Tirana mirëpret për herë të parë takimin e Grupeve të Punës të EBRA-s - Business Magazine Albania

Tirana mirëpret për herë të parë takimin e Grupeve të Punës të EBRA-s

Ministrja Ibrahimaj: Modernizojmë regjistrat e biznesit, në fokus digjitalizimi, transparenca dhe integrimi evropian

Tirana mirëpret për herë të parë takimin e Grupeve të Punës të EBRA-s
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Shqipëria po mirëpret për herë të parë zhvillimin e takimeve të Grupeve të Punës të Shoqatës Evropiane të Regjistrave të Biznesit (EBRA), një aktivitet i rëndësishëm evropian që mbledh ekspertë dhe drejtues të regjistrave të biznesit nga e gjithë Evropa. Takimet zhvillohen në datat 24–25 mars në Tiranë dhe organizohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).

Ky aktivitet përfshin grupet e punës për të drejtën e shoqërive tregtare, të dhënat e hapura dhe pronarët përfitues, duke trajtuar çështje kyçe që lidhen me transparencën, digjitalizimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve të regjistrimit të biznesit në Evropë.

Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj u ndal te progresi i bërë nga Shqipëria sa i përket regjistrimit dhe shërbimeve për bizneset.   “Sot, Shqipëria ofron një sistem tërësisht të digjitalizuar për regjistrimin dhe shërbimet e biznesit. Aplikimet kryhen online, proceset janë të shpejta dhe të standardizuara, ndërsa regjistrimi realizohet brenda 24 orëve.

Ky transformim ka rritur efikasitetin, ka ulur kostot për sipërmarrjen dhe ka forcuar besimin te institucionet. Në të njëjtën kohë, kemi avancuar me reforma të rëndësishme ligjore, në funksion të përafrimit me acquis të Bashkimit Europian.

Punojmë për përmirësimin e kuadrit për pronësinë përfitues, për rritjen e transparencës dhe për garantimin e aksesit në të dhëna të sakta dhe të besueshme. Rezultatet janë konkrete. Shqipëria vlerësohet pozitivisht në indekset ndërkombëtare për efikasitetin administrativ dhe për lehtësinë e të bërit biznes, duke u pozicionuar ndër vendet më të avancuara në rajon në këtë drejtim,” tha znj. Ibrahimaj.

Lexo edhe: A do të marrë fund lufta? Trump i gatshëm për marrëveshje, Irani sfidon

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i QKB-së,z. Etugert Llazi vlerësoi rëndësinë e këtij eventi për institucionin dhe vendin. “Fakti që ky takim zhvillohet për herë të parë në Shqipëri përbën një moment të rëndësishëm dhe një vlerësim konkret për progresin e arritur në zhvillimin e regjistrave të biznesit. Digjitalizimi i proceseve dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave kanë qenë në qendër të transformimit të QKB-së, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve për biznesin.

Ai theksoi se QKB do të modernizojë më tej kuadrin ligjor, duke e përafruar me acquis të BE-së, si edhe do të mbajë një komunikim të hapur me biznesin për të përmirësuar më tej shërbimet dhe për të reduktuar barrën administrative për sipërmarrjen.

Në fokus të diskutimeve gjatë dy ditëve janë temat më të avancuara të zhvillimeve evropiane, përfshirë ndërlidhjen me sistemin BRIS, iniciativat për Portofolin Evropian të Biznesit, si dhe zbatimin e parimit “vetëm njëherë”, që synon reduktimin e burokracisë për bizneset.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu Regjistrit të Pronarëve Përfitues, si një instrument kyç për rritjen e transparencës dhe luftën kundër pastrimit të parave, si dhe për përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë për të prezantuar arritjet në reformimin e regjistrave të biznesit, për të shkëmbyer përvoja me partnerët evropianë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin institucional në funksion të integrimit evropian.

Takimet e EBRA-s pritet të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të standardeve të transparencës, cilësisë së të dhënave dhe shërbimeve ndaj biznesit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor aktiv në rrjetin evropian të regjistrave të biznesit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0