Shqipëria në epokën Gigabit, ligji që synon t'i japë fund kaosit kabllor - Business Magazine Albania

Shqipëria në epokën Gigabit, ligji që synon t’i japë fund kaosit kabllor

Kur flet për infrastrukturën digjitale, shpesh rrezikon të humbasësh lexuesin pas rreshtit të parë. Terma si “VHCN”, “fiber optike” dhe “pikë aksesi në godinë” duken teknike, të largëta, të rezervuara për inxhinierë. Por projektligji që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur për konsultim publik pak ditë më parë “Për masat për zvogëlimin e kostove të ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta . Akti i Infrastrukturës Gigabit” nuk është thjesht një dokument teknik. Është ndoshta një nga vendimet me impakt më të gjerë ekonomik që Shqipëria do të marrë në këtë dekadë.

Projektligji synon të transpozojë Rregulloren (BE) 2024/1309, të njohur si Akti i Infrastrukturës Gigabit, dhe të zëvendësojë ligjin ekzistues nr. 120/2016. Në thelb, ai nuk flet vetëm për kabllo. Ai flet për mënyrën si ndërtohet, aksesohet dhe ndahet infrastruktura fizike midis operatorëve dhe sektorit publik, me qëllim të vetëm: uljen e kostove dhe rritjen e shpejtësisë së rrjeteve të kapaciteteve të larta deri tek çdo qytetar, çdo biznes, çdo cep të Shqipërisë.

Çfarë ndryshon konkretisht?

Ndryshimet janë strukturore dhe shumëdimensionale. Së pari, çdo operator rrjeti, qoftë telekomunikacion, energji, ujësjellës apo transport detyrohet të hapë infrastrukturën e tij fizike (tuba, kanale, shtyllа) për operatorët e komunikimeve elektronike, me kushte të drejta dhe transparente. Ky bashkëpërdorim eliminon dublicitetin e gërmimeve dhe punimeve civile, i cili sipas ekspertëve të sektorit, përbën deri në 70-80% të kostos totale të shtrirjes së rrjeteve me fibër optike.

Së dyti, ligji vendos detyrimin e ri dhe të rëndësishëm: çdo ndërtim i ri, dhe çdo ndërtim që i nënshtrohet rinovimeve të mëdha pas datës 1 korrik 2028, duhet të jetë i pajisur me infrastrukturë të gatshme për fibra optike deri tek përdoruesi fundor. Kjo do të thotë se, shumë shpejt, çdo apartament i ri i shitur në Tiranë, Vlorë , Shkodër apo kudo në Shqipëri  do të ketë  si standard ligjor infrastrukturën e brendshme të nevojshme për lidhje gigabit. Nuk do të jetë më privilegj; do të jetë normë.

Lexo edhe: A është gati Shqipëria për standardet europiane të ushqimit?

Së treti, projektligji krijon një “Sistem të Përqendruar të Informacionit”, një portal GIS i administruar nga AKEP  që do të publikojë të dhëna për të gjithë infrastrukturën e komunikimeve elektronike të vendit. Kjo transparencë eliminon asimetrinë e informacionit, mundëson planifikim më të mirë të punimeve publike dhe private, dhe ul kostot administrative.

Më shumë sesa kabllo, rëndësia e impaktit ekonomik

Nuk duhet gabuar perspektiva: ky projektligj është para së gjithash një reformë ekonomike. Akti Europian i Infrastrukturës Gigabit synon rritjen e konkurrencës së bizneseve europiane duke u ofruar atyre infrastrukturën e nevojshme për të inovuar dhe zgjeruar veprimtarinë, si dhe duke tërhequr investime në sektorët digjitalë. Të njëjtat efekte priten edhe në Shqipëri.

Rrjetet gigabit janë infrastruktura mbi të cilën ndërtohet ekonomia moderne: tele-shërbimi, tregtia elektronike, prodhimi inteligjent, shëndetësia digjitale, arsimi online. Rrjetet me kapacitet shumë të lartë mundësojnë shfrytëzimin e Internetit të Gjërave, teknologjive makinë-makinë, kompjuterizimit në re dhe big data. Për Shqipërinë, një vend me popullsi të re dhe me rritje të sektorit të shërbimeve, kjo infrastrukturë është kusht bazë i konkurrueshmërisë, parë kjo edhe në perspektivën evropiane.

Për sipërmarrjet shqiptare, e sidomos për ato të mesme dhe të vogla jashtë Tiranës, qasja në internet me kapacitet të lartë mund të jetë dallimi midis stagnimit dhe rritjes. Detyrimi i koordinimit të punimeve civile pra, gërmimi një herë dhe vendosja e infrastrukturës njëkohësisht është mënyra më pragmatike për të ulur koston dhe kohën e shpërndarjes kombëtare.

Për tregun e pasurive të paluajtshme, detyrimet e reja për ndërtimet e reja sjellin një shtresë shtesë vlere. Ndërtesat e pajisura me pikë aksesi gigabit dhe me etiketën “Gati për fibra” do të jenë produkte më konkurruese në treg,  një faktor vlerësimi real për blerësit dhe investitorët.

Rajoni dhe Europa, a jemi në ritmin e tyre

Projektligji nuk po ”lind”  në vakuum. Ai është pjesë e një gare rajonale dhe kontinentale ku ritmi i transformimit digjital ka ndarë vendet në dy kategori: ato që po ndërtojnë të ardhmen dhe ato që po humbasin trenin.

Ballkani Perëndimor ka bërë investime të konsiderueshme për të mbyllur hendekun me BE-në në infrastrukturën digjitale, duke arritur konvergjencë në penetrimin e telefonisë celulare. Por hendeku mbetet i dukshëm në zhvillimin e rrjeteve me shpejtësi të lartë teksa shpejtësia mesatare e brezit të gjerë në rajon është nën 50% të mesatares së BE-së.

Penetrimi i internetit fiks në rajon zbulon pabarazi të theksuara rurale-urbane, me hendek prej 25 pikësh përqindjeje mes zonave urbane dhe rurale të Shqipërisë, një nga diferencat më të mëdha në rajon. Ky hendek nuk është thjesht teknik; ai pasqyron pabarazi ekonomike dhe sociale me pasoja të matshme.

Ndërkohë, BE-ja ka kaluar tashmë në hapin tjetër. Akti Europian i Infrastrukturës Gigabit ka hyrë plotësisht në fuqi që nga 12 nëntori 2025. Shtetet anëtare e zbatojnë tashmë, me planin e punës 2026-2027 të Rrjetit të Zyrave Europiane të Kompetencës për Brezin e Gjerë duke u fokusuar në tema kyçe nga Akti i Rrjeteve Digjitale dhe Akti i Infrastrukturës Gigabit deri tek 5G, siguria dhe rezilienca.

Shqipëria ka pranuar haptas se transpozimi i rregullores europiane është detyrim i Planit Kombëtar të Integrimit Europian 2025-2027, dhe se miratimi i këtij ligji është piketa përmbyllëse e Kapitullit 10 “Shoqëria e Informacionit dhe Media”,  një kapitull kyç në rrugën drejt anëtarësimit.

Ndërkaq, rajoni po lëviz. Në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, Komisioni Europian, GÉANT dhe grupi 4iG nënshkruan një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e kabllos nënujore EAGLE (Egypt-Albania Gateway Link to Europe) që lidh Shqipërinë me Egjiptin, si dhe zhvillimin e një korridori dixhital rajonal tokësor. Investimet e kombinuara do të krijojnë një korridor digjital të ri që lidh Ballkanin Perëndimor me qendrat kryesore të të dhënave europiane.

Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik dhe angazhimeve të fundit europiane, ka potencialin të bëhet nyje lidhëse digjitale e rajonit,  por vetëm nëse korniza ligjore brendshme është gati për ta mbështetur këtë rol.

Pyetja e vërtetë: Vullneti pas ligjit?

Projektligji është i domosdoshëm. Pyetja e vërtetë nuk është nëse duhet miratuar, por si dhe sa shpejt do të zbatohet në mënyrë efektive.

Sfida e parë është institucionale. Ligji i ngarkon AKEP-it detyra të konsiderueshme, nga administrimi i sistemit GIS, tek zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis operatorëve dhe organeve publike, tek inspektimi teknik i ndërtesave. AKEP ka treguar kapacitet rregullator, por ngarkesa e re kërkon burime njerëzore, teknike dhe financiare shtesë.

Sfida e dytë është bashkëpunimi ndërinstitucional. Ligji prek njëkohësisht bashkitë, ministritë e linjës, operatorët e ujësjellësve, të energjisë, të rrugëve. Koordinimi i tyre nuk është gjithmonë i lehtë në praktikë. Kufijtë e kompetencave janë shpesh burim ngecjesh burokratike.

Sfida e tretë lidhet me zbatimin rural. Detyrimet ligjore funksionojnë mirë ku tregu ka stimuj. Për zonat rurale të Shqipërisë, ku 83% e popullsisë tashmë përdor internet, por ku boshllëku infrastrukturor vazhdon, ligji i vetëm nuk mjafton pa mbështetje financiare publike dhe skema të ndihmës shtetërore.

Pavarësisht, drejtimi është i qartë dhe i pashmangshëm. Çdo vit vonesë ka kosto ekonomike reale, e bizneseve që s’investojnë, shërbimeve publike që nuk digjitalizohen, talenteve që emigrojnë drejt vendeve me lidhje më të mirë. Ky projektligj, nëse zbatohet me seriozitet, mund të jetë hapi ligjor me impaktin afatgjatë më të madh për ekonominë digjitale shqiptare të kësaj dekade. Nuk është vetëm infrastrukturë. Është arkitektura mbi të cilën ndërtohet i gjithë vendi digjital.

Shënim: Projektligji është aktualisht në fazën e konsultimit publik. Qytetarët, ekspertët dhe bizneset mund të paraqesin komentet e tyre pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. /Businessmag

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0