Humbja e të ardhurave nga Covid19 dhe parashikimet që priten të ndodhin me turizmin - Business Magazine Albania

Humbja e të ardhurave nga Covid19 dhe parashikimet që priten të ndodhin me turizmin

Ky vit ka qenë i vështirë për të gjithë. Bizneset janë gjendur përballë  sfidës sesi të përshtaten me mënyrën e re “të të bërit biznes”. Karantina/ izolimi na bëri të kuptojmë sesa e rëndësishme është të blesh vetëm produktet që vërtet të duhen dhe jo ato që mendon se të duhen. Kriza të tilla na bëjnë të reflektojmë në rendësin që ka konsumi për ekonominë.

Duket sikur dikush ka shtypur butonin Pause dhe pothuajse çdo industri ka ndaluar ose është duke u përpjekur të përshtatet me realitetin e ri. Realitet i cili është duke vendosur në sfidë pothuajse të gjithë aktorët e ekonomisë; bizneset, individin dhe qeverinë. Është  koha kur teoria “laisse faire” , e babait të ekonomisë  Adam Smith, nuk qëndron sepse tregu ka nevojë për ndërhyrje nga sektori shtetëror. 

Të gjendur të papërgatitur përpara kësaj situate, disa  vende vendosën që të lejonin lëvizjen vetëm me disa fasha orare, disa të tjera e lanë në zgjedhje individuale nëse qytetarët  doni të lëviznin ose jo. Përballë kësaj situate vende të ndryshme patën pasoja të ndryshme në ekonomi nga Covid19. 

Në fillim shqetësimi i parë ishte shëndeti dhe kujdesi ndaj vetes për të pasur sa më pak kontakte me persona të cilët mund të ishin potencialisht të infektuar. Tani, problemit të kujdesit shëndetësor i është shtuar edhe problemi i kujdesit ndaj “shëndetit të ekonomisë”. 

Izolimi në Shqipëri, nisi pak përpara nisjes së sezonit veror turistik në vend dhe aktualisht ky sektor mbetet një nga më të prekurit jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën. Gjatë kësaj kohe, ka rënë ndjeshëm numri i udhëtimeve, është shtuar frika ndaj infektimit dhe e ardhmja është e pasigurt. 

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit,  në muajin korrik 2020 rreth 40% e shteteve që janë destinacione turistike kanë filluar që të lejojnë lëvizshmërinë e shtetasve nga njëri vend në tjetrin. 

Ndërkohë që rreth 115 destinacione turistike (që përbejnë 53% të destinacioneve turistike në nivel global) vazhdojnë që ti mbajnë kufijtë e tyre plotësisht të mbyllur. 

Kjo situatë ka kosto të lartë në ekonomi, dhe sipas të dhënave deri në maj 2020 pandemia në sektorin e turizmit rezulton që të ardhurat e humbura janë rreth 320 billion dollar. Që nëse do të bëjmë një krahasim kjo është rreth 3 herë sa kostoja e Krizës Globale të vitit 2009. 

Po çfarë peshe zinte turizmi në vitin 2019?

Sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit(WTTC), kontributi i turizmit në PBB-ën botërore ka qenë 10.3%. 

1 në 10 vende pune në botë krijohej vetëm nga sektori i turizmit duke e bërë kështu këtë sektorë të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm. Ndërsa krahasuar me totalin e investimeve, rreth 4.3% e totalit të investimeve vijnë nga sektori i turizmit. 

Si paraqitet situata e këtij sektori në Shqipëri? 

Sipas të dhënave të INSTAT, për muajin korrik 2020 hyrja e shtetasve shqiptar dhe të huaj në Shqipëri ka qenë 663 980 , që krahasuar me  korrik 2019 ka një rënie me 61.5%. 

Ndërsa hyrja e shtetasve të huaj në muajin korrik 2020 ka qenë 387 716 dhe nëse e krahasojmë me korrik 2019 ka një rënie me 67.1%. 

Këto shifra, përkthehen në të ardhura më pak për sektorin e turizmit në Shqipëri, sektor i cili nuk ka marr asnjë mbështetje gjatë kësaj kohe nga sektori publik. 

Sipas  publikimi të INSTAT “Turizmi në Shifra” të viti 2017 shtetasit e huaj të cilët frekuentonin Shqipërinë për pushime ishin nga: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe Italia. Mesatarisht një shtetas i huaj që ka ardhur në Shqipëri për pushime, shpenzon në ditë 77 euro. 

Në muajin korrik 2020, krahasuar me muajin korrik 2019 numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për pushime në Shqipëri ka qenë 789 094. Që në vlerë monetare, vetëm për muajin korrik 2020 humbja nga turizmi ka qenë 60,7 milion euro krahasuar me korrik 2019. Këto të ardhura të humbura për këtë sektor janë humbje për ekonominë pasi do të thotë më pak vende pune në këtë sektor, më pak të ardhura, më pak investime të cilat në fund të ditës përkthehen në ulje të kontributit të turizmit në ekonomi. Ndaj, mbështetja e sektorit shtetëror për këtë sektor duhet të jetë e vazhdueshme ose duhen lehtësuar masat për të incentivuar njerëzit që të shpenzojnë për udhëtime dhe pushime. 

Cilët janë skenarët e mundshëm për të dalë nga situata?

WTTC në bashkëpunim me Oxford Economics kanë  parashikuar tre skenarë në lidhje me ecurinë e turizmit në mbarë botën në varësi të masave mund të merren, përballë sfidës me Covid19. 

Tre skenarët sesi mund të “shpëtohet” sektori i turizmit janë: skenari më i keq, skenari mesatar dhe skenari më i mirë.

  

Skenari më i mirë( BEST-CASE), nëse do të supozohet që do të ketë liri të udhëtimeve nga muaji qershor për udhëtimet brenda vendit dhe në gusht për udhëtimet ndërkombëtare. Kjo do të reflektohet në reduktimin në 41% të udhëtimeve ndërkombëtare (mbërritjet) dhe reduktimi në 26% të udhëtimeve brenda vendit, parashikim ky për vitin 2020.  Sipas këtij skenari do të ketë një ulje me 30% të vendeve të punës në sektorin e turizmit si dhe i njëjti efekt do te jetë edhe në PBB-ë. 

 Ky skenar, mund të ndodhë në rastet kur do të merren këto masa: 

  • Përqindja e infektimit me covid19 do vazhdoj të ulet;
  • Rritja e numrit të testimeve, duke bërë testime të vazhdueshme dhe duke gjurmuar infektimet;
  • Krijimi i “korridoreve të udhëtimi” të cilat mundësojnë hapjen më të shpejt të kufijve; 
  • Një koordinim të qasjeve ndërmjet vendeve dhe ndërmjet sektorit publik dhe privat;
  • Adoptimi i një protokolli sigurie;
  • Mbështetje e vazhdueshme e qeverive për sektorin e turizmit;
  • Mos mbajtja e karantinës. 

Skenari më i keq( WORST-CASE), nëse do të supozohet që lirimi i lëvizjeve do të bëhet në muajin shtator për lëvizjet brenda vendit si dhe në nëntor për udhëtimet ndërkombëtare. Kjo do të reflektohet në ekonomi me një ulje me 70% të udhëtimeve ndërkombëtare dhe 64% të udhëtimeve brenda vendit, parashikim ky për vitin 2020. 

Sipas këtij skenari, do të ketë një rënie të vendeve të punës në këtë sektor me 197.5 milion, dhe një rënie te efektit që ky sektor ka në PBB-ë me 5543 bilion dollar, parashikim për vitin 2020. 

Ky skenar do të ndodhë nëse:

  • do të ketë një valë të dytë të infektimeve;
  • nuk do të bëhen testime mjaftueshëm dhe nuk do të mbahet gjurmimi i infektimeve;
  • mos zbatimi i një protokolli global të sigurisë; 
  • do të vazhdoje karantina 14 ditore pas udhëtimit ose kufijtë do vazhdojnë të jenë të mbyllur;
  • mos koordinim i sektorit shtetëror me sektorin privat;
  • mungesë e mbështetjes së sektorit privat të turizmit nga qeveria.    

Sipas skenarit mesatar, nëse do të supozohet që në muajin qershor do të ketë lehtësira për udhëtimet brenda vendit, në korrik do të lehtësohen lëvizjet brenda rajonit dhe nëse në shtator do të lehtësohen lëvizjet ndërkombëtare kjo do të sillte një uljen në 53%  të fluturimeve ndërkombëtare dhe në 34% të udhëtimeve brenda vendit. Sipas këtij skenari do të ketë një humbje prej 121.1 milion vendesh pune nga ky sektor si dhe një reduktim të efektit që ky sektor ka në GDP me rreth 3435 bilion dollar, projektim ky për vitin 2020. 

Ky skenar, mund të ndodhë në rastet kur do të merren këto masa: 

  • Përqindja e infektimit do të vazhdoj të ulet;
  • Do të ketë testime dhe gjurmime;
  • Zbatimi i protokollit të sigurisë dhe adaptimi i shëndetësisë ndërkombëtare me situatën;
  • Krijimi i “korridoreve të udhëtimit” ndërmjet shteteve;
  • Një adaptim gradual i sektorit shtetëror për një koordinimit të qeverive me sektorin privat;
  • Mbështetje e vazhdueshme nga qeveria për sektorin privat;
  • Nuk do të ketë më karantinë. 

Gjendur përballë këtyre efekteve negative, mungesës së një zgjidhje për shëndetin dhe ekonominë për të gjithë ne ka vetëm një zgjidhje në horizont: TË SHPRESOJMË.

 

Pergatiti Blerina Hoxha

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0