Australia ka paralajmëruar platformat e mediave sociale për “mangësi të mëdha” në zbatimin e ndalimit për përdoruesit nën 16 vjeç. Autoriteti për sigurinë online në Australi deklaroi të martën se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore kundër rrjeteve sociale, përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe YouTube, duke i akuzuar se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbajtur larg fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Ligji australian, i hyrë në fuqi në dhjetor, ndalon krijimin dhe mbajtjen e llogarive nga përdorues nën 16 vjeç në këto platforma. Tre muaj pas hyrjes në fuqi të ndalimit, rreth 5 milionë llogari janë çaktivizuar, sipas Komisioneres për Sigurinë Online.
Megjithatë, një numër i konsiderueshëm fëmijësh vazhdojnë të kenë ose të hapin llogari të reja, apo të kalojnë sistemet e verifikimit të moshës në platformat kryesore. Raporti i fundit i përputhshmërisë identifikon “praktika të dobëta”, siç është lejimi i tentativave të pakufizuara për të kaluar kontrollet e moshës.
Sipas autoriteteve, platformat nuk kanë mekanizma efektivë për raportimin e llogarive nën moshë dhe as masa të mjaftueshme për të parandaluar krijimin e tyre.
Komisionerja për Sigurinë Online, Julie Inman Grant, paralajmëroi se kompanitë duhet të respektojnë ligjin, përndryshe do të përballen me pasoja të rënda, përfshirë dëmtimin e reputacionit dhe gjoba që mund të arrijnë deri në 49.5 milionë dollarë australianë.
Autoriteti pritet të vendosë deri në mes të vitit nëse do të nisë procedura ligjore, duke u fokusuar në rastet që tregojnë dështime sistemike.
Nga ana tjetër, ministrja australiane e komunikimeve, Anika Wells, akuzoi platformat se po bëjnë minimumin e mundshëm për të zbatuar ligjin, duke shtuar se Australia është ndër vendet e para që ka ndërmarrë një hap të tillë dhe se kompanitë nuk duan që ky model të funksionojë globalisht.
Kompanitë kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Meta deklaroi se është e angazhuar për zbatimin e ligjit, por theksoi se verifikimi i saktë i moshës mbetet një sfidë për të gjithë industrinë. Snap Inc. njoftoi se ka bllokuar rreth 450 mijë llogari dhe vazhdon këtë proces çdo ditë.
Ndërkohë, CEO i Snapchat, Evan Spiegel, e cilësoi ndalimin si një “eksperiment me rrezik të lartë”, duke argumentuar se ndarja e adoleshentëve nga rrjetet sociale nuk garanton domosdoshmërisht më shumë siguri.
Në një zhvillim paralel, Reddit ka ngritur një padi në Gjykatën e Lartë të Australisë, duke argumentuar se ligji shkel lirinë e komunikimit politik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto