Dita e Tokës 2026, ekonomia e gjelbër nuk është më zgjedhje, por kusht! - Business Magazine Albania

Dita e Tokës 2026, ekonomia e gjelbër nuk është më zgjedhje, por kusht!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Fatima Gorezi – 22 Prilli është Dita Ndërkombëtare e Tokës. Slogani për këtë vit: “Fuqia jonë, planeti ynë” nuk është slogan vetëm optimist. Është  edhe një deklaratë politike. Progresi mjedisor nuk varet nga asnjë administatë apo zgjedhje e vetme. Ai ndërtohet nga veprimet e përditshme të komuniteteve, edukatorëve, bizneseve dhe familjeve. Ai ndërtohet  ose rrënohet nga zgjedhjet tona, të vogla e të mëdha, çdo ditë.

Shifrat e 2025-ës e bëjnë të pamundur çdo qetësi të rreme sa i takon asaj se çfarë po ndodh me mjedisin. Viti i kaluar ishte i treti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Tre vjet rresht 2023, 2024, 2025  kanë mesataren e temperaturës globale mbi 1.5°C sipër niveleve para-industriale. Kjo është hera e parë në histori që tre vite rresht të tejkalojnë atë kufi, pikërisht atë kufi që ”Marrëveshja e Parisit” u betua ta mbrojë. Emetimet e CO₂ nga lëndët fosile arritën rekord të ri: 38.1 miliardë tonë. Përqendrimi i CO₂ në atmosferë ka arritur 425.7 ppm, 52% mbi nivelet para-industriale dhe niveli më i lartë në të paktën 800,000 vjet histori njerëzore.

Shqipëria ka bërë hapa ligjorë në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, diktuar kjo edhe nga direktivat dhe rekomandimet specifike për përmbushjen e objetivave për anëtarësimin në BE. Tranzicioni i gjelbër i ekonomisë sonë është i mbështetur nga angazhimet ndërkombëtare si Marrëveshja e Parisit, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor,

Ligji nr. 57/2025 “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” solli konceptin e ekonomisë qarkulluese si parim bazë ligjor dhe vendosi hierarkinë e mbetjeve sipas standardeve europiane: parandalim, ripërdorim, riciklim, rikuperim dhe, vetëm në fund, asgjësim. Mbi të, Ligji për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (EPR), i miratuar pak kohë më parë,  njëri nga ndryshimet më strukturore në kuadrin mjedisor të vendit  detyron prodhuesit dhe importuesit të mbulojnë koston e plotë të menaxhimit të mbetjeve të produkteve të tyre: ambalazhit, baterive, pajisjeve elektronike, automjeteve. Çdo shishe plastike, çdo ambalazh, çdo bateri e hedhur  dikush do të paguajë. Ligji thotë se ai dikush është ai që e ka hedhur atë produkt në treg.

Ky është zhvillim i rëndësishëm. Ai e kalon barrën nga qytetari si individ tek sistemi ekonomik  dhe kjo është qasja e duhur. Por ligji është vetëm fillimi. Sepse në Shqipëri ende ekziston një hendek i dukshëm midis ligjit dhe kulturës. Shikoni çdo rrugë jashtë qendrave të mëdha urbane: mbetje të hedhura në anë, lumenj të ndotur, tokat bujqësore që shërbejnë si vend-depozitim informal.

Lexo edhe: Zhvillimi personal nuk është më motivim, është infrastrukturë!

Kjo nuk është dështim ligjor  është dështim kulturor dhe institucional. Është produkt i dekadave ku mjedisi nuk kishte zë, ku gjoba nuk zbatohej, ku fëmija nuk mësonte në klasë pse NUK duhet të hidhet asgjë jashtë dritares. Ekonomia e gjelbër nuk ndërtohet vetëm me ligje. Ndërtohet me sjellje. Dhe ndryshimi i sjelljes kërkon diçka shumë më të vështirë se votim parlamentar: kërkon edukim, zbatim dhe vite konsistencë.

Edhe ndërkohë që disa qeveri bëjnë hapa prapa nga angazhimet klimatike, dinamika globale e ekonomisë po ndryshon. Energjia e rinovueshme ishte burimi që prodhoi gati 50% të energjisë elektrike të Europës në 2024. Çmimet e paneleve fotovoltaike kanë rënë mbi 90% në dhjetë vjet. Investimet në teknologji të gjelbër po tejkalojnë ato në lëndë djegëse fosile.
Ballkani Perëndimor mbetet i vonuar, por po lëviz. Korniza EPR është e dobët në rajon ndërkohë që BE kërkon zbatim të plotë nga vendet anëtare deri në 2027-2028. Për Shqipërinë, kjo nuk është çështje vetëm ambientale, por është çështje aksesi në tregun europian. Bizneset shqiptare që eksportojnë do të përballen gjithnjë e më shumë me barriera karboni dhe kërkesat e gjurmueshmërisë mjedisore. Të pagatshme, ato do ta humbasin garën.

“Fuqia është e jona”.  Por çfarë bëjmë me të? Dita e Tokës 2026 na kujton se progresi mjedisor nuk pret administrata të duhura. Ai ndodh kur sistemi ligjor funksionon, kur biznesi e kupton se qëndrueshmëria nuk është kosto, por edhe është investim, dhe kur qytetari vendos të mos hedhë asgjë në rrugë jo sepse ka frikë nga gjoba, por sepse e ka kuptuar se toka nën këmbët tona nuk i takon askujt tjetër veçse atij brezit që vjen pas. Shqipëria ka ligjin. Ka angazhimin europian. I mungon ende ura e ndërmjetme: kultura, zbatimi, edukimi. Ndërtimi i asaj ure është puna jonë. Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër … jo vetëm më 22 prill.

Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0