Psikologjia e këtij veprimi u rrënjos thellë në mentalitetin e shqiptarëve të asaj kohe dhe ndikoi dhe në sjelljen e tyre të mëvonshme. Pas vitit 1944, shqiptarët do të merrnin dhe një tjetër goditje, teksa shumë panë që monedhat e tyre të fshehura të floririt u morën nga regjimi komunist dhe ata u detyruan të bashkëjetonin me lekun shqiptar. Ky i fundit, që në emetimin e parë të monedhës kombëtare shqiptare në vitin 1926, kishte një raport: 1 frang = 5 lekë . Ky kurs këmbimi mbeti i pandryshuar deri në vitin 1990. Nga viti 1945 e deri në vitin 1990, kushdo që ka çuar franga ari dhe argjendi për t’i këmbyer në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, në këmbim të një frange monedhë, merrte 5 lekë të reja, duke i zhvlerësuar kështu indirekt monedhat e floririt. Pikërisht në këtë periudhë filloi dhe një dashuri e re e shqiptarëve ndaj Dollarit Amerikan, monedhës që shihej si simbol i jetës së lakmuar dhe të ëndërruar (por rreptësisht të ndaluar) perëndimore. Në atë kohë, një dollar kishte një kurs fiks këmbimi prej 7 lekësh të reja.
Pas viteve 1990, kur kursi i këmbimit u la i lirë dhe inflacioni u rrit me hapa galopantë, dollari fitoi vendin e dëshiruar fshehurazi në kohën e komunizmit. Monedha amerikane që pas viteve ‘90 ishte pika e fortë mbështetëse për shumë shqiptarë. Pagat më të preferuara ishin ato që jepeshin në dollarë, sidomos në organizatat ndërkombëtare; kursimet preferoheshin të mbaheshin në këtë monedhë, që perceptohej si e fortë; shtëpitë, tokat, makinat shiteshin në këtë monedhë; kredia ishte e preferuar po në dollarë. Kjo “mani” e shqiptarëve për monedhën amerikane shpjegohej nga ekspertët me varësinë që ata kishin pasur dikur te floriri dhe besimin e paktë te monedha vendase (që po zhvlerësohej me shpejtësi), ku efekti psikologjik i floririt pas viteve ‘90 ishte transferuar te dollari.
Por, që prej vitit 2002, shumë individë panë kursimet e tyre në dollarë të zhvlerësoheshin, si rrjedhojë e nënçmimit të dollarit; pagat që po uleshin në vlerë reale, ndonëse vazhdonin të merrnin të njëjtën sasi në vlerë; të shisje një pasuri në dollarë nuk fitoje më si më parë. Për një dollar, nga 143 lekë që merrje mesatarisht në vitin 2001, në vitin 2005 mund të merrje vetëm 99 lekë, një zhvlerësim prej gati 30% dhe aktualisht ai luhatet rreth 100-110 lekëve.
Në mënyrë të natyrshme, shqiptarët e braktisën “floririn” amerikan, për t’u mbështetur te një monedhë tjetër e re dhe e fortë, ajo europiane. Më shumë sesa afërsia gjeografike ishte intuita prej tregtari, ajo që i udhëhoqi shqiptarët drejt euros, që prej vitesh tashmë është më e fortë se dollari. Që nga viti 2003, makinat, shtëpitë, tokat filluan të shiteshin në euro; kursimet gradualisht u zhvendosën drejt monedhës europiane, edhe pagat më të preferuara po ashtu, kredia filloi të merrej në euro, duke e bërë atë edhe sot monedhën dominuese në transaksionet e mëdha.
burimi: monitor
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.