Pse duhet të njohim emocionet tona?

Pse duhet të njohim emocionet tona?


Nga Anila Bashllari, trajnere

Sikurse shumë prej jush, kjo periudhë më ka mundësuar të bëj një reflektim të plotë mbi veten dhe situatën që po kalojmë në vendin tonë, si edhe në nivel botëror, situatë të cilën e shikoj me ndikim në 3 drejtime kryesore, ku natyrisht zënë vend edhe nënkategori të tjera.

Ndikimi i parë dhe shumë i dhimbshëm është ai njerëzor me humbjen e jetës së shumë njerëzve; aspekti tjetër ku do të ndihet shumë është ekonomia botërore, dhe këtë kontekst do ta vuajë edhe ekonomia jonë; dhe aspekti i tretë por jo më pak i rëndësishëm është ai psikologjik, i cili për momentin duket latent, por rrënjët i ka të shtrira kohë më parë.

Natyrisht, për aspektin e parë ju po merrni informacion mjaftueshëm nga institucionet shtetërore nëpërmjet TV dhe mediave sociale, për efektin ekonomik ende nuk po flitet pasi nuk janë bërë përllogaritje dhe projeksione, duke mbajtur fokusin në shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzish dhe kufizimin maksimalisht të shpërndarjes së virusit. Shpresoj që shumë shpejt qeveritë e vendeve të ndryshme të rakordojnë me politika globale, përveç angazhimit të tyre primar me ato lokale.

Duket që “kriza” e krijuar nga diçka që nuk shihet, do të riformatojë mënyrën tonë të të menduarit, sjelljen, qasjen dhe marrjen e vendimeve. Për këtë jam e bindur, përtej teorive konspirative apo statistikave, pasi është një deduksion shumë i thjeshtë. Kjo përkon me pikën e tretë që dua të trajtoj: efektin psikologjik.

Për t’ju siguruar më duhet t’ju them që kam mbi 15 vjet që studioj fushën e zhvillimit personal dhe si pjesë të saj: psikologjinë, neuroshkencën dhe sjelljen njerëzore. Jam neurocoach i çertifikuar nga Universiteti “Loyola Marymount”, Kaliforni si dhe “John Maxwell International Team” dhe kam rreth 10 vite që punoj me dhjetëra dhe qindra individë duke i ndihmuar të arrijnë suksesin në një nivel tjetër në jetën e tyre.

Cili është efekti psikologjik përtej padurimit të qëndrimit në shtëpi, gjë e cila mendoj është zgjidhja e duhur për të shmangur dhe ngadalësuar shpërndarjen horizontale të virusit, duke shkëputur hallkat e transmetimit të tij? Eksperienca kineze e vërtetoi këtë dhe nuk ka nevojë për shpikje. Thjesht për ta zbatuar dhe përshtatur, duke i qëndruar strikt protokollit të vetë-izolimit.

emocionet

Të gjithë po flasin për frikën dhe panikun, që po përjetojnë për shëndetin e tyre dhe të njerëzve të dashur, si pasojë e përballjes me një situatë totalisht të panjohur. Kjo frikë dhe paniku shtohet në kushtet e një paqartësie dhe konfuzioni në të gjitha nivelet, mbarëbotërore.

Natyrisht frika ushqen konfuzionin dhe panikun dhe këto të fundit e shumëfishojnë frikën, duke na futur në një rreth vicioz, i cili synon të na mbajë aty. Për këtë arsye do doja të shpjegoja çfarë po ndodh me ne si qenie njerëzore, në dimensionin emocional. Pse është kjo e rëndësishme? Përgjigja është që nëse ne nuk njohim emocionet dhe ndjenjat tona, si dhe ndryshimin midis tyre, e kemi shumë të vështirë t’i menaxhojmë duke na futur akoma më shumë në frikë, ankth, panik dhe kaos mental.

Siç e kam shpjeguar edhe më parë në artikujt e mi, frika është një nga emocionet primare të njeriut dhe sipas një prej studiuesve më të njohur të kohërave në këtë fushë, Pankseep, ajo ndodh si reagim në trupin tonë ndaj një situate të caktuar. Të gjithë e kemi provuar frikën, e cila ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, disa nanosekonda përpara se të mendojmë. Ju ka ndodhur të trembeni nga një gjarpër artificial kur dikush papritur jua ka drejtuar? Në moment jeni trembur dhe më pas pasi e keni kuptuar që është prej gome (pra ju kanë kaluar mendime në kokë) jeni qetësuar dhe ndoshta keni qeshur apo jeni inatosur me personin.

Të gjithë më pyesin, si ta shmangin frikën, duke mos kuptuar që frika, si çdo emocion tjetër, na jep vetëm informacion. Ajo është e pashmagnshme, por njëkohësisht është një nga mekanizmat tanë mbrojtës ndaj rrezikut. Nëse nuk do të ndjenim frikën, atëherë ne si qenie njerëzore do të rrezikonim edhe vetë ekzistencën tonë. Ka qenë pikërisht frika, një nga faktorët që ka mundësuar mbijetesën tonë prej mijëra vitesh. Por, si çdo gjë tjetër kur tejkalon masën edhe ajo bëhet e dëmshme.

Ndërsa frika është një reagim i pavetëdijshëm ndaj një situate të caktuar që ndodh në moment, paniku dhe ankthi janë reagim ndaj mendimeve dhe memorjeve tona të së shkuarës, por që projektohen në të tashmen dhe të ardhmen. Ndërsa frika është e pashmangshme (kuptohet që individë të ndryshëm reagojnë në mënyra dhe intensitet të ndryshëm), paniku dhe ankthi mund të menaxhohen, duke reflektuar me veten dhe observuar çfarë ndodh me ne.

emocionet

Si mund të bëhet kjo? Nëse ndiheni në panik apo ankth, së pari dhe shumë e rëndësishme është që ta pranoni që jeni në panik apo ankth. Në momentin që e pranoni çfarë po ndodh me ju, keni ulur intensitetin e tij në masën 50%. Më pas, ndaloni dhe vëzhgoni kakofoninë e mendimeve në kokën tuaj. Një pjesë e madhe e tyre janë imagjinatë dhe fantazi në trurin tuaj.

Pasi të vëzhgoni mendimet tuaja, sikur të jeni duke i parë në një ekran, pyesni veten: Në këtë moment jam i/e rrezikuar? Me siguri përgjigjja do të jetë jo. Mendimet tuaja mund t’i shkruani në letër dhe kështu duke i lexuar do të kuptoni që pjesa më e madhe e tyre janë imagjinatë apo pjesë e fantazisë tuaj.

Në neuroshkencë, thuhet që 95% e frikërave nuk janë reale. Metoda e mësipërme është shumë e thjeshtë, por tepër efikase dhe do ju ndihmojë të menaxhoni panikun, ankthin si dhe fillesat e një gjendjeje depresive dhe gradualisht me praktikë ju do të reagoni ndryshe ndaj frikërave tuaja, natyrisht me më pak intensitet.

Por, ajo që po vë re këto ditë të pandemisë mbarë botërore është duale: nga njëra anë dëgjoj njerëz që shprehin frikë dhe panik dhe nga ana tjetër shikoj indiferencë dhe neglizhim në zbatimin e disa masave parandaluese siç janë vetë-izolimi dhe respektimi i distancave në lëvizje. Edhe pse të dy qëndrimet janë problematike, në afat shkurtër indiferenca, neglizhimi dhe moskokëçarja janë “bombat” që mund të plasin përpara kujtdo. Të dyja qëndrimet mbartin çështje emocionale të pa zgjidhura të së shkuarës, mosnjohje të vetes apo mungesë të vetëdijes sociale, për situatën që po kalojmë dhe veprimet që duhet të ndërmarrim dhe na shërbejnë.

Le të praktikojmë një ushtrim së bashku për të ndërprerë mendimet dhe ndjesitë negative të cilat ju shtojnë ankthin, panikun dhe gjendjen depresive.

Merrni një letër dhe laps dhe qëndroni ulur diku, ku nuk ju shqetëson kush. Bëni disa frymëmarrje, për ta sjellë veten në momentin e tanishëm dhe ndjerë qetësinë e mendjes.

emocionet

Më pas mendoni për diçka, që ju shqetëson. Qëndroni në qetësi disa sekonda dhe pyeteni veten: Në këtë moment a kërcënohem me jetën time? Edhe nëse jeni duke menduar për Covid-19 përgjigjja është JO, pasi ju jeni të vetë izoluar në shtëpi dhe po ndiqni të gjitha rregullat që kërkohen.

Fokusohuni për disa sekonda tek përgjigjja JO dhe më pas shkruani në letër mendimin apo mendimet negative. Vëzhgojini sikur të lexoni mendimet e dikujt tjetër dhe mendoni t’i riformuloni ato. Në fillim mund ta kesh të vështirë pasi ankthi dhe paniku synojnë të të mbajnë fort. Por, ti je më i fortë dhe superior, ndaj këtyre ndjesive pasi vetë ti i ke krijuar ato në mendjen tënde. Në vend që të ndjesh ankth dhe panik, fokusohu në hapat që duhet të ndërmarrësh, për të mbrojtur veten.

Ky ushtrim mund të përdoret për çdo situatë dhe mund ta zbatoni sa herë të ndjeni ankth, panik apo pasiguri.

Bëje këtë ushtrim, qëndro në qetësi për disa minuta dhe premtoji vetes që nuk do ta lejosh ankthin dhe panikun të të sundojë ty. Duke vepruar, ti i ke dërguar mesazhe trurit, që gjërat janë në zgjidhje e sipër, duke e qetësuar në të njëjtën kohë. Sa më shpesh ta bëni këtë ushtrim, aq më shpejt do gjenerohet ndjesia e sigurisë dhe të ndjerit mirë duke shmangur memorizimin e vazhdueshëm të ndjesive negative në trurin tuaj. Duke ndryshuar dialogun e brendshëm nga negativ në pozitiv, do mund të maksimizoni potencialet tuaja drejt arritjes së asaj që dëshironi dhe në rastin konkret minimizimi i ankthit, panikut dhe pasigurisë.

emocionet

Një nga postimet shumë të bukura që kam lexuar këto kohë është: “Për herë të parë në historinë e njerëzimit i kërkohet njerëzve të shkojnë në luftë duke ndenjur përpara TV”.

Le ta zbatojmë këtë masë si thelbësore për të ulur ritmin e shpërndarjes së virusit. Njerëzimi do t’ia dale, siç ia ka dalë gjithmonë dhe uroj me gjithë zemër, që kjo të ndodhë sa më shpejt. Ndihmo edhe ti duke qëndruar në shtëpi. Unë po e bëj detyrën time. Bëje edhe ti! Të gjithë së bashku do ia dalim!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0