A do të zhduket graviteti në Tokë më 12 gusht? NASA hedh poshtë teorinë e çuditshme konspirative - Business Magazine Albania

A do të zhduket graviteti në Tokë më 12 gusht? NASA hedh poshtë teorinë e çuditshme konspirative

A do të zhduket graviteti në Tokë më 12 gusht? NASA hedh poshtë teorinë e çuditshme konspirative

Teoricienët e konspiracionit po “rikthehen me këmbë në tokë”, pasi shkencëtarët e NASA-s kanë hedhur poshtë një pretendim absurd që po qarkullon në rrjetet sociale, sipas të cilit agjencia hapësinore amerikane po fsheh një ngjarje katastrofike që mund të shkaktojë miliona viktima në mbarë botën.

Sipas kësaj teorie, një dokument i ashtuquajtur “sekret” ishte rrjedhur në nëntor të vitit 2024, duke zbuluar ekzistencën e një programi të quajtur “Project Anchor”, përmes të cilit NASA po përgatitej për një ngjarje kaq shkatërruese, saqë thuhej se rreth 40 milionë njerëz do të humbnin jetën.

Teoria pretendonte se më 12 gusht 2026, në orën 14:33 GMT (15:33 me orën e Shqipërisë), Toka do të humbiste gravitetin për shtatë sekonda.

“Nëse kjo është e rreme, pse ka një datë, një emër projekti dhe një buxhet?” – pyeste një përdorues skeptik në platformën X.

Në realitet, gjithçka rezulton të jetë një tjetër rast dezinformimi në rrjetet sociale. Hetuesit online nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të ndonjë dokumenti të rrjedhur apo ndonjë reference për “Project Anchor”. Ndërkohë, ekspertët e NASA-s theksojnë se vetë teoria tregon një keqkuptim themelor mbi mënyrën se si funksionon graviteti.

Lexo edhe: Pse gazetaria nuk mund dhe nuk duhet të rregullohet me ligj

Origjina e teorisë mbetet e paqartë, por një nga referencat e para virale erdhi nga llogaria në Instagram @mr_danya_of, e cila përfshinte edhe detaje të sajuara për një buxhet prej 89 milionë dollarësh të alokuar nga NASA për këtë projekt imagjinar.

“Më 12 gusht 2026, bota do të humbasë gravitetin për shtatë sekonda. NASA e di këtë. Ata po përgatiten, por nuk na tregojnë pse,” shkruhej në postim. “Shkatërrim i infrastrukturës. Kolaps ekonomik për mbi dhjetë vjet. Panik masiv,” duke pretenduar se 40 milionë njerëz do të vdisnin si pasojë e rënieve nga lartësitë.

Sipas kësaj teorie, fenomeni do të shkaktohej nga “ndërthurja e valëve gravitacionale” të krijuara nga përplasja e vrimave të zeza.

Megjithatë, llogaria @mr_danya_of njihet për publikimin e lajmeve plotësisht të fabrikuara. Kjo nuk i ndaloi disa përdorues të tjerë të shtonin elementë edhe më absurdë, si pretendimi se në të njëjtën kohë një eklips total diellor do të kalonte mbi Oqeanin Arktik.

Gazetarët e Snopes kontaktuan NASA-n për sqarime zyrtare. “Toka nuk do ta humbasë gravitetin më 12 gusht 2026,” u shpreh një zëdhënës për faqen e verifikimit të fakteve.

Ai vijoi duke shpjeguar bazat shkencore të fizikës gravitacionale:
“Graviteti i Tokës përcaktohet nga masa e saj. E vetmja mënyrë që Toka të humbiste gravitetin do të ishte nëse sistemi tokësor – bërthama, manteli, korja, oqeanet, uji tokësor dhe atmosfera – do të humbnin masë.”

Ndërkohë, Dr. William Alston, ekspert i vrimave të zeza nga Universiteti i Hertfordshire, shpjegoi për Daily Mail se valët gravitacionale të shkaktuara nga përplasja e vrimave të zeza janë jashtëzakonisht të dobëta.

“Ato janë aq të lehta për t’u zbuluar, saqë na është dashur të ndërtojmë pajisjet më të ndjeshme në botë për t’i matur,” tha ai. “Këto valë kalojnë vazhdimisht përmes Tokës dhe trupave tanë, duke na shtrënguar dhe shtrirë shumë lehtë, por ndryshimi është shumë herë më i vogël se madhësia e një atomi dhe kalon plotësisht pa u vënë re.”

nypost

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0