Por, çfarë ndodh kur ky investim bëhet në bregdet? Sa interes kanë shqiptarët të blejnë një shtëpi në bregdet? Po të huajt, a zgjedhin të kenë një shtëpi në rivierën shqiptare? Cila zonë preferohet më së shumti? BusinessMag.al, ka zhvilluar intervista me drejtues të disa agjencive imobiliare në vend, siç janë Century 21, Remax, Future Home dhe Tirana Real Easte.
Ndër vite Durrësi ka qenë qendra e investimeve, por vitet e fundit, “destinacioni” ka ndryshuar. Sytë e turistëve janë kthyer nga zona bregdetare e jugut. Himara, Palasa, Vlora dhe Saranda, janë zonat me çmimet më të kripura për metër katror dhe njëkohësisht më të preferuarat. Për një metër katror çmimet variojnë nga 550 euro m2 – 2500 euro m2. Këto zona preferohen kryesisht nga turisët perëndimorë.
Cilët janë faktorët që po ndikojnë në kthimin e vëmendjes së blerjeve nga riviera? Drejtuesit e agjencive imobiliare shprehen se kjo kushtëzohet nga tre faktorë:
- Përmirësimi i infrastrukturës- zonave
- Pastërtia e plazhit dhe natyra piktoreske
- Vëmendja që politika po i kushton zonës jugore
Pavarësisht se interesi i turistëve është fokusuar në jug, nuk mbeten pa interes zonat e Durrësit, Velipojës, Shëngjinit dhe Lezhës. Për këto zona çmimet variojnë nga 500 euro m2-900 euro m2. Interes për një banesë në këto zona shfaqet nga shtetasit e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë. Në këtë pjesë të bregdetit kërkohen shtëpi nga 40m2-50m2 dhe kryesisht për një çmim të arsyeshëm nga 40 mijë -50 mijë euro. Kohët e fundit interes blerjesh ka patur edhe në Zonën e Gjirit të Lalëzit, ku çmimi për metër katror shkon deri në 1300 euro.
Lexo: Rritet rreth 15% kërkesa për pasuri të paluajtshme, rritet edhe çmimi
Përfaqësuesuesi i Century 21 Shpend Gashi, shprehet se “Shqipëria nuk ka një treg aq dinamik sa çmimet të ndryshojnë në vlera të ndjeshme nga viti në vit, sidomos kur nuk ka ndryshime të theksuara në infrastrukturë”.
Ndërkohë agjentë të Remax thonë se, “Këtë vit nuk pritet të ketë rritje çmimesh dhe kjo për shkak edhe të paqëndrueshmërisë politike, e cila ka shtyrë vendimin e disa blerësve në një moment të dytë”.
Për turistët e huaj, nga zyrat e Tirana Real Easte thonë se: “Turistët mbeten shumë të kënaqur nga bregdeti ynë dhe çmimet që ofrojnë ndërtuesit apo dhe pronarët aktualë, rrit interesin e tyre për të investuar në pasuri të patundshme”.
“Pamja piktoreske e jugut veçanërisht ajo e Sarandës dhe Vlorës, ka tërhequr shumë çekët, kroatët, kryesisht lindorët për të investuar në këto zona”,- thotë Devis Duka nga Future Home.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.