Banka e Shqipërisë deklaroi se rritja e çmimeve do të mbetet e dobët edhe për vitin e ardhshëm. Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, guvenratori Gent Sejko listoi arsyet që e çojnë bankën në këtë parashikim.
“Banka e Shqipërisë gjykon se hendeku negativ i prodhimit dhe çmimet e ulëta në tregjet botërore do të vazhdojnë të jenë të pranishme përgjatë një horizonti kohor afatshkurtër. Efekti rënës i tyre në inflacion do të kompensojë efektin rritës të çmimeve të larta të produkteve ushqimore. Për rrjedhojë, inflacioni mesatar për vitin 2016 pritet të luhatet rreth nivelit 2.3%. Më tej, inflacioni parashikohet të ndjekë një tendencë rritëse dhe të kthehet në objektivin tonë prej 3% rreth fillimit të vitit 2018”, tha Sejko.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.75 përqind, duke paralajmëruar se politika monetare do të mbetet lehtësuese edhe vitin që vjen për të mbështetur rigjallërimin e kredisë.
“Mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit në mbledhjen e sotme krijon më shumë hapësirë për përcjelljen e plotë të stimulit monetar të dhënë gjatë vitit 2015 në tregjet financiare dhe në ekonomi. Duke u nisur nga informacioni i disponuar, si dhe në bazë të vlerësimeve e parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të jetë lehtësuese edhe përgjatë vitit 2016”, u shpreh Sejko.
Por guvernatori tha se rigjallërimi i kredisë dhe rritjes ekonomike nuk varet vetëm nga politikat e Bankës së Shqipërisë, por kërkojnë dhe kontributin e Qeverisë.
“Rritja e kredisë pritet të mbetet e moderuar në afat të shkurtër dhe të forcohet gradualisht gjatë vitit të ardhshëm. Përmirësimi i pritur i aktivitetit ekonomik në vend dhe efekti i masave për reduktimin e kredive me probleme do të mbështesin rritjen e kërkesës për kredi dhe gatishmërinë e bankave për të akomoduar këtë kërkesë. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës rithekson se rritja ekonomike dhe përshpejtimi i kreditimit duhet të mbështeten nga vazhdimi i reformave strukturore dhe nga përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit”, deklaroi Guvernatori.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike për këtë vit do të luhatet nga 2.5 deri në 2.7 përqind, ndërsa vitin e ardhshëm ajo pritet të përshpejtohet në mbi 3 përqind.
/Top-Channel/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.