Shqipëri versus Itali në fushën e tanxhentopol-it

Shqipëri versus Itali në fushën e tanxhentopol-it


Shkruar nga Zef Preçi, Drejtor i Qendrës Shqiptarë për Kërkime Ekonomike.

Publikimi në mas-median italiane i një komenti mbi deponimet e një “drejtori punimesh a supervizori  të njohur veprash publike të ndërtuara në Itali gjatë 20 viteve të fundit”, një lloj bashkëpunëtori i drejtësisë së atij j vendi, më nxiti të heq disa paralele midis vendit tonë dhe Italisë nisur nga problemet e nxjerra në deponimet e këtij zyrtari të penduar, pa pretenduar për një trajtim shterrues të ngjashmërive në këtë fushë…

Së pari, i penduari i drejtësisë Italiane flet për përfshirje të gjerë në aferat korruptive që cënuan zbatimin sipas projekteve të veprave publike me qëllim sigurimin e përfitimeve korruptive të “ministrave, sipërmarrësve të mëdhenj, projektues të shkëlqyer, djemve të politikanëve dhe burokratëve, si dhe funksionarëve të niveleve të larta të shtetit”.

Në Shqipërinë tonë kjo është një aksiomë dhe nuk ka nevojë fare për vërtetim. Mjafton të lexoni raportet vjetore zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë 10-15 viteve të fundit dhe gjithë “figurat” (më mirë figurinat) e korrupsionit dhe abuzimin me fondet dhe pasuritë publike janë listuar aty.  Ndoshta një dite, kur SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) të jetë ngritur dhe të jetë funksional, dikush me integritet personal, me përgjegjësinë e detyrës dhe me mbështetje ndërkombëtare do të shkundë pluhurin e këtyre dosjeve që kanë zenë myk prej vitesh.

Së dyti, i penduari i drejtësisë italiane flet për materiale ndërtimi jashtë standardit (për “çimento tejet të lëngshme që dukej si ngjitës”) ,etj. Në rastin e vendit tonë, dikush duhet të përgjigjet p.sh. për tonelatat e hekurit me rrezatim të importuar nga Ukraina; për miellin që nuk ka datë prodhimi dhe afat përdorimi; për mungesën e laboratorëve që kontrollojnë cilësinë e ushqimeve që konsumojmë; për ngutjen qeveritare për të lejuar importimin e mbetjeve të riciklueshme; për ilaçet që nuk veprojnë as te kafshët dhe që, përveç prodhimit vendas në rritje, lejohet importimi i tyre nga vende të treta përveç atyre të BE-së dhe pa kaluar në institucionin e specializuar për çertifikimin dhe gjurmimin e origjinës së tyre, etj.

Madje dikush duhet të gjejë përgjigjen edhe për faktin e çuditshëm p.sh. në sektorin e materialeve të ndërtimit që vendi ynë ka kapacitete prodhimi të çimentos shumë më të madhe se nevojat e konsumit të tij, por që nuk eksporton dot asnjë kilogram çimento në vendet e BE-së?

Lexoni: Ja rrugët që pritet të përmbyllen brenda 4 vitesh, sipas Ministrit të Infrastrukturës

Së treti, i penduari i drejtësisë italiane flet për vepra publike, që rrezikojnë jetë njerëzish duke i përmendur ato me emër…  Në rastin e vendit tonë, për të ruajtur “një profil më të ulët”, mund të përmendim copëtimin e fondeve publike në vepra mirëmbajtjeje dhe në shërbime, shumë herë edhe të panevojshme, për të mos thënë të pakërkuara si në rastin e partneritetit publik-privat (PPP). E këtu e kam fjalën jo për justifikim politik e fasadesk të tyre, por përgjegjësinë e entit përkatës për mbikqyrjen e kryejres së këtyre veprave, sepse situata është aq paradoksale sa nuk mund të merret me mend.

Ajo fillon me disa kamikazë të emëruar rishtaz në krye të pushtetit vendor që bëjnë vetëm tenderat, por në shumicën e tyre nuk bëjnë asgjë me paratë e shpënzuara/gabrituara me ligj në mes të ditës dhe duke kaluar nga thesari, deri edhe në rikonstruksionin prej miliona Eurosh çdo dy vjet të zyrave ministrore me para të marra borxh “për të mirën e shqiptarëve”… Sepse sot mund të jesh “formalisht në rregull me letrat” por destinimi i parave publike në drejtime të panevojshme, ndërmarrja e koncesioneve për miqtë dhe lobistët, për financuesit partiakë, deri edhe për sipërmarrës me dhe pa rekorde të paligjshme në vendet e BE-së është asgjë më shumë se cënim i interesave publike dhe vepër penale e dënueshme nga ligji…

Nëse një ditë SPAK do të jetë në punë, këto histori vjedhjesh që mbushin dosjet e tenderave dhe justifikojnë milionat e Eurove të shpenzuara të buxhetit quhen shpërdorim detyre dhe nuk mund të arkivohen në nalset e historisë, siç është tentuar deri më sot…

Së katërti, duke evidentuar format e grabitjes së fondeve dhe të pasurive publike me ndihmën e zyrtarëve dhe të politikanëve të korruptuar, i penduari i drejtësisë italiane flet për “një kupolë kompanish të privilegjuara, të cilat e paguajnë “tarifën” në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duke e ndarë “tortën” me të tjera shoqëri private përmes nënkontraktimeve, konsulencave apo partneriteteve në dukje të ligjshme”. Nuk po futem gjatë në analogjinë e rastit me Shqipërinë, por po përmend vetëm koncesionet në nxjerrjen e përpunimin e naftës si dhe në industrinë minerare…

Mjafton një lexim i raporteve zyrtare, të hapura për publikun rreth këtyre koncesioneve, të përgatitura nga KLSH para pak vitesh për të arritur në përfundimin se çdo Euro publike e nxjerrë nga këto pasuri natyrore të qytetarëve shqiptarë është ndarë midis segmenteve mafioze të klasës politike në pushtet dhe në opozitë, në një administratë të zhytur në konflikt interesash,  e për rrjedhojë qindra miliona euro kanë fluturuar dhe vazhdojnë të fluturojnë drejt kompanive “off-shore”, të vjetra dhe të reja, për hetimin e të cilave qartësisht mungon vullneti politik… Por, nëse SPAK do të vihet një ditë në punë, eksplorimi i këtij problemi nuk mund të mos shkaktojë një tsunam të vërtetë mbi klasen politike të vendit tonë.

Së fundi, duke folur për përdorimin e vendim-marrjes qeveritare në funksion të grabitjes së fondeve dhe të pasurive publike me ndihmën e zyrtarëve dhe të politikanëve të korruptuar, i penduari i drejtësisë italiane flet “për një ligj të shumëkontestuar për të përshpejtuar ndërtimin e veprave të mëdha, duke anashkaluar të gjitha rregullat”.

Në rastin e vendit tonë, nëse dikush kërkon të gjejë ndonjë analogji, mund të shohë jo një por disa të tilla. P.sh. ndërhyrjet në ligjin për turizmin apo kuadri ligjor i rishikuar disa herë dhe ende i papërfunduar i partneritetit publik  privat dhe koncesioneve në tërësi, janë dëshmia më e mirë për këtë qëllim, deri edhe pezullimi me vendim qeverie i Ligjit 7501 “Për tokën” në zonën bregdetare, si shkelje e hapur e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit në shërbim të interesave oligarkike.

E nëse shkeljet e ligjeve apo më keq akoma miratimi i akteve ligjore favorizuese deri edhe për emra të veçantë biznesesh apo oligarkësh është një vepër penale kolektive e Kuvendit, nuk ka asnjë arësye mbrojtjeje, pra, edhe vetë antarët e këtij institucionoi duhet të përgjigjen para ligjit për dëmin pasuror që ju kanë shkaktuar interesave publike.

Natyrisht, të flasësh për të tilla çështje në Shqipëri në një kohë kur institucione të rëndësishme të shtetit të së drejtës siç është Gjykata Kushtetuese, janë jashtë funksionit, është veçse një utopi. Mirëpo, nëse një komb, një shoqëri nuk ëndërron që të shkojë në një stad tjetër më të avancuar p.sh. në ndërtimin e shtetit të së drejtës, vështirë se mund të arrijë ndonjëherë atje…

Përndryshe, braktisja e pazakontë e vendit tonë gjatë këtyre katër-pesë viteve të fundit do të përshpejtohet dhe Shqipëria rrezikon të shndërrohet thjesht në një “shprehje gjeografike”…

Lexoni: I huaj në vendin tënd. Drama e emigrantit shqiptar

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0