Ka dy lloje udhëtarësh. Ata që mbërrijnë në aeroport tre orë më herët, kalojnë me qetësi kontrollin e sigurisë dhe shpenzojnë kohën dhe paratë në ushqim e pije brenda terminalit. Dhe ata që testojnë “teorinë e aeroportit”, duke mbërritur në minutën e fundit dhe duke shkuar direkt te porta e imbarkimit.
Grupi i dytë humbet një pjesë të rëndësishme të përvojës së udhëtimit: ushqimin në aeroport, veçanërisht kur aeroporti i tyre renditet mes 10 më të mirëve në botë për gastronomi nga Skytrax.
Platforma e vlerësimit analizon shumëllojshmërinë, cilësinë dhe llojet e pikave të ushqimit në aeroporte, nga kafetë dhe baret te restorantet si dhe raportin cilësi-çmim. Pa surpriza të mëdha, Aeroporti Changi i Singaporit kryeson listën këtë vit (duke u shpallur edhe aeroporti më i mirë në botë për herë të 14-të), por në listë spikasin edhe disa aeroporte europiane.
5. Aeroporti Fiumicino, Romë
Aeroporti më i madh i Italisë renditet në vendin e pestë për ofertën e tij gastronomike. Udhëtarët mund të shijojnë një “lamtumirë” kulinarie italiane përpara fluturimit: nga pizzeria romake 180 Grammi, te pica napolitane Rossopomodoro dhe sanduiçët e famshëm të Firences nga All’Antico Vinaio. Për shije ndërkombëtare ka edhe Ajisen Ramen për kuzhinën japoneze dhe Temakinho për sushi. Ndërsa për pije, Doppio Malto ofron birra artizanale dhe Berlucchi një përzgjedhje verërash italiane.
Lexo gjithashtu: Mos u gënjeni nga shefi ‘chill’, ky stil drejtimi po i bën punonjësit të largohen
6. Aeroporti i Mynihut
Me rreth 60 restorante, kafene dhe bistro, Aeroporti i Mynihut renditet në vendin e gjashtë. Si hyrje drejt Bavarisë, ai vë në qendër kuzhinën dhe kulturën lokale, sidomos birrën. Vizitorët mund të provojnë Backstube Wünsche, birrarinë Airbräu ose Subralott, që fokusohet në ushqim regional dhe të shëndetshëm. Një nga elementët më të veçantë është Cloud 7, një hapësirë që ofron pamje direkte mbi pistat e aeroportit.
8. Aeroporti Heathrow, Londër
Aeroporti më i ngarkuar në Europë ofron një gamë të gjerë opsionesh gastronomike në katër terminalet e tij. Përveç zinxhirëve të njohur britanikë si Leon, Pret dhe Wagamama, pasagjerët mund të zgjedhin përvoja më premium si Fortnum & Mason Bar, Le Café Louis Vuitton dhe Gordon Ramsay’s Plane Food Market.
Për një përvojë më tradicionale londineze, nuk mungojnë pub-et si Wetherspoons apo London’s Pride by Fuller’s, me birrë të prodhuar në Chiswick, vetëm pak kilometra larg aeroportit.
9. Aeroporti i Stambollit
Një ish-fitues i çmimit për gastronominë më të mirë në aeroporte, Aeroporti i Stambollit renditet i nënti këtë vit. Në terminal gjenden rreth 65 koncepte ushqimi, përfshirë Saltbae Burger, Simit Sarayı (i specializuar në bukën tradicionale turke) dhe Pidem me byrekët karakteristikë. Për pije, udhëtarët mund të zgjedhin Bottega Prosecco Bar ose Brewmark Pub.
Të tjerët në top 10
Jashtë Europës, lista plotësohet nga Seoul Incheon (i dyti), Tokyo Haneda (i treti), New Chitose (i katërti), Tokyo Narita (i shtati) dhe Houston George Bush (i dhjeti).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto