I goditur nga COVID-19, pasi turistët e huaj munguan këtë vit, restoranti hungarez Costes organizoi një darkë me pamjen nga i gjithë Budapesti, në një ambjent të sigurt ndaj virusit COVID-19.
Darka u shërbye në rrotën e famshme të kryeqytetit, të quajtur “Syri i Budapestit” dhe gjeneroi shumë shitje.
“Tani është veçanërisht e rëndësishme që njerëzit të jenë në gjendje të ndahen nga klientët e tjerë për të qenë të sigurt dhe kabinat e ndara të rrotës janë ideale”, tha pronari i Costes, Karoly Gerendai.

Biletat për një darkë në kabinë kushtojnë 154,40 dollarë, secila për një vakt me katër pjata dhe shiten brenda ditësh, tha Gerendai, ndërsa klientët e pasur vendas kërkojnë t’u shmangen kufizimeve të koronavirusit.
Pronari i Costes tha se qarkullimi në një nga restorantet e tij të rihapur është në rreth një të dhjetën e niveleve të para-izolimit, duke e detyruar atë të kërkojë mënyra të reja për të bërë biznes. Gerendai po planifikon të përsërisë organizimin kur moti të ngrohet në pranverë, megjithëse nata e freskët e tetorit nuk ishte pengesë për klientët.

“Ne donim të dilnim pak dhe të shijonim një darkë jashtë përsëri sepse kemi jetuar mjaft të mbyllur”, tha Szabolcs Balazs, i cili hëngri darkë me gruan dhe dy fëmijët e tij.
“Kemi shkuar shpesh në restorante, por për shkak të COVID ne kemi ndaluar së shkuari. Pra, ky është shansi i vetëm për ne tani, sepse këtu jemi vërtet të distancuar”, tha ai.
Ekonomia e Hungarisë po shkon drejt një tkurrjeje 5-7% këtë vit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto