Përfaqësues të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” (Lezhë) dhe shkollës industriale “Pavarësia” (Vlorë), u takuan të premten dhe të shtunën me përfaqësuesit e bizneseve lider të TIK, për të konfirmuar nisjen e bashkëpunimit midis palëve.
Vodafone, New Media Communication, Facilization, Landmark, Albanian Business Partner, Dentem, ATIS, Gjeo-Vjosa, Tech360, CEI, Big Media Expert, janë kompanitë e para të cilat janë zotuar të ofrojnë Praktika Profesionale në Distancë për 98 nxënës të drejtimit TIK të 2 shkollave.
Ky model praktike është tërësisht i ri për vendin tonë, i nxitur nga nevoja për aftësimin e të rinjve në përputhje me cilësitë profesionale që kërkon tregu. Modeli prezantohet nga “Aftësi për Punë S4J”, një projekt zviceran me nje qasje novative për përmirësimin e cilësisë dhe ofertës së arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri.
Nga 2016, projekti ka lehtësuar vendosjen e marrëdhënieve midis shkollat partnere në Lezhë, Berat e Vlorë dhe bizneseve lokale, për të siguruar praktika profesionale për nxënësit e drejtimit Hoteleri – Turizëm. Dy shkolla të reja, në Shkodër dhe Tiranë, janë përfshirë prej pak muajsh në nismat e “Aftësi për Punë S4J”.Qendra e Formimit Profesional në Vlorë është një institucion tjetër që përfiton nga ndërhyrjet e projektit.
Ideja për praktika në distancë ka lindur nga një analize paraprake e sektorit të TIK në zonat ku “Aftësi për Punë S4J” operon. Sipas kësaj analize, rezultoi se ekzistojnë shumë pak kompani që ofrojnë shërbime TIK në këto rajone, çka përbën mundësi të pakta praktike për nxënësit, duke mos plotësuar dot nevojat që parashikojnë kurrikulat shkollore.
“Nëse në sektorë të tjerë si Turizmi dhe Mikpritja kemi pasur sukses për praktikat profesionale, në sektorin e ICT ka ofertë të pakët nga bizneset e zonave, pavarësisht zhvillimit që industria ka. Ka një përqendrim në Tiranë të këtyre kompanive të TIK. Ndaj ne filluam dialogun me kompanitë për të kuptuar nevojat, kërkesat e tyre të punësimit dhe pamë që ekziston nevoja për burime të kualifikuara në këtë sektor. Ndërkohë që në shkollat profesionale po afrohen gjithmonë e më shumë nxënës premtues dhe kërkues të cilët mund të përbëjnë një kontigjent të ardhshëm cilësor për të plotësuar ato nevoja.“ – thekson Z. Fation Dragoshi, menaxher i projektit.
Investimet e ndërmarra nga “Aftësi për Punë S4J” tek shkollat profesionale në infrastrukturë, si klasat e “mësimit të kombinuar”, Wi-Fi, laboratorë të pajisur me teknologjinë e fundit, zbatimi i “mënyrave të reja të mësimdhënies” bazuar në përdorimin e teknologjisë, si dhe në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në mësimdhënie, kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes drejt arsimit profesional, duke sjellë shtim në numrin e regjistrimeve në vitin aktual shkollor. Falë këtyre ndërhyrjeve të projektit, tashmë konsiderohet të jetë momenti i duhur për të aplikuar mënyra të reja të praktikave në distancë.
Të udhëhequr nga mësuesit e TIK dhe mentori (punonjësi i kompanisë që do të orientojë praktikën), nxënësit do të zhvillojnë në grupe projekte të cilat synojnë aftësimin e tyre në programim, rrjete të dhënash, suport IT dhe multimedia. Ndjekja nga mentori do të bëhet “në distancë”, përmes përdorimit platformave online të komunikimit dhe manaxhimit të projekteve.
Vajzat dhe djemtë e përfshirë në këtë skemë zhvilluan intervistat e para me bizneset e Tiranës në nëntor 2017, gjatë Panairit të Praktikave Profesionale të organizuar nga shkollat e tyre. Gjatë javëve të ardhshme, kompanitë do të vizitojnë shkollat profesionale, ku do të takohen me nxënësit dhe prindërit e tyre.
Shkollat dhe kompanitë nënshkruan “Marrëveshjet e Mirëkuptimit”, një gjest i cili afirmon bashkëpunimin afatgjatë mes palëve.
Më shumë mbi projektin “Aftësi për Punë”
Projekti ‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me fokus zhvillimin e aftësive të bazuara në teknologji dhe promovimin e punësimit, duke patur parasysh integrimin gjinor.
Projekti zbatohet nga Swisscontact (SC), organizata zvicerane lider në zhvillimin e Arsimit dhe Trajnimit Profesional, si dhe sektorit privat. Swisscontact bazohet në qasje inovative, bashkëpunim me sektorin privat, një fokus të fortë në mësimin praktik, orientim drejt botës së punës, decentralizim me përfshirjen e palëve të interesuara lokale dhe kontributet në reformimin e sistemeve.
Për më shumë informacion rreth projektit, ju ftojmë të shihni videon prezantuese.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.