Historia e shqiptarit që ka arritur majat e suksesit në Itali - Business Magazine Albania

Historia e shqiptarit që ka arritur majat e suksesit në Itali


E përditshmja italiane Corriere.it, i ka dedikuar një shkrim shqiptarit Agron Shehaj, ku nga emigrant në moshën 13 vjeçare drejt Italisë, ka arritur sot majat e suksesit dhe konsiderohet si “mbreti” i Call Center.

“Jam unë, kur isha 13 vjeç. Fotoja është e Guido Perinit, një fotograf vendas i cili ndodhej aty për të dokumentuar mbërritjen e emigrantëve shqiptarë”, thotë Agron Shehaj.

Afër çerek shekulli më pas, pasi zbarkoi me familjen nga Vlora, ai është bërë një nga “padronët” e Call Center në Europë.

Intercom Data Service (IDS) ka 15 zyra në Shqipëri, më shumë se 3,000 të punësuar, në masën më të madhe shqiptarë, ndonjë prej tyre italianë dhe anglezë. Ai llogarit një xhiro vjetore rreth 20 milionë euro, me seli qendrore në zonën e ish-Bllokut.

Zbarkimi në Brindisi

Ai tregon se i përket valës së parë të emigrantëve shqiptarë.

“Zbarkova në Brindisi pas një udhëtimi të gjatë në një anije ushtarake shqiptare”, kujton ai.

“Tentuam të hyjmë përmes ambasadës italiane në Tiranë për të kërkuar azil politik, por atë ditë zyra ishte e mbyllur. U kthyen në Vlorë, pritëm rastin më të mirë. Në udhëtim ishin unë, mamaja, babai, vëllai i vogël dhe qindra bashkatdhetarë të tjerë. Një udhëtim i gjatë, por ne fëmijët na vendosën që të flinim. U zgjova nga zhurma e helikopterit mbi kokë dhe nga bankina e portit të Brindisit. Pak orë më pas unë dhe familja ime hipëm në një tren që do të na çonte drejt veriut të Italisë. Na zbritën në Monguelfo dhe mikpritja ishte e jashtëzakonshme, banorët e zonës na ofronin ushqime e veshje. Pak ditë më vonë një zotëri na ndaloi në rrugë dhe mua dhe vëllait na dhuroi një biçikletë”.

E kundërta e Shqipërisë

“Një parajsë! Kishte rregull që ne nuk e kishim parë kurrë, çdo gjë ishte e bukur dhe e kuruar. Krejt e kundërta e Shqipërisë”, tregon ai përballjen e parë me vendin e huaj, duke shtuar se pas tre muajsh familja e tij u transferua në Bolzano.

Nga aty, shqiptari shkoi ne Firence ku nisi të studionte për ekonomi dhe tregti në universitet.

Teksa shqyrtonte mundësitë e punësimit tregon se i lindi edhe ideja gjeniale për hapjen e Call Center.

“Shqiptarët flasin italisht, kostoja e punës ishte e ulët përse të mos ofronim këtë shërbim për sipërmarrjet që ndodheshin përtej Adriatikut? Lindi kështu në nëntor 2005, IDS, kompania që futi në
krizë sektorin në Itali”, tregon ai.

Ai thotë se ka kufizime, pavarësisht arritjeve.

“Linjat e mia telefonike nuk duhet të ofrojnë shërbime që dëmtojnë njerëzit. Si rrjedhim nuk do të kishte shërbime që mund të ofronin shërbime të ndaluara për të miturit, kumar, investime në financa të rrezikshme, lexim letrash etj”.

Ai shton se vendi ka bërë progres, por i pyetur nëse ka joshje drejt politikës, është i prerë. “Jo, faleminderit” dhe nënvizon se shërben me mirë duke hapur vende pune.

Ai ka dy fëmijë dhe ka grua një shqiptare, që ende nuk e ka marrë pasaportën italiane.

Tregon se në familje flitet shqip.

“Fëmijët kanë lindur në Itali, gjuha e tyre kryesore është italishtja, por duhet të mësojnë edhe gjuhën e prindërve. Origjina nuk duhet harruar kurrë”, thotë ai.

Burimi: telegrafi.com 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0