Në fabrikën që fiton çmime ndërkombëtare, pak kilometra larg Tiranës, me vajin bio të ullirit

Në fabrikën që fiton çmime ndërkombëtare, pak kilometra larg Tiranës, me vajin bio të ullirit


Shkruar nga Valmora Gogo, Hashtag.al

Me guidën e vajrave më të mirë organikë në botë, ekstra të virgjër të ullirit, mund të habitesh. Habia të kap kur kupton se sa pak informacion ke, ndërsa shikojmë se në faqen e parë renditet Shqipëria.  Dhe sidomos kur shikon që fabrika që e prodhon, e kompanisë “Shkalla” është vetëm pak kilometra larg Tiranës, në Lundër.

Po çfarë bën më shumë se qindra fabrika që ndodhen në vendin tonë e mijëra të tjera që ndodhen në Spanjë, Itali, Greqi, fabrika shqiptare, shishja e së cilës ka zënë faqen e parë të këtij katalogu?

Për ta zbuluar, i bëjmë një telefon zonjës së familjes që prej vitesh ka ngritur modelin e biznesit që mburret nëpërmjet produktit. Zonja Shpresa Shkalla është energjike dhe e papërtueshme, për t’i shpjeguar një gazetari si unë që nuk është ekspert i fushës, ashtu si gjyshja një fëmije 5-vjeçar, se si ka arritur që prodhimin e “lëngut të jetës” ta kthejë në art.

Shumë pasionante, prodhuesja shpjegon duke lëvizur në gjatësinë e makinerive që ndizen në 1 nëntor e mbyllen në shkurt, për të përfunduar te botet e mëdha disa tonëshe, e pajisja që mbush shishet e errëta e të stampuara ‘si prej së jashtmi” do e quante ndonjë syresh.

“Si ka arritur kjo grua të ruajë standardin e cilësisë që fiton çmime?!”, është pyetja që të shkon ndërmend. Pastaj një tjetër të shtohet: “Si ka arritur që në rrethanat ku ndodhemi, pa rregulla loje, të ruajë qëndrueshmërinë për të prodhuar të njëjtën sasi të madhe, disa tonëshe, me po të njëjtën cilësi?” Sa e vështirë mund të jetë për një fabrikë, që prodhon një nga produktet më delikat për të bërë fitim, të marrë përvit çmime? A jemi ne sa duhet të ndërgjegjshëm që puna e kësaj zonje dhe familjes së saj po na bën një shërbim kaq të madh: prodhimin e një produkti bio, të cilin kemi mundësinë ta gjejmë e ta përdorim?

Do të përgjigjem”, na thotë prodhuesja shqiptare, teksa na gostit me ëmbëlsira e fruta (ndëra po shkruaj mendja më shkon te ëmbëlsimi i nevojshëm për të përballuar hidhësinë e djegien e cilësisë së lëngut të jetës, të cilin e provova pasi mbarova së shkruari).

Ne kemi qenë ndër të parët që investuam në një fabrikë të re dhe moderne pas fabrikave ekzistuese të vjetra si në kohë dhe në teknologji. Por ne nuk u mjaftuam kurrë me bërjen e një fabrike sepse çdo vit kemi bërë investime. Pas kësaj, jemi certifikuar për bio nga zvicerianët, ata na ndihmuan, që na çuan në këtë rrugë. Pasi u certifikuam, ku na u deshën 4 vjet, ishim të parët jo vetëm që u certifikuam bio, por edhe që eksportuam bio. Në atë kohë Shqipëria kishte një nam shumë të keq prej falsifikimeve që bëheshin”, na tregon Shpresa.

“Shkalla” qe prodhuesi i parë që fitoi çmimin ndërkombëtar për prodhimin e vajit organik të ullirit “Biol” në 2005. Që prej atëherë, çdo vit merr çmime të rëndësishme, mes 500 prodhuesve të të gjithë botës, ashtu si edhe këtë vit.
Ishte një habi e madhe për drejtuesit e këtij konkursi që Shqipëria fitoi ndër 5 vendet e tjera në botë”, na rrëfen përshtypjet e ekspertëve italianë ajo.

“Çfarë ua ka garantuar?”, prodhuesja e suksesshme e ka përgjigjen: serioziteti.

Ne prodhojmë me cilësi shumë të lartë, me tonelata”, nis të argumentojë përgjigjen, duke zbërthyer çdo dyshim që mund t’i lindë çdo konsumatori: a është kjo cilësi që fiton çmime edhe në botet plot të fabrikës.

Duke iu kthyer Zvicrës, ajo tregon që ai mbetet vendi bazë ku eksportohet prodhimi i tokave shqiptare dhe fabrikës së saj e bashkë me të edhe Gjermania, Brukseli, Kina.

“Ju lumtë zvicerianëve!”, mendova. Por Shpresa më siguroi se prodhimi i saj gjendet edhe në Tiranë.
Është edhe në Tiranë, vetëm në dyqanet bio. E çoj te qendra “Toptani” te “Bio Center” apo edhe te minimarketi “Mia” që është afër RTSH-së”, thotë prodhuesja.
Megjithatë, qëndrueshmëria në kohë dhe sasi e tregut zvicerian, pak më pak gjerman e kinez, nuk tejkalohet nga Shqipëria.

Zinxhiri organik, nga rritja i ullirit te përpunimi dhe ruajtja

Si rritet, koha e vjeljes, mënyra si vilet, sjellja menjëherë në fabrikë, mënyra e përpunimit në fabrikë, janë të gjitha këto kritere që bëjnë diferencën mes një vaji extra vergine dhe një vaji të zakonshëm.
Nga një kërkim i thjeshtë, ndryshimi mes ullinjëve dhe ullinjëve organikë qëndron te mënyra si prodhohet dhe përpunohen.

Ullinjtë organikë janë ata ullinj që kontrollohen dhe certifikohen nga trupa certifikuese të akredituara, duke u rritur pa përdorimin e plehrave kimike, pesticideve ose agjentëve të tjerë artificialë. Pra, asnjë kimikat apo pesticide nuk lejohet që t’i ndihmojë të rriten.
Por nuk mjafton vetëm kaq, duhet që procesi certifikues ta dokumentojë dhe ta garantojë këtë fakt.

Pra, një vaj ulliri organik ekstra i virgjër nuk është njësoj me një vaj ulliri ekstra i virgjër.
Përveç atyre që prodhojmë vetë, të cilat janë të certifikuar si organikë, edhe fermerët që u marrim ullinjtë i kanë të certifikuar”, thotë për produktin e parë prodhuesja shqiptare. Nga guida lokalizohen disa vende ku prodhohen ullinj organikë si Farka dhe Vrapi në periferi të Tiranës dhe Lushnja e Fieri.

Gjithnjë e më shumë po pyesim “Çfarë po konsumojmë?”

Vaji organik i ullirit, prodhuar disa kilometra larg Tiranës fiton çmimin ndërkombëtar në Itali për vitin 2018. Por ky nuk është më lajm. “Shkalla” fiton përvit çmime për cilësinë e lartë, që prej 2005-ës.
Lajm do të qe nëse arrin të zbërthesh suksesin e një kompanie që prodhon në fabrikën e saj një nga produktet bazë ushqimore, vlera e të cilit po ridimensionohet, edhe në Shqipëri.

Në botë, mjafton të kujtojmë rastin e një fermereje organike, amerikanes Jessica Iclisoy, kompania e së cilës u nis me 2 mijë dollar borxhe dhe tani vlen 330 milionë dollarë.
Produktet organike të Shqipërisë në fakt i “përlajnë” të huajt, por shqiptarët që kanë informacion për çmimet ndërkombëtare të vajit organik të prodhuar nga “Shkalla” e dinë ku ta gjejnë dhe tregohen të shkathët, si të huajt. Sidomos tani, që për produktet që konsumojmë jemi bërë kaq të kujdesshëm.

Shkatërrimi i produkteve shqiptare me lloj lloj hormonesh, përpunimi i tyre i pakontrolluar dhe pasiguria e madhe, e ka bërë qytetarin shqiptar më të vëmendshëm drejt ushqimit që konsumon.
Pak kilometra larg kryeqytetit, në Lundër prodhohet vaji organik i ullirit që prej vitit 2005 fiton çmime ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe këtë vit fitoi çmimin “Extra Gold” ,  “Best Olive Oil od Albania” dhe ‘Biol Albania’.

Në Itali këtë vit 500 prodhues konkuruan, ndërsa “Shkalla” sh.p.k që e prodhon kontrollohet vit për vit nëpërmjet disa analizave për të gjithë procesin organik. Vaji i ullirit është futur në listën e 100 vajrave më të mirë në botë.

Disa sekrete të vogla, si ta dallojmë vajin e ullirit organik ekstra i virgjër nga vaji i zakonshëm (që shitet si vaj ulliri)

Si ta njohësh një vaj ulliri të prodhuar në mënyrë organike nga një vaj i zakonshëm? Shpejt e shpejt, prodhuesja Shpresa Shkalla, ne konsumatorëve të paditur, na jep 3 piketat ku të mbështetemi: Aroma, hidhësia dhe djegësia.
Në rast se nuk ka aromën e frutit të freskët, duhet ta ndërpresë këtu degustimin. Nuk e ka këtë?! Nuk mund të jetë vaj i mirë ulliri. Aroma e frutit të freskët ngjan me aromën e barit të sapo kositur ose aromën e kërcellit të domates.”, rrëfen vetinë e parë.

Si ta nuhatësh aromën? Në një gotë të vogël që e ngroh me duar për 3 minuta, e rrotullon në formë rrethore vajin dhe pasi i heq duart e nuhat.
Po hidhësia? “Do ta rrufisësh vajin dhe me gjuhë do ta çosh në dy anët e gjuhës ku janë sensorëte hidhësisë dhe aty e ndjen se sa i hidhur është. Ndërsa për djegien, pasi e kalon në fyt dhe e duron djegien e fortë për disa sekonda, në një vaj të mirë ulliri, djegia zhduket menjëherë pas këtyre sekondave. Pra, ti nuk ke kuptuar fare që ke pirë yndyrë, sepse i miri është si lëng. Ashtu e ka emrin; lëng i frutit të freskët” përfundon prodhuesja.

Shënim i një shijuesi fillestar: Ky shkrim u shkrua pa provuar asnjë pikë vaji ulliri organik, me qëllim që nuhatja dhe shijimi të mos ndikonin te racionaliteti. Pas shkrimit: aroma, hidhësia dhe djegia që ka, janë fantastike!!!Konsumo bio!

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Dikush po rri në hije sot, për shkak se dikush mbolli një pemë shumë kohë më parë.”
— Uarren Buffet
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0