Linja do të quhet “Air Albania” dhe dizajni shpreh motivet e flamurit kombëtar, duke i ndërthurur me elementë si krahët e Shqiponjës të vendosur në bishtin e avionit. Pranë derës së parë të avionit, pranë kabinës së pilotëve, dallohet edhe flamuri shqiptar, një pozicionim i ngjashëm me atë të disa linjave si “Air Asia” e Malajzisë, ndërkohë që ‘Turkish Airlines” e ka të pozicionuar flamur në mes të trupit të aeroplanit.
Lexoni: Një linjë e re ajrore shqiptare pritet të nisë fluturimet e para në fund të këtij viti
Duke parë specifikimet e aeroplanit duket se modeli me shumë gjasa i përket atij të Airbus A320-200, model shumë i përdorur edhe nga kompani turke, e cila ka aktualisht në flotën e saj rreth 24 avionë të tillë. Aeroplani ka një kapacitet maksimal prej 153 pasagjerësh, prej ku 12 vende janë në klasin e parë. Kostoja e këtij modeli llogaritet në rreth 94 milionë euro. Gjatë verës, kryeministri Rama, kishte njoftuar se fluturimet do të nisnin brenda këtij viti, lajm, i cili ishte konfirmuar nga “Turkish Airlines”, që po asiston qeverinë shqiptare në themelimin e kompanisë vendase.
Megjithatë, duket se me përfundimin e dizajnit, avionët që do të përdorë flota do të bëhen gati shumë shpejt për operim. Kompania vendase do të kryejë fluturime nga Rinasi drejt rajonit dhe vendeve të tjera të botës. Bashkëpunimi me “Turkish Airlines” është cilësuar një një mundësi e madhe për sukses nga drejtuesit e linjës turke. Kryetari i bordit ekzekutiv, Ilker Ayci u shpreh se pritshmëritë janë që “Air Albania” të përfitojë nga reduktimi i operacioneve të kompanive italiane në Shqipëri, duke krijuar një mundësi të lartë biznesi për këtë partneritet strategjik.
Lexoni: Wizz Air njofton hapjen e linjës low-cost Tiranë-Londër
Kjo linjë pritet të operojë fillimisht me çmime normale, pra jo low-cost, pasi siç është shprehur më parë Rama, kontrata koncesionare me aeroportin e Rinasit, pavarësisht rinegocimit e ka bërë të vështirë futjen e kompanive low-cost. Krahas çmimeve për udhëtimet dhe destinacioneve që do të ofrohen, gjithashtu pritet të zbulohen edhe detaje mbi numrin e stafit që do të punësohet dhe plani për rritjen e zgjerimin e kompanisë. Paralelisht, ngritja e linjës ajrore vendase do të shoqërohet nga një tjetër projekt madhor, ai i ndërtimit të aeroportit të ri rajonal të Vlorës, i cili pritet të nxisë më tej turizmin, duke lehtësuar ardhjen e të huajve që duan të vizitojnë Jugun e vendit. Tregu ajror në vend ka shënuar rritje mbresëlënëse vit pas viti, ndërsa në fund të muajit Shtator numëronte mbi 2 milionë pasagjerë, ose 24.6% më shumë se një vit më parë.
burimi: acp.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.