmë karrierën identitetin tonë të vetëm,” thekson ajo.

Si të ndash vlerën personale nga puna

Ekspertët sugjerojnë disa hapa praktikë:

  • të mos jetojmë në maksimum produktiviteti çdo ditë

  • të vendosim kufij të qartë mes punës dhe jetës personale

  • të krijojmë kohë për aktivitete që nuk kanë lidhje me performancën

  • të rrethojmë veten me njerëz që na vlerësojnë për atë që jemi, jo për atë që bëjmë

Mbi të gjitha, mesazhi është i qartë: puna është një pjesë e jetës, por jo e gjithë jeta. Vlera personale nuk matet me tituj, orë pune apo arritje profesionale, por me aftësinë për të jetuar në ekuilibër, me shëndet dhe me ndjenjën se jemi më shumë sesa roli ynë në zyrë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0