Bizneset dhe pronarët e pasurive të paluajtshme për përdorim tregtar kanë sot afatin e fundit për të shlyer këstin e parë të taksës së ndërtesës për vitin në vijim. Bashkia e Tiranës, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, ka rikujtuar se pagesa e këtij kësti përbën 50% të detyrimit total dhe duhet të kryhet brenda datës 20 prill.
Lexo gjithashtu: Shqipëria dhe ”dragoi kinez”, mes kujtesës historike dhe realitetit të investimeve minimale
Mosrespektimi i këtij afati sjell pasoja financiare për subjektet, të cilat nga dita e nesërme do të përballen me kamatëvonesa dhe gjoba, sipas legjislacionit në fuqi.
Skema e pagesës për taksën e ndërtesës mbetet e pandryshuar: gjysma e parë e detyrimit paguhet deri më 20 prill, ndërsa pjesa e mbetur duhet të likuidohet deri më 30 qershor.
Ndërkohë, për detyrime të tjera vendore që lidhen me aktivitetin e bizneseve, afati i pagesës nuk përkon me këtë datë. Sipas ndryshimeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak në korrik 2025, këto detyrime mund të shlyhen deri më 31 maj.
Autoritetet vendore kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e përditësimit të të dhënave nga ana e tatimpaguesve. Çdo ndryshim i ndodhur gjatë vitit të fundit, si xhiroja vjetore, sipërfaqja e përdorur apo vendndodhja e aktivitetit, duhet të reflektohet përmes vetëdeklarimit, në mënyrë që llogaritja e detyrimeve të jetë e saktë.
Ky proces realizohet përmes platformës e-Albania, ku formulari përkatës është i aksesueshëm në seksionin “Dokumentat e mia”. Plotësimi i tij konsiderohet thelbësor për të shmangur pasaktësi dhe penalitete të panevojshme në të ardhmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto