Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis konfirmoi të enjten synimin e qeverisë për të rritur pagën minimale në Greqi në 920 euro, një rritje prej 40 eurosh në muaj krahasuar me rritjen e vitit të kaluar.
Mitsotakis e shpalli këtë rritje, të gjashtën radhazi, gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Athinë, duke thënë se masa do të hyjë në fuqi nga data 1 Prill.
Rritja e fundit e çon qeverinë më afër objektivit të saj për të ngritur pagën minimale në Greqi në 950 euro deri në vitin 2027, nga 650 euro që ishte në vitin e parë të qeverisjes së tyre në 2019.
Duke pasur një ndikim pozitiv edhe në pagat e bazuara në stazh, skalat e pagave të sektorit publik dhe përfitimet, ngritja e pagës minimale në 950 euro pritet ta çojë pagën mesatare deri në objektivin e synuar prej 1.500 eurosh.
Paralelisht, qeveria parashikon edhe një rritje horizontale prej 40 eurosh për të gjithë nëpunësit e sektorit publik.
Nga ana e tyre partitë opozitare dhe sindikatat e konsiderojnë këtë shifër si thërrime përballë rritjes kolosale të çmimeve. Hollësi për kategori të ndryshme punonjësish jepen pas orës 15.30 ora lokale në një konferencë shytpi nga ministrat përkatës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto