Teoria post-Covid19 që dua të besoj - Business Magazine Albania

Teoria post-Covid19 që dua të besoj


Nga Eva Kushova

Paralelisht me lajmet për pandeminë botërore, shumë organizata prestigjoze dhe media ndëkombëtare, nuk kanë ngurruar të bëjnë krahasimet e ndotjes në atmosferë të periudhës para Covid19 dhe gjatë muajve të izolimit. Dhe rezultatet kanë qenë vërtet të jashtëzakonshme. Ndotja në atmosferë në rang global ka rënë në nivelin 5 % ose në nivelin e Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që liderët botërorë kanë dështuar në dhjetra takime për të rënë dakord për ta arritur diçka të tillë.

Pamjet e dhëna nga NASA, kanë treguar se pikërisht Vuhani në Kinë apo Lombardia në Itali që kanë qenë zona industriale shumë të ndotura, dy muajt e fundit renë e pluhurit e kanë patur thuajse zero. Disa mund të thonë se çfarë lidhje ka coronavirus me ndotjen dhe ndryshimet klimaterike?  Studimet treguan se ne zonat më të ndotura, përhapja e virusit ishte me e shpejtë se në territoret me ajër më të pastër.


Lajme të tjera optimiste na treguan se peshqit apo specie të tjera u shfaqen pas disa dekadash në kanalet e Venecias, apo në Indi u duken për herë të parë, Himalajet nga qendra e qytetit pas 30 vitesh etj.
Nga ana tjeter, shumë qytetarë dhe në rrugët e Tiranës nuk kanë ngurruar ta shprehin se Tirana u shijon pa makina, pa pluhur, me ajër të pastër. Shumica e pranon se ky është ajri që duam të thithim në qytetin tonë. Dhe nuk ka munguar një raport studimor i CO Plan, financuar nga BE, që e ka nxjerrë Tiranën me nivelin më të ulët të ndotjes në një dekadë. Shih ketu.

Pra, u desh një virus, që të na tregonte si bota mund të jetë më e mirë, më e pastër, si ajri që thithim të mos na bëhet kancer për mushkritë dhe të mos marrë jetë njerëzish. Me të drejtë shumë raporte këtë periudhë treguan se nëse nga #Covid19 numri i viktimave u numërua, është e pamundur të bëhen statistika për vdekjet e shkaktuara nga ndotja.

Pyetja që duam të bëjmë direkt sapo të mbarojë pandemia dhe t’i kthehemi jetës normale është: A e duam qytetin, apo planetin tonë, siç e kishim këto dy muaj izolimi?  A duam ta ruajmë natyrën, a duam më pak ndotje për të jetuar në një mjedis më të pastër e më të shëndetshëm?
Çfarë mund të bëjë secili për ta arritur këtë?
Normal zgjidhja nuk është të izolohemi sërish, për ta bërë natyrën të marrë frymë. Por, secili nga ne mund të bëjë diçka për të mos ndotur. Edhe pse pesha më e madhe u takon qeverive, shumë kompani të mëdha industriale mund të detyrohen të aplikojnë inovacione që ndotin më pak atmosferën. Shembujt janë dhe nuk ka nevojë për shpikje të reja. Psh, Copenhagen në 2025 do jetë qyteti i parë në botë, që nuk do të lëshojë asnjë gram karbon në atmosferë, pra carbon free.

Zgjidhja- parimet e turizmit të qëndrueshëm

Po Shqipëria ç’mund të bëjë në këtë drejtim?
Së pari nevojitet një fushatë e madhe ndërgjegjësuese për atë që mund të bëjë gjithsecili nga ne, për të patur një mjedis të pastër, për të ruajtur gjithë trashëgiminë natyrore, për të mos ndotur lumenjtë, për të mos prerë pyjet, për të mos gërryer malet e për të mos ndotur kullotat.
Destinacioni, së bashku me pushtetin lokal mund të vendosë edhe objektiva për të matur vazhdimisht ndotjen në atë territor dhe për ta ulur atë nga viti në vit. Nëse ndryshojmë ne, vendasit, të zotët e këtyre pasurive, këtë qëndrim mund t’ua imponojmë edhe të huajve.

Mos kujtoni se pas kësaj pandemie turistët nuk do kenë ndryshuar gjithashtu. Në një sondazh të vitit të kaluar nga Booking.com, rreth 70 % e turistëve të pyetur do të donin të zgjidhnin një hotel eco friendly për të kaluar natën në një destinacion dhe për këtë ishin gati të paguanin më shumë e të qëndronin më gjatë. Pra, turistët tashmë gjithashtu të ndërgjegjësuar për mbrojtjen e planetit, duan të qëndrojnë në vende që i respektojnë këto parime. Sa hotele të tilla të certifikuara si eco-friendly kemi ne në Shqipëri? Deri tani asnjë. Po destinacione të çertifikuara si të qëndrueshme? Asnjë. Atëherë çfarë turisti preferojmë të tërheqim? Turistë që paguajnë pak dhe qëndrojnë vetëm një natë, apo turistë tranzit, që vijnë e ikin, ndotin dhe nuk lënë të ardhura në destinacionet tona?

Lexo: Edi Rama: Falen gjobat e vendosura gjatë COVID-19

Destinacionet mund ta përdorin këtë periudhë pushimi, për të informuar e sensibilizuar bizneset turistike në zonat e tyre, që fillimisht higjena pas pandemise duhet të jetë numër 1.
Ndoshta do t’u duhen dhe investime serioze për të pastruar gjithë mjediset perreth, për të ndikuar dhe te autoritetet lokale për menaxhimin e mbetjeve, për të krijuar sa më shumë mjedise çlodhëse për turistët dhe me hapësirë. Përveç kësaj, të ofrojnë biçikleta për transport, të përdorin kryesisht produkte lokale sa më të freskëta, pasi këto janë gjera që vlerësohen nga turistët. Lidhur me këtë të fundit, sipas një studimi nga Technavio, lidhur me tregun e turizmit të qendrueshëm 2019-2023, pritet që ky treg të ketë një rritje prej 338.06 mld dollarë, pra bëhet fjalë për produktet vendase, organike të cilat do blihen më shumë dhe do sigurojnë të ardhura, çka do të thotë më shumë para dhe mireqenie për komunitetet. Në Shqipëri ka disa modele shumë të mira që e kanë bërë këtë, si Mrizi i Zanave, që u blen gjithë produktet banorëve perreth duke i ndihmuar ata të kenë të ardhura thjesht duke vazhduar punën  e tyre dhe jetën e tyre normale në zonën e tyre. Kështu ruhet tradita, jeta e komuniteteve dhe ndërkohë ata sigurojnë të ardhura për të mbijetuar.

Pra është koha për të përqafuar idenë e turizmit të qëndrueshëm dhe parimet që tashme po aplikon bota e zhvilluar për të maksimizuar fitimet për komunitetet dhe për të minimizuar impaktet negative në destinacione.

Nëse do i referohesha një shprehje të fundit t Papa Franceskut, se coronavirusi ishte një hakmarrje e natyrës për ndotjen nga dora e njeriut, do më pëlqente që kjo teori të triumfonte në mendjet e njerëzve për të mos e ndotur më mjedisin, në mënyrë që hakmarrja e natyrës të mos na bjerë sërish. Kjo nuk nënkupton vetëm të mos hedhim plehrat vend e pa vend, por për të bërë më pak plehra, për t’i ndarë ato që në burim për riciklim, për të zhdukur plotësisht qeset, për të kursyer ujin dhe energjinë në mënyrën më të mirë të mundshme, për të lënë makinën në shtëpi dhe për të udhëtuar me biçikletë, ose në këmbë, për të ngritur zërin për ndotjet në mjediset ku ato jetojnë nga fabrika apo ndërmarrje të ndryshme. Në fakt, koha e duhur ishte dje, por dhe sot nuk është vonë. E nesërmja do na penalizojë sërish. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0