Fjorza Mullaji: SI DO SJELL "PARAJSËN" për adhuruesit e mineraleve, të meditimit dhe të energjive - Business Magazine Albania

Fjorza Mullaji: SI DO SJELL “PARAJSËN” për adhuruesit e mineraleve, të meditimit dhe të energjive

“Just Fjo Accessories” një ndër idetë e prezantuara në emisionin “Do you have an idea?” nga Fjorza Mullaji, konsistonte në krijimin e bizhuterive artizanale me gurë natyrale dhe minerale.

Bizhuteritë e saj shiten jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Ajo kërkonte një investim për të rritur biznesin e saj të bizhuterive artizanale. 

Sot, Business Magazine arriti të merrte një intervistë nga Fjorza, për të mësuar më shumë rreth sipërmarrjes së saj:

BM: Përshëndetje Fjorza! Përpara se të kalojmë tek pyetjet në lidhje me pjesëmarrjen tuaj në emisionin “Do you have an idea?”, ne duam të dimë se kush është Fjorza Mullaji?

F: Unë jam vajza e madhe e dy prindërve me arsim të mesëm, por që bënë të pamundurën që unë dhe vëllezërit e mi të shkolloheshim dhe të ndiqnim pasionet tona. Shkollimin e kam nisur në shtetin fqinj Greqi dhe u kthyem në atdhe për të vazhduar gjimnazin, periudhë kjo ku nisi dhe pasioni për stilimin e bizhuterive artizanale.

Besoj se pasionin për të krijuar e kam trashëguar nga im atë, i cili ka një talent të rrallë për të kthyer çdo gjë në jetë. Pasi kam mbaruar studimet për “përkthim – interpretime” të gjuhës greke, “Shkenca politike” si dhe së fundmi master për “Administrim publik” kam vendosur t’i përkushtohem dashurisë më të madhe, krijimtarisë.

BM: Si iu duk programi “Do you have an idea?” A u përmbushën pritshmëritë tuaja nga pjesëmarrja?

F: Arsyeja pse vendosa të merrja pjesë te “Do you have an idea?” ishte publiciteti. Kurrsesi nuk prisja diçka më shumë se kaq. Jam shumë e lumtur për rezultatet dhe gjithashtu porositë janë shtuar. Këto bizhuteri plotësojnë kërkesat e klientit nëpërmjet këtyre vetive që ato zotërojnë.

BM: Si nisi “Just Fjo Accessories”? Cila ishte shtysa për të nisur një sipërmarrje tuajën?

F: Si fillim më pëlqente procesi i të krijuarit, më vonë kur nisën edhe shitjet e para nisi të më pëlqente pavarësia që të jep paraja. Kuptova shumë shpejt që mund të kombinoj të nxjerrit para me pasionin që sapo kishte nisur të formohej tek unë. Mund të them se që në fillimet e mia funksionoi shumë mirë.

BM: Si funksionon biznesi juaj? Sa kohë ka që operon në treg dhe sa të punësuar keni?

F: Unë kam plot 11 vjet që bëj bizhuteri dhe 10 vjet që prezantoj krijimet e mia nën emrin “Just Fjo Accessories”. Sot jam 28 vjeçe dhe mund të them me bindje të plotë që të kthej pasionin tim në profesion ka qenë vendimi i duhur. Si rrallë herë në biznes, jam unë ajo që shkoj te klientët me valixhen plot me bizhuteri, pra nuk kam dyqan dhe nuk jam e sigurtë në qoftë se dua të kem.

Tashmë punoj shumë mirë nëpërmjet rrjeteve sociale, duke qenë se pjesa më e madhe e punës sime mbështetet te porositë e klientit. Kam komoditetin e bashkëpunimit me “Helvetia”, një biznes i ri që bën transport me biçikleta.

Pra klientët zgjedhin dhuratat e tyre të personalizuara nga telefoni dhe për 24 orë e kanë produktin në shtëpi. Përveç të rinjve të transportit kam dhe një mikeshën time që punon për mua, me ritmin e rritjes së kërkesave do kem nevojë për më shumë ndihmë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 39 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.

BM: Me çfarë mineralesh punoni kryesisht dhe cilët janë ata më të preferuarit për konsumatorin shqiptar?

F: Gama e gurëve natyralë që përdor është e madhe dhe çdo koleksion rritet edhe më shumë. Ndër gurët që përdor janë Agata, Amethist, Turkez Afrikan, Aqua marine, Lapis Lazurit, të gjitha llojet e quartz-eve, bloodstone, cat eye, Amazonite, Dumetrierite, sodalite, Aventurite, Obsidian, Onyx etj. Më e preferuar është Agata për shkak se gjendet në 7 ngjyra dhe plotëson nevojat e klientëve për fat, jetëgjatësi dhe mbrojtjen nga energjitë negative.

Kohët e fundit kam pasur shumë kërkesa për Amethyst, sepse ai është gur tepër i përdorur për largimin e stresit. Kohët e fundit kam minimalisht 5 porosi në javë për byzylyk me gurin e quajtur “Syri i Tigrit”, i cili konsiderohet një tërheqës i mirë i parasë. Pra kërkesat janë nga më të ndryshmet!

BM: Të apasionuarit e bizhuve ku mund t’i gjejnë punimet e Fjorzës?

F: Ata që dëshirojnë të kenë një krijim timin mund të më gjejnë në Facebook dhe Instagram me “Just Fjo Accessories” si dhe nëpër panaire që organizohen në Tiranë dhe qytete të tjera.

BM: Çfarë vështirësish keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj të sipërmarrjes? Si i keni përballuar ato?

F: Gjërat nuk kanë qenë gjithnjë kaq të lehta. Kam humbur para dhe kohë të konsiderueshme duke qenë se çdo gjë që di e kam mësuar vetë dhe nuk kam pasur dikë që të më orientojë. Kam bërë edhe zgjedhje të gabuara me kosto të lartë.

Më kujtohet që herën e parë që jam nisur drejtë Turqisë për furnizim, m’u deshën 2 ditë të gjeja tregun e gurëve dhe më mbetën vetëm 3orë kohë për t’i zgjedhur, si të mos mjaftonte kjo humba dhe avionin dhe më shkuan biletat 1000€ ndërkohë që për furnizim harxhova 500€ 🙂 Kur arrita si përfundim në doganën e aeroportit dëgjova për herë të parë fjalën zhdoganim. Isha 19 vjeçe dhe nuk isha fare e informuar. Të gjitha këto dhe shumë të tjera plotësuan këtë që jam sot, paguhem për të bërë atë që dua. Në qoftë se do dorëzohesha, asgjë nuk do të ishte njësoj!

BM: A iu është ofruar mbështetje nga anëtarët e jurisë apo persona të tjerë, për kërkesat e prezantuara në emisionin “Do you have an idea”?

F: Në fakt nuk më është ofruar ndihmë nga anëtarët e jurisë, përveç z.Hervin Fora, i cili do më mundësojë gjetjen e disa medikamenteve.

Përveç kësaj përsa i përket punës sime ndihma e vetme ishte publiciteti që më bënë me fjalët e bukura dhe komplimentet për atë çka përfaqësoj, por siç ju thashë dhe më sipër kjo më mjafton!

BM: Ku e shihni “Just Fjo Accessories” pas disa vitesh?

F: “Just Fjo Accessories” ka bërë hapa të ngadalta dhe të qëndrueshme për të arritur deri këtu dhe kështu do të vazhdojë më tej. Kur të jem gati do hap “parajsën” e adhuruesve të mineraleve, të meditimit dhe të energjive që kanë thesaret e vogla të tokës.

Një dyqan në të cilin nuk do të bëhen vetëm shitje, por do të plotësohen nevojat për energji.

BM: Faleminderit për intervistën! Ju urojmë suksese të mëtejshme!

fjorza-mullaji-si-do-sjell-parajsen-per-adhuruesit-e-mineraleve-te-meditimit-dhe-te-energjive-businessmag

/Artikulli u publikua më parë në faqen 39 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0