Ministrja Balluku theksoi se çmimi i biletës për rikthimin e shqiptarëve nga Roma është caktuar 100 euro, ndërsa për vendet e tjera kjo shumë do të të ndryshojë në varësi të distancës. Ajo tregoi edhe destinacionet e tjera, prej të cilave do të vijojjnë fluturimet për të bërë të mundur kthimin e shqiptarëve në atdhe.
“Pas pak sistemi online, i cili do t’ju japë mundësinë të rezervoni riatdhesimin tuaj, do të jetë i gatshëm për t’u aksesuar. Vizitoni faqen Airalbania.com.al dhe më pas rubrikën Riatdhesime. Klikoni në linkun e hoteleve, të cilat janë transformuar në struktura karantinuese Covid-19. Lexoni me kujdes formularin e kushteve të karantinimit dhe vetëm pasi të shtypni butonin PRANOJ, do të mund të zgjidhmi dhomën tuaj të qëndrimit 14 ditor”.
“Do të ndalem këtu për t’ju qartësuar çështjen e pagesës, për të cilën ka pasur shumë komente ditët e fundit. Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro janë akomodim dhe fjetje, që do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 euro, do të mbulohet nga vetë personi. Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh (për 14 ditët e qëndrimit), sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës.
“Kthehuni në faqen Airalbania dhe me kodin unik që morët nga vërtetimi i akomodimit në karantinë, procedoni me rezervimin e biletës së avionit. Pasi të keni përfunduar të gjithë procesin e rezervimeve do të jeni të gatshëm për të udhëtuar, sigurisht nëse dokumentacioni juaj identifikues është i vlefshëm dhe i plotë”.
“Të nderuar bashkëqytetarë! Këshillohuni me ambasadat shqiptare në vendet ku ndodheni, për probleme të dokumentacionin identifikues. Airalbania, e cila nis fluturimet këtë të shtunë drejt Romës, do të fluturojë gjithashtu në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës tha se qeveria shqiptare po vlerëson kërkesën e qytetarëve për destinacione të tjera, të cilët duan të kthehen në Shqipëri. Sipas saj, kthimi i shqiptarëve do të bëhet duke respektuar me rigorozitet kushtet e caktuara nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Destinacionet, që sapo njoftova, janë pika kyçe, që ju japin mundësi dhe qytetarëve të tjerë, që ndodhen në Europë, Amerikë, Kanada e gjetkë për t’i aksesuar. Detajet e sakta për çdo fluturim do t’ju bëhen me dije nga Air Albania”.
“Çmimi i biletës së avionit varion sipas numrit të miljeve të fluturimit dhe aeroportit ku Air Albania do të ulet, por ju sigurojmë se Air Albania do të aplikojë çmime minimale thjesht për të mbuluar një pjesë të kostove të këtyre fluturimeve. Bileta nga Roma në Tiranë kushton 100 Euro”.
“Për çdo informacion shtesë, apo paqartësi që keni, Ju lutem drejtohuni në faqet zyrtare dhe përdorni numrat e telefonit të vendosura në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.