Për mbrojtjen civile, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar Covid-19.
Lexo: Shqipëria Që Duam: Kanali ku mund të komunikoni për problemet tuaja në këtë kohë pandemie
Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore u morën masat e jashtëzakonshme, si më poshë:
Institucionet publike:
- të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
- të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;
- të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;
- të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;
- të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;
- të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;
- të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;
- të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19
- të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;
- të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;
- të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.
Lexo: Bashkimi Europian i akordon Shqipërisë 50 milionë euro për luftën kundër Covid-19
Strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile:
- të vendosin dhe të zbatojnë masa të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së shtetasve në zonat e prekura nga fatkeqësia;
- të aktivizojnë dhe të organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar;
- të organizojnë kontrolle të njëanshme të banesave dhe objekteve private për evidentimin dhe trajtimin e personave të prekur nga virusi;
- të kufizojnë lëvizjen e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;
- të kufizojnë organizimin e grevave;
- të kufizojnë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;
- të japin ndihmën e parë ndaj personave të prekur nga virusi dhe të realizojnë transportimin e të prekurve për në qendrat spitalore ose në infrastrukturën e karantinës;
- të organizojnë procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.
Subjektet private:
- të respektojnë procedurat dhe masat për karantinën;
- të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
- të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
- të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre;
- të mos vjelin tarifat e kalimit rrugor për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Shtetasit:
- të zbatojnë urdhrat, masat dhe udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe të ndjekin procedurat e kërkuara, në mënyrë të veçantë për karantinën dhe pezullimin e aktiviteteve;
- të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
- të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Lexo: Organizatat Ndërkombëtare ftojnë për kujdes
Ngarkohen Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.