Uji më i shtrenjtë se kafeja? Rritje 30% e çmimeve në bare - Business Magazine Albania

Uji më i shtrenjtë se kafeja? Rritje 30% e çmimeve në bare

Çmimet e produkteve bazë në bare, kafeja dhe uji po rriten me shpejtësi kohët e fundit me nga 20-30% se secila. Një shishe ujë 0.5 litër tani është barazuar me kafenë ose në disa raste është edhe më shtrenjtë.

Të dhënat nga tregu  tregojnë se, një shishe ujë në rrjetet e mëdha të kafeve në kryeqytet ka shkuar në 120 lekë nga rreth 70-90 lekë që ka qenë deri para një muaji.

Ndërsa në baret e zakonshme të Tiranës një paketim  0.5 litër kushton jo më pak se 90 lekë nga 70 lekë që ishte në fund të 2025.  Rritja e çmimit të kafesë dhe ujit më shumë e ka çuar faturën për të dyja bashkë nga 170 lekë mesatarisht në 220-240 lekë.

Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve e Restoranteve tha se, nuk as logjikë, as etikë të rritet çmimi i ujit dhe sidomos në disa raste me shumë se kafeja.

“Po kalojmë në të njëjtën logjike që ka kaluar Greqia kur nisën të abuzonin me çmimin e ujit dhe qeveria atje vendosi një çmim tavan më shumë se 0.5 cent”, tha ai.

Greqia është rasti unik në Europë ku miratoi ligjin që vendosi çmim tavan për ujin e thjeshtë të paketuar (zakonisht 500 ml), rreth 0.50 euro TVSH, i detyrueshëm për bare dhe restorante.

Ligji i detyron baret greke që të shënojnë çmimin e ujit në menu me arsyetimin se uji trajtohet si produkt bazë jetese, edhe kur shitet në ambient shërbimi.

Në Francë Ligji detyron lokalet të ofrojnë ujë rubineti falas  për klientët. Kjo krijon një presion indirekt mbi çmimin e shisheve, por restoranti është i lirë të vendosë çfarë çmimi të dojë për ujin e paketuar.

Marzhi i fitimit për një shishe ujë 0.5 litër nga marketi ose furnitorët e shumicës është i lartë. Nga 35-40 lekë në market uji tani kushton në një dysheme jo më pak se 100 lekë.

Kompanitë e prodhimit të ujit në vend pohuan se nuk e kanë ndryshuar çmimin e furnizimit me shumicë të shishes 0.5 litër, duke transferuar arsyet e rritjes së çmimit tërësisht tek baret dhe restorantet.

Lexo edhe: Rritje rekord e bizneseve të reja në Shqipëri në 2025-ën, QKB publikon të dhënat

Po siç shpjegojnë vetë administratorët e bareve uji u aplikua për të maskuar çmimin e kafesë, i cili është rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare dhe në anën tjetër kërkesa për konsum në vend po rritet gjithnjë e më shumë nga turistët.

Për të mbajtur çmimin e kafesë nën kontroll po rritet çmimi i ujit përtej logjikës dhe etikës. Disa bare p.sh. mbajnë paketime të vogla në qelq që kushtojnë shpesh me shumë se kafeja duke i vënë konsumatorët para zgjedhjes së detyruar.

Zoti Jahja bëri thirrje që të bëhet një ndërhyrje e ngjashme me Greqinë, ku uji shpesh ofrohet falas ose me çmim shumë të lirë kundrejt një filxhani kafe që shkon 2.5-4 euro. Megjithatë, në Shqipëri uji i rubinetit nuk është i pijshëm, pavarësisht investimeve të shumta, duke e vështirësuar ndërhyrjen e qeverisë.

Në Shqipëri konsumatorët po përballen me barrë të rëndë të çmimeve të ujit të paketuar, pasi ai që vjen nga rubineti së paku në Tiranë dhe qytetet kryesore nuk është i konsumueshëm. Paketimet 1.5 litër apo më shumë aktualisht shiten në markete edhe me çmime më të larta se ne Europë

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0