Turizmi shqiptar, ende për t'u eksploruar - Business Magazine Albania

Turizmi shqiptar, ende për t’u eksploruar


Blog-u i udhëtimit ‘Swedish Nomad’ përzgjedh 25 vendet më të bukura që duhen të vizitohen në Shqipëri për 2019. Duke filluar nga Berati që është i pari në listë dhe duke përfunduar me Tiranën që është e fundit. Blogeri suedez Alexander Waltner shprehet se Shqipëria është një nga vendet e tij të preferuara dhe ka kaq shumë për të eksploruar dhe përjetuar. Ndërsa turistët gjithnjë e më shumë gjejnë rrugën e tyre këtu, shumica e vendit është ende e pa eksploruar nga turistët ndërkombëtarë.

Shqipëria është një vend me pontecial të madh turistik, si për vendasit ashtu edhe për turistët e huaj. Turizmi është një ndër sektorët që ka pasur më shumë rritje në dekadën e fundit në Shqipëri. Vendi ynë ofron një natyrë të qetë, të pastër, interesante me një biodiversitet të pasur dhe të shumëllojshëm, plazhe me një vijë bregdetare të gjatë dhe me trashëgimi kulturore të konsiderueshme. Pavarësisht se në vitet e kaluara ka pasur turistë qoftë kalimtarë apo edhe nga ata që kalonin ditë në zonat e Shqipërisë, vitet e fundit po shohim një zhvillim të madh në ccdo lloj aspekti. Si në atë kulturor,  bregdetar, malor,  por edhe në atë agrikulturor.

“Duke marrë parasysh statistikat në vitet e shkuara turizmi këtë vit pritet të ketë një rritje të ndjeshme. 2019 pritet të kurorëzohet si viti më i mirë i turizmit në vend deri tani”, thotë operatori turistik Arbër Hysollari. Sipas raportit të fundit të INSTAT, në total, për 12-mujorin e 2018, Shqipërinë e vizituan 5.6 milionë turistë, me rritje 16.2% me bazë vjetore. Në këtë periudhë, shtetasit nga Kosova zinin peshën kryesore, me 36%, ose rreth 2 milionë persona, të cilët janë turistë sidomos në zonën e Durrësit, destinacioni kryesor i tyre. Në vend të dytë, maqedonasit, me 640 mijë hyrje, ose 11.3% të totalit.

Të tretët, renditen grekët, me 498 mijë hyrje, ose 8.8% të totalit. Italianët janë në vend të katërt, me 408 mijë hyrje ose 7.2% të totalit. Pas tyre, malazezët, me 330 mijë hyrje, ose gati 6% të totalit. Në 2018-s, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe, 34,5%. INSTAT shton se 2.7 milionë të huaj kanë ardhur për turizëm në 2018, ose rreth 48% e totalit, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turistët ndahen në disa lloje: ata që jane ditore,  ata që janë për pushime plazhi  dhe ata që vijnë të njohin Shqipërinë mesatarisht një javë.  Ata që e mbizotërojnë turizmin është tregu gjerman e ai spanjoll të cilët preferojnë të vizitojnë Shqipërinë në më shumë ditë ndërsa nga ana tjetër kemi tregun aziatik e ai latin të cilët preferojnë të shohin disa shtete në shumë ditë e ku ata qëndrojnë në Shqipëri jo më shumë se dy ditë. Ndërsa nga ana tjetër shohim tregun italian, polak, cek, ukrainas e rus që preferojnë bregdetin. Në 2018 në vendin tonë ka pasur dhe një rritje të numrit të turistëve nga vendet nordike.

 

Përgjatë vijës bregdetare janë vendosur shumica e hoteleve, të cilët ofrojnë cilësi dhe kualitet të ndryshëm, 3- 5 yje.

Shteti shqiptar ka dhënë disa lehtësira për investitorët me statusin special për hotele me 4 dhe 5 yje. Ato përfitojnë ulje të TVSH-së me 6% për strukturat akomoduese brand name, përjashtohen nga tatimfitimi për 10 vjet dhe taksa e infrastrukturës është bërë zero për investitorët me statusin special me 4 dhe 5 yje. Një ndër kriteret kryesore për të marrë statusin special është vlera e investimit. Për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje vlera e parashikuar e investimit është 8 milionë euro dhe 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

Zhvillimet e reja këtë vit e në vitet pasardhëse është konservimi dhe promovimi i zonave arkeologjike dhe malore, të cilat kanë qenë në proces punimi dhe restaurimi. Siç është siti arkeologjik i Adrianopolit afër Gjirokastrës, ose edhe Kisha e Mesopotamit në Sarandë që u restaurua.

Alfred Zylyftari

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0