Sipërmarrësi Halit Avdiaj furnizon të gjithë Europën me bimë mjekësore - Business Magazine Albania

Sipërmarrësi Halit Avdiaj furnizon të gjithë Europën me bimë mjekësore


Halit Avdiaj ka mbjellë në komunën e Istogut rreth 180 hektarë sipërfaqe të tokës me bimë mjekësore. Pothuajse gjithë prodhimin e tij e eksporton në Europë, pasi ka arritur të lidhë kontrata për eksport me kompani gjermane, zvicerane, austriake dhe çeke.

Pas 15 vjetësh pune në Zvicër Halit Avdiaj, nga Istogu, kishte vendosur të kthehet në vendlindje për të investuar në bujqësi.

Në Kosovën e sapo dalë nga lufta, Avdiaj në vitin 2002 themelon kompaninë për grumbullimin e bimëve mjekësore “Agro Product”.

Në fillim nisi punën si biznes i vogël familjar ndërsa sot kompania e tij ka arritur të punësojë 53 punëtorë në Istog, si dhe ka arritur të hapë 53 pika të grumbullimit të bimëve mjekësore në të gjithë Kosovën.

Ai tregon se gjatë verës numri i punëtorëve të angazhuar nga kompania e tij arrin në 200, derisa indirekt nga shitja dhe kultivimi i bimëve mjekësore në gjithë Kosovën përfitojnë më shumë se 3000 familje.

Avdiaj thotë se në fillim punën e nisi me përkrahjen e disa shoqatave ndërkombëtare, derisa biznesin ka arritur ta zhvillojë përmes kredive bankare.

“Në vitin 2002 nisëm punën si kompani e vogël familjare për grumbullimin e bimëve mjekësore. Kemi menduar të punojmë vetëm në Istog, nuk kemi pasur pretendime që të shtrihemi në gjithë Kosovën, por falë një angazhimi të madh, falë përkrahjes së shoqatave ndërkombëtare dhe së fundmi falë mbështetjes financiare nga banka ‘ProCredit” ne tashmë jemi këtu ku jemi”, ka thënë ai.

 500 mijë euro kredi në “ProCredit Bank”

Avdiaj tregon se në vitin 2005 për ta rritur biznesin e tij kishte marrë një kredi prej 50 mijë eurosh në “ProCredit Bank”, derisa aktualisht për ta zhvilluar dhe për ta modernizuar biznesin thotë se ka marrë një kredi prej 500 mijë eurosh, si dhe rreth 400 mijë euro në formë over-drafti (mbi tërheqje).

“Sikur të mos kisha mbështetjen e bankës në fjalë unë sot nuk do të isha këtu, pasi për të zhvilluar këtë biznes duhet para të mëdha. Është banka e parë që neve na ka kuptuar dhe na ka ndihmuar që ta zhvillojmë biznesin. Ta zëmë një bimë kultivohet brenda 2 javësh dhe për ta grumbulluar atë dhe për t’i paguar fermerët të duhen mbi 200 mijë euro, nëse mjetet nuk i ke në dispozicion e humb mundësinë sepse kalon sezoni”, tregon Avdiaj.

Pronari i kompanisë “Agro Product” tregon se kur kishte marrë kredinë e parë në vitin 2005 norma e interesit në kredi kishte qenë mbi 16%, derisa, siç tregon ai, kredinë e fundit e ka marrë me normë interesi prej 6% apo 10% më të ulët në raport me kredinë paraprake.

Eksporton në Gjermani, në Zvicër, …

Avdiaj kujton kohën kur ka hapur kompaninë dhe ka filluar të kultivojë vetëm katër bimë mjekësore, ndërsa aktualisht kultivon 42 lloje të bimëve mjekësore dhe i grumbullon nga fermerët edhe 75 lloje të tjera të bimëve.

Ai më tutje tregon se vetëm në komunën e Istogut aktualisht kanë të mbjella rreth 180 hektarë me bimë mjekësore, derisa nëpër komuna të tjera të Kosovës ai thotë se fermerët kanë të mbjella edhe 212 hektarë të tjerë.

“Ne falë cilësisë së lartë të prodhimit, i cili është 100%  bio kemi arritur të depërtojmë fuqishëm në tregun europian. Aktualisht më shumë se 95 % e prodhimeve tona shkojnë në tregun europian. Kemi kontrata 5-vjeçare. Momentalisht kemi 12 kontrata me kompani gjermane, 2 kontrata me kompani zvicerane, 1 kontratë me një kompani austriake, si dhe 1 kontratë me një kompani çeke. Jemi kompania më e fuqishme në rajon për grumbullim dhe kultivim të bimëve mjekësore”, ka treguar më tutje Avdiaj

15 hektarë të mbjella me shafran

Avdiaj më tutje tregon se nga viti në vit në vendin tonë janë duke u rritur sipërfaqet e mbjella me bimë mjekësore. Ai tregon se lulja e kamomilit është bima që më së shumti kultivohet nga fermerët kosovarë. Por, siç thotë ai, së fundmi janë duke u rritur sipërfaqet edhe me bimë mjekësore që janë me çmime shumë më të shtrenjta siç është shafrani.

“Aktualisht me shafran janë të mbjella 15 hektarë. Por sipërfaqet po rriten në vazhdimësi. Në vitin e parë nga një hektar të mbjellë mund të nxjerrësh vetëm 1 kilogram shafran, i cili kushton 3000 euro. Pastaj për çdo vit deri në vitin e pestë të kultivimit rendimentet rriten tre kilogramë për hektar”, tregon biznesmeni Avdiaj.

burimi: zeri.info

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0