Ligji i miratuar të enjten në parlament nga mazhoranca për anëtarësimin e detyrueshëm të të gjitha bizneseve pranë dhomave të tregtisë është një nga absurdet që mund të jetë votuar ndonjëherë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Kështu e konsiderojnë atë vetë dhomat e huaja të tregtisë në vend.
Ligji e bën të detyrueshëm anëtarësimin e bizneseve pranë këtyre dhomave kundrejt pagesave vjetore që shkojnë deri në 1 milionë lekë të vjetra.
Dhoma Amerikane thotë se anëtarësimi me detyrim i subjekteve është jo vetëm i pakuptimtë, por s’është gjë tjetër veçse një taksë e re që u vihet bizneseve për të paguar dhomat e tregtisë, pavarësisht shërbimit që marrin. Kjo kosto, sipas Presidentit të Dhomës Amerikane, Marc Crowford do të faturohet direkt nga bizneset tek konsumatorët.
Përveç këtij absurdi Dhoma Amerikane thotë se ligji ka mangësi, sepse nuk ka përcaktuar qartë çfarë i pret bizneset që nuk pranojnë të anëtarësohen, të cilat mund të jenë penalitete të fshehura.
Shqetësim tjetër i Dhomës Amerikane, që ka të anëtarësuar në mënyrë vullnetare mbi 230 anëtarë, është fakti që këto para që do të marrin, dhomat e tregtisë mund t’i përdorin për të lobuar edhe për çështje për të cilat bizneset anëtarë janë kundër.
Edhe Dhoma Britanike, në një qëndrim zyrtar thotë se “Anëtarësimi i detyruar është një kosto ekstra ndaj komunitetit të biznesit, ku në këmbim nuk do të përfitojë asgjë përveç “trashjes” të strukturave të tyre drejtuese. Modeli Gjerman-Italian nuk mund të krahasohet me gjobvënësit e rinj, siç do të jenë dhomat në të gjithë territorin e Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
Nuk kuptohet arsyeja përse u miratua një ligj i tillë, kur edhe vetë dhomat e tregtisë, që mendohet se do të përfitojnë prej tij, janë kundër.
Me ligjin e vitit 2008, regjistrimi në këto dhoma ka qenë vullnetar. Bizneset mund të bëheshin anëtare duke paguar kuotat vjetore, nëse konsideronin se anëtarësimi mund të ishte i vlefshëm për zhvillimin e tyre.
Por tani, me ligjin e miratuar këtë të enjte, të gjithë bizneset do të jenë të detyruar të jenë anëtarë të dhomave të tregtisë, pavarësisht nëse këto dhoma i përfaqësojnë apo jo interesa e tyre në mënyrë të drejtë dhe pavarësisht faktit se politikat e këtyre dhomave mund të shkojnë në kundërshtim sa idetë zhvillimore të këtyre bizneseve. Nga ky ligj pritet të preken afro 195 558 biznese aktive në Shqipëri.
burimi: lapsi.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.