Kompania franceze e inteligjencës artificiale Mistral AI ka siguruar 830 milionë dollarë (rreth 750 milionë euro) për ndërtimin e një qendre të re të dhënash pranë Parisit, në një projekt që synon të forcojë kapacitetet evropiane në infrastrukturën e AI.
Qendra e të dhënave, që do të ndërtohet pranë Bruyères-le-Châtel, do të funksionojë me më shumë se 13,000 çipa të NVIDIA. Këta procesorë do të përdoren për trajnimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale të kompanisë, duke e çuar kapacitetin e përpunimit në 44 megavat (MW).
Ky nivel energjie është rreth një herë e gjysmë më i lartë se ai i një qendre tradicionale të të dhënave, sipas vlerësimeve të International Energy Agency.
Financimi është siguruar përmes kredive nga shtatë banka, një sinjal i qartë besimi ndaj vizionit të kompanisë. “Evropa ka nevojë për një infrastrukturë ambicioze cloud për Inteligjencën Artificiale”, theksoi Mistral AI.
Kompania synon të arrijë një kapacitet total prej 200 megavatësh në Evropë deri vitin e ardhshëm, ekuivalent me dy qendra të mëdha “hyperscale”, të cilat përfaqësojnë nivelin më të lartë të fuqisë kompjuterike.
Muajin e kaluar, Mistral AI njoftoi gjithashtu një investim prej 1.4 miliardë dollarësh në Suedi për zgjerimin e infrastrukturës së AI, duke përfshirë një tjetër qendër të dhënash për kapacitete të avancuara përpunimi.
Në të njëjtën kohë, kompania planifikon ndërtimin e “kampusit më të madh të inteligjencës artificiale në Evropë” në Francë deri në vitin 2030, me një kapacitet deri në 1.4 gigavat (GW), në bashkëpunim me NVIDIA dhe fondin investues MGX.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto