Industria globale e energjisë së erës regjistroi vitin e kaluar një zgjerim historik, duke shtuar 165 gigavat kapacitet të ri të instaluar, një rritje prej 40% krahasuar me vitin 2024. Shtysa kryesore e këtij zgjerimi ka ardhur nga Kina, sipas një raporti të publikuar nga Këshilli Global i Energjisë së Erës.
Ky zhvillim konfirmon rolin gjithnjë e më të madh të burimeve të rinovueshme në sistemin global të energjisë, ku ato tashmë përbëjnë pothuajse gjysmën e kapacitetit total të prodhimit të energjisë elektrike në botë. Rritja vjen në një moment kur tregjet e energjisë po përjetojnë tensione, me çmime të naftës dhe gazit në rritje si pasojë e konflikteve në Lindjen e Mesme, duke nxitur vendet të kërkojnë alternativa më të qëndrueshme.
Zgjerimi i përgjithshëm i energjisë së erës u mbështet kryesisht nga projeket tokësore (onshore), të cilat u rritën me 42% dhe arritën në 155.3 GW kapacitet të ri. Ndërkohë, energjia e erës në det të hapur (offshore) shënoi gjithashtu rritje, ndonëse më modeste, me 18% ose rreth 9 GW të shtuar.
Lexo edhe: Tranzicioni energjetik po ndryshon logjikën e investimeve fosile
Rajoni i Azisë dominoi ndjeshëm zhvillimin global, me Kinën dhe Indinë në krye, duke vënë në punë 131 GW kapacitet të ri, rreth 80% e totalit botëror. Vetë Kina shtoi një rekord prej 120.5 GW, duke konsoliduar pozicionin e saj si tregu kryesor i energjisë së erës në botë. Evropa u rendit e dyta, me 19 GW kapacitet të ri të instaluar gjatë vitit.
Në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht qëndrimeve politike të administratës aktuale ndaj energjisë së erës, u shtuan afro 7 GW kapacitet i ri tokësor. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, kapaciteti global kumulativ i energjisë së erës arriti në rreth 1.3 teravat.
Megjithatë, objektivat afatgjata mbeten sfiduese. Për të arritur qëllimin global për trefishimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme deri në fund të dekadës, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme vlerëson se duhet të instalohen mesatarisht 320 GW energji ere çdo vit.
Sipas projeksioneve ekzistuese të politikave, pritet që deri në vitin 2030 të shtohen gjithsej 969 GW kapacitet i ri, ose mesatarisht 194 GW në vit, nën nivelin e nevojshëm për objektivat ambicioze klimatike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto