Akademia, platforma kundër plagjiaturës në Prishtinë - Business Magazine Albania

Akademia, platforma kundër plagjiaturës në Prishtinë


Besart, edhe pse publiku tashmë të njeh, a po na tregon diҫka për veten dhe për ëndrrat e fëmijërisë?

Këtë nuk e prita, se zakonisht askush nuk ma bën këtë pyetje. Unë kam lindur dhe jam rritur në Prishtinë. Jam 25 vjeҫ, mësimet e para i kam vijuar në shkollën fillore “ Meto Bajraktari”, ndërsa të mesmen te “Sami Frashëri”. Ëndrra imë ka qenë të bëhem pilot. Kanë qenë gjërat abstrakte që më kanë tërhequr më shumë. Deri në përfundim të shkollës së mesme, nuk kisha vendosur se ҫfarë do të studioja. Mendoj se jeta ime ka me qenë normale, modeste, periferikisht me ndonjë kontribut pozitiv për shoqërinë. Kjo është edhe arsyeja pse e kemi themeluar platformën. Mendoj që kam qenë tip kureshtar, sidomos për dukuritë natyrore, por nuk kam menduar asnjëherë që të bëj diҫka të madhe.

Ndaje pak me ne eksperiencën në kolegj dhe si ka ndikuar fakti që keni studjuar jashtë vendit në formimin tënd profesional?

Qëllimi gjithnjë ka qenë të marrë një edukim cilësor, edhe pse nuk kam qenë nxënësi më i mirë në shkollën e mesme. Në kohën kur kam diplomuar, ka qenë një trend dhe një konkurrencë shumë pozitive ndër të rinjtë e Kosovës, për të studiuar jashtë vendit. Për fat të mirë, kam fituar një bursë në Universitetin e Sheffield në Selanik , fillimisht në drejtimin Menaxhim në Industrinë e Energjisë dhe Ripërtritshmërisë. Ky ishte qëllimi fillestar për të studiuar por dega u anulua për shkak se ishim pak studentë. Kam ndjekur disa evente të biznesit në Selanik dhe me kanë interesuar shumë biznesi dhe financat. Mendoj se edukimi jashtë vendit ka një komponentë kryesore që mungon në Ballkan: mësimi i pavarur. Mendimi kritik është aspekti esencial që kjo përvojë ma ka mësuar.

Si erdhi ideja për Platformën Akademia?

Në Universitetin e Sheffield nuk kishte burokraci, një aspekt ky shumë pozitiv. Teknologjia është përdorur në masë të madhe, ndaj në këtë kohë më lindi ideja për Akademinë. Qëllimi është që të përdorim sa ma shumë mjete që e lehtësojnë procesin e gjërave dhe jo domosdoshmërisht ofrojnë zgjidhje të plotë të këtyre problemeve. P.sh, një projekt pozitiv në Shqipëri është formimi i bibliotekës elektronike universitare, e cila nuk e zgjidh problemin e cilësisë së hulumtimit në vetvete, por kontribuon në incentivën dhe infrastrukturën. Kur personat dëshirojnë të zgjidhin një problem, e kanë hapësirën për ta bërë atë. Kjo strategji mendoj që duhet të ndiqet nga krejt Ballkani, pasi sot studentët shumicën e kohës e kalojnë online. Përshtypja më e madhe në Universitet ka qenë rreth plagjiaturës. Kur e kam dorëzuar esenë e parë, e kam kuptuar rigorozitetin e universitetit sepse ҫdo gjë që shkruaja, kontrollohej prej tyre. Gradualisht e kam kuptuar që kjo ka qenë metoda më e mirë për mua, sepse në fillim kam qenë shumë rezistent ndaj kësaj metode. Por, pastaj gjatë procesit isha i vetëdijshëm se me këtë kontroll të plagjiaturës, e kisha më të lehtë të kuptoja gabimet e mia. Përveҫ kontrollit ndaj plagjiaturës, unë merrja edhe vlerësimin dixhital. Detyra ime më kthehej e komentuar fjali për fjali. Kështu që e dija se ku kisha gabuar dhe kjo na kursente shumë kohë për shkak se nuk ishte nevoja ta pyesja profesorin për gabimet dhe vlerësimin. Por, ulesha, e pija një kafe dhe e diskutoja me veten komentin e profesorit, se a ka bazë apo jo dhe nëse nuk pajtohesha për diҫka, e kisha mundësinë që të komentoja aty për aty, përmes internetit. Kjo ishte diҫka tëpër efektive, sepse nëse shkoje në zyrën e profesorit, ti duhej të konfrontoheshe me të.

Platforma juaj dixhitale ka për mision identifikimin e plagjiaturës dhe ndryshimin e qasjes ndaj plagjiaturës. Na përshkruaj me pak detaje si ndodh procesi juaj i operimit?

Sistemin anti-plagjiaturë kemi filluar ta zhvillojmë në prill të vitit 2016. Ende nuk kemi pasë strukturë ligjore. Qëllimi ynë fillimisht ka qenë të identifikojmë fjalitë identike, p.sh. nëse themi: Alberti shkon në shkollë dhe nëse dikush shkruan një fjali të njëjtë identike pa e ndryshuar fare, atëherë ky është shembulli i një rasti që në jemi munduar ta identifikojmë si plagjiaturë. Gradualisht kemi arritur në një pikë ku e analizojmë strukturën. Sesi kemi arrritur deri këtu, ka qenë një proces i gjatë tre-vjeҫar dhe nuk është një proces i thjeshtë. Ka shumë përgjegjësi sepse nga puna jonë varet karriera apo penalizimi i dikujt. Një universitet mund t’i revokojë dikujt doktoraturën, nëse e kemi raportuar ne. Pra, kemi përgjegjësi publike për ҫka ofrojmë. Procedura e punës tonë ndahet në tri pjesë kryesore:

1.Pjesa e parë është grumbullimi i informacioneve. Çdo dokument që e kontrollon, duhet të ketë një pikë të referencës me ҫfarë po krahasohet. Gjatë këtyre tre viteve kemi grumbulluar shumë të dhëna, sidomos për gjuhën shqipe . Për momentin i kemi të indeksuar mbi 50 milionë artikuj brenda uebfaqeve të ndryshme që janë shkruar dhe ju ofrojmë klientëve tanë mundësinë që ti kontrollojmë për plagjiaturë. Baza e të dhënave është ҫdo ditë në rritje me kapacitet deri në 200-300 mijë artikuj për indeksim brenda databazës sonë. Ne ofrojmë mundësinë që të kontrollojmë portalet, OJQ-të, ministritë, kompanitë, forumet, etj. Tani janë edhe 500 mijë dokumente të shkruara në shqip që i kemi të indeksuara dhe janë të qasshme për krahasime. Këto janë domaine publike.

2. Pjesa e dytë është përkthimi dhe kontrollimi ndaj uebfaqeve të huaja. Ne jemi kompania e dytë në botë që e ka publikisht të deklaruar, që mundet të kontrollojë plagjiaturën potenciale prej një gjuhe në gjuhën tjetër. P.sh. nëse publikojmë një dokument në gjuhën shqipe, ne e kemi aftësinë për ta përkthyer në gjuhën angleze edhe për ta kërkuar me pothuajse gjithҫka që është e shkruar edhe në gjuhën angleze. Përkthimin e bëjmë duke bashkëpunuar më palë të treta, me biznese që kanë zhvilluar machine translation, po në të njëjtën kohë jemi duke trajnuar operatorët për një machine translation që e kemi zhvilluar ne. Po e ndërtojmë këtë machine translation sepse duam të kemi diҫka tonën, për gjuhën shqipe.

3.Pjesa e tretë është krahasimi i fjalive brenda një dokumenti. Fjalia është vektori që e marrim për bazë kur e krahasojmë një dokument. Si shembull, nëse ti e dorëzon temën e diplomës në platformën Akademia, ne e ndajmë krejt tekstin fjali për fjali dhe këto fjali i krahasojmë me krejt fjalitë që i përmenda. Janë 50 milionë artikuj në gjuhën shqipe, 500 mijë dokumente, 17 miliardë artikuj edhe mbi 50 milionë dokumente në gjuhët e huaja.

Ky është një cikël i gjatë.

Po, është shumë e rëndësishme të mos kalojë asnjë fjali pa u krahasuar sepse ne nuk bëjmë grupime, por një fjali e krahasojmë me triliona fjali të tjera. I gjithë procesi prej fillimit deri në fund, për një mijë fjalë si matës i kohës, është dy-tre minuta për përkthim, krahasim etj. Një temë e diplomës mund të marrë deri në një orë, sepse ne dëshirojmë cilësi në shërbimet tona.

A e keni avancuar procesin e punës?

Natyrisht, në fillim një faqe ka marrë 10 minuta për krahasim kurse tani ecuria e operacioneve tona është përmirësuar masivisht.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0