Kompania Lear Corp, e cila kërkoi të hynte në Shqipëri, hap fabrikën e saj në Maqedoni - Business Magazine Albania

Kompania Lear Corp, e cila kërkoi të hynte në Shqipëri, hap fabrikën e saj në Maqedoni


Maqedonia fiton garën rajonale edhe për një tjetër kompani, pas Johnson Control dhe Capcon…

Kompania amerikane Lear Corporation ka hapur fabrikën e saj të parë në Zonën Industriale të Tetovës në Maqedoni dhe të dytën në vend, pas asaj të Gostivarit që ka 300 të punësuar.

Prodhuesi amerikan i tekstileve në industrinë e automobilave ka investuar 15 milionë euro në këtë fabrikë dhe fillimisht ka punësuar 520 persona, ndërsa synon të punësojë deri në 3,000 persona.

Lear Corporation është një nga kompanitë që ka shfaqur interes për të hyrë edhe në tregun shqiptar, por më pas vendosi të hyjë në Maqedoni, ndonëse Shqipëria ka pozicion më të favorshëm gjeografik. Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore në Shqipëri, por edhe tërheqja e zonave të lira industriale në Maqedoni duken arsyet kryesore që e bindën Lear Corporation të investonte në shtetin fqinjë. Edhe dy kompani të tjera, Johnson Control dhe Capcon, që punojnë për industrinë mbështetëse të makinave, ndonëse kanë parë me interes edhe Shqipërinë, kanë zgjedhur Maqedoninë për investimet e tyre.

Konkurrenca në rajon është pranuar dhe nga zyrtarë të lartë maqedonas.

“Për Tetovën, kjo është një ditë historike, por edhe për të gjithë rajonin e Pollogut. Ne ishim në konkurrencë me vende të tjera për të tërhequr këtë investim dhe për ta sjellë këtu kompaninë amerikane. Ne jemi shumë optimistë për planet që ka kompania për të arritur së shpejti maksimumin e kapacitetit të punonjësve, mes 2,500 – 3,000”, tha Vele Samak, një nga ministrat e qeverisë i ngarkuar për Lehtësimin dhe Hyrjen e Investitorëve të Huaj.

Fabrika e re e ndërtuar në Zonën Industriale të Tetovës ka sipërfaqe prej 12,0000 metër katrorë dhe mundësi për të punësuar 2,00 persona. Në të janë të instaluar pajisjet më të fundit të teknologjisë. Një zgjerim i mundshëm do ta rriste numrin e punëtorëve në rreth 3,000.

Përfaqësuesi i Lear, Sven Damm, tha se kompania parashikon të prodhojë tekstile në vlerë totale nga 40-50 mln euro në fabrikën në Tetovë, që do të shkojnë për disa makina të markave të mirënjohura, si Jaguar dhe Land Rover.

“Lear është një markë që nënkupton perfeksionizëm. Ne presim që këtë ta zbatojmë edhe këtu në Tetovë”, tha Damm.

Zyrtarët e lartë që morën pjesë në ceremoninë e përurimit ishin presidenti i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, dhe presidenti i DUI, Ali Ahmeti. Gruevski tha se hapja e kësaj fabrike do të ndikojë në të gjithë rajonin, duke mbështetur mijëra familje.

“Hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimi i ekonomisë është ajo çka zgjidh problemet e qytetarëve. Ky është një investim shumë i rëndësishëm në kohën e një krize të vështirë politike. Kjo provon se ne nuk ndalemi për të bërë të mundur krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Gruevski.

Kompania me qendër në Miçigan ka marrëveshje me më shumë se 350 shtëpi prodhimi makinash dhe ka të punësuar 140,000 persona në 36 shtete. Në listën e Fortune 500 renditet e 154-a.

 

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0