Gratë dhe vajzat janë kthyer në gjeneruese të rritjes ekonomike në nivel ndërkombëtar. Arritja e diversitetit gjinor në sipërmarrjen private është me rëndësi vitale për të përmirësuar rezultatet e biznesit.
Organizata “Together for Life” (TFL) është duke kryer një studim online në zonat e prekura nga tërmeti si Durrësi, Tirana dhe Lezha, të cilat janë prekur gjithashtu nga shpërthimi i pandemisë Covid-19.
Ky studim do të përfshijë gjithashtu edhe opinionin e përfaqësuesve të institucioneve publike, përgjegjës për politikat e biznesit, si dhe përfaqësuesve të institucioneve mikrofinancuese. Kjo do të mundësojë paraqitjen e një pamjeje të qartë të situatës në vendin tonë, e përqendruar në zonat e prekura nga tërmeti.
Rezultatet e studimit do të shërbejnë për të paraqitur pranë qeverisë rekomandime për të përmirësuar planin e veprimit për gratë sipërmarrëse, për të fuqizuar pozicionin e grave në nivele të larta menaxheriale në sektorin privat, si dhe për të inkurajuar krijimin, zhvillimin dhe fuqizimin e ndërmarrjeve private të drejtuara prej tyre. Organizata TFL do të advokojë dhe do të lobojë që ndryshimet e nevojshme të ndodhin. Hulumtimi dhe rezultatet e tij do të ndihmojnë gjithashtu në krijimin e vendeve të punës, veçanërisht në zonat e prekura nga tërmeti, pasi projekti synon të ndihmojë qeverinë të përmirësojë masat e marra dhe ndërhyrjet e nevojshme për t’i dhënë një vëmendje të veçantë grave e vajzave dhe bizneseve të menaxhuara prej tyre.
Gjithashtu, organizata TFL do të advokojë që rezultatet e studimit të përfshihen në Planin e ardhshëm Kombëtar për Gratë Sipërmarrëse, i cili në vetvete synon të rrisë përfshirjen e grave në biznes.
Nëse jeni një grua apo vajzë e vetëpunësuar, profesioniste e lirë, nëse zotëroni një biznes tuajin apo drejtoni një biznes privat, ju nxisim të kontribuoni duke marrë pjesë në këtë studim duke klikuar Këtu.
Shkalla e punësimit në Shqipëri te popullsia aktive e moshës 15-64 vjeç është 64.3% për burrat dhe 50.3% për gratë. Struktura e punonjësve tregon se 42.0% e grave në forcën e punës janë të punësuara me pagesë, ndërsa 23.0% e tyre angazhohen në punë të papaguara në biznesin familjar. Për burrat e punësuar, këto shifra janë përkatësisht 37.0% dhe 12.0%. Sidoqoftë, një përqindje e konsiderueshme e burrave në forcën e punës, përkatësisht 36.0% e tyre janë të vetëpunësuar përkundrejt 23.0% të grave. Gjatë vitit 2018 gratë kanë drejtuar 25.7% të ndërmarrjeve aktive në krahasim me 29.7% në vitin 2017. Në Tiranë, gratë drejtojnë 33.2% të ndërmarrjeve aktive. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht mikro-biznese me 1-4 të punësuar, konkretisht 91.2% e ndërmarrjeve që drejtohen nga gratë. Vetëm 19.6% e ndërmarrjeve të mëdha me mbi 50 të punësuar drejtohen nga gratë.
Tërmeti i fundit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019 dhe situata e jashtëzakonshme pandemike Covid-19 pati një ndikim të madh te bizneset, duke kërkuar madje publikisht mbështetje nga shteti.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto