Nëse po përpiqesh të shmangësh ushqimet e pashëndetshme, instinktivisht mendon se duhet t’i largohesh çdo tundimi, sidomos fotove apo videove që t’i sjellin para syve. Por një studim i publikuar në Computers in Human Behavior sugjeron pikërisht të kundërtën: shikimi i këtyre ushqimeve mund të të ndihmojë ta kontrollosh dëshirën për t’i konsumuar.
Studiuesit zbuluan se kur njerëzit shohin foto apo video të ushqimeve shumë kalorike dhe “të ndaluara”, truri merr një lloj kënaqësie vetëm nga pamja, pa qenë nevoja t’i konsumojë ato. Ky efekt lidhet me një fenomen të quajtur “ngopje ndër-sensore”, ku vetëm shikimi i ushqimit e ul disi dëshirën për ta ngrënë, edhe pse trupi fizikisht mund të jetë ende i uritur.
Në studim u analizua reagimi i pjesëmarrësve pasi panë video ushqimi online, ku disa përmbanin ushqime të shëndetshme dhe të tjera shumë kalorike. Personat që ishin në dietë kalonin më shumë kohë duke parë ushqime të pashëndetshme, duke klikuar më shpesh mbi to. Në pamje të parë, kjo duket si një mënyrë për të sabotuar veten, por rezultatet treguan diçka interesante.
Lexo edhe: Trendi i ri! Gratë e Gen Z po fiksohen pas rolit “tradwife”
Kur njerëzit përpiqen të shtypin dëshirën për ushqime të yndyrshme, kjo dëshirë shpesh rikthehet edhe më e fortë. Pra, sa më shumë t’i thuash vetes “nuk dua ta ha këtë”, aq më shumë e dëshiron. Ndërkohë, në kushte laboratorike, ata që panë më shumë përmbajtje me ushqime të tilla konsumuan më pak çokollatë kur iu dha mundësia dhe raportuan se ndiheshin më pak të uritur. Kjo tregon se ekspozimi vizual mund të zbusë dëshirën reale.
Megjithatë, ky efekt nuk u vu re në të njëjtën mënyrë për ushqimet e shëndetshme dhe nuk funksionoi për të gjithë pjesëmarrësit. Ai ishte më i dukshëm tek personat që përpiqeshin aktivisht të kufizonin ushqimin dhe që zakonisht përpiqeshin t’i largonin mendimet për ushqimin. Për ta, përballja me këto imazhe funksiononte si një “valvul çlirimi”, jo si tundim.
Studimi ka kufizime, pasi analizon vetëm efektet afatshkurtra dhe është fokusuar kryesisht te çokollata, në një mjedis të kontrolluar laboratorik. Në jetën reale, shumë faktorë të tjerë ndikojnë në mënyrën si ushqehemi dhe këto mund të ndryshojnë rezultatet.
Gjithsesi, një gjë bëhet e qartë: ndoshta termi “food porn” nuk është thjesht metaforë, por një përshkrim më i saktë sesa kemi menduar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto