Rituali 60-minutësh që i ndihmon themeluesit të mos lodhen mendërisht - Business Magazine Albania

Rituali 60-minutësh që i ndihmon themeluesit të mos lodhen mendërisht

Rituali 60-minutësh që i ndihmon themeluesit të mos lodhen emocionalisht

Në botën e sipërmarrjes, gjithçka duket urgjente. Ka gjithmonë një problem për të zgjidhur, një produkt për të lançuar, një objektiv për të arritur. Në këtë ritëm të shpejtë, shumë themelues përfundojnë të lodhur emocionalisht dhe mendërisht, jo sepse punojnë shumë, por sepse nuk ndalen kurrë për të vendosur çfarë ka vërtet rëndësi.

Malte Kramer, themelues i kompanisë Luxury Presence, tregon se për gati 10 vite ka përdorur një ritual të thjeshtë që e ka ndihmuar të qëndrojë i fokusuar dhe të shmangë “burnout”-in. Çdo tre muaj, ai ndan vetëm një orë për të reflektuar dhe për të shkruar në një faqe të vetme atë që ka më shumë rëndësi për jetën dhe punën e tij. Këtë e quan “Plani me një faqe”.

Ky plan përfshin disa elemente kryesore: arsyen pse bën atë që bën, vlerat personale, një objektiv të madh afatgjatë, vizionin për pesë vitet e ardhshme në fusha si shëndeti, marrëdhëniet, karriera, të mësuarit dhe kontributi në shoqëri, si dhe qëllimet për një vit dhe për tre muajt e ardhshëm. Ndërsa pjesët afatgjata zakonisht mbeten të njëjta, objektivat tremujore janë ato që ndryshojnë dhe lidhen drejtpërdrejt me realitetin e përditshëm.

Sipas Kramer, shumë sipërmarrës e shmangin këtë lloj planifikimi sepse mendojnë se i kufizon ose i bën më pak fleksibël. Në fakt, ndodh e kundërta: pa një drejtim të qartë, vendimet ndikohen nga ajo që duket më urgjente, më e re ose më e zhurmshme. Kështu humbet fokusi dhe, me kalimin e kohës, humbet edhe balanca mes jetës personale dhe punës.

Lexo edhe: Hyn në fuqi tarifa prej 10% e Trump

Plani me një faqe funksionon sepse të detyron të reflektosh mbi atë që ke arritur, të mban përgjegjës për objektivat që i vendos vetes dhe të ndihmon të ruash ekuilibrin mes fushave të ndryshme të jetës. Për shembull, Kramer e ka si identitet personal dëshirën për t’u bërë shkrimtar. Për ta realizuar këtë, ai vendos qëllime konkrete për çdo tremujor, si publikimi i disa shkrimeve ose dërgimi i buletineve. Nëse këto nuk realizohen, ai nuk i justifikon me mungesë kohe, por e kupton qartë se ka zgjedhur prioritete të tjera.

Përfitimi më i madh i këtij rituali nuk është thjesht rritja e produktivitetit, por vendosja e prioriteteve që në fillim. Kur dalin mundësi të reja apo projekte interesante, themeluesi mund t’i vlerësojë ato nëse përputhen ose jo me atë që ka vendosur se ka rëndësi për të. Kjo e ndihmon të shmangë rritjen e gabuar ose angazhimet që nuk janë në linjë me qëllimet e tij afatgjata.

Për ta nisur këtë praktikë, mjafton një orë në fund të çdo tremujori. Pa telefon, pa shpërqendrime. Fillimisht reflektohet mbi arsyen pse bëhen gjërat dhe mbi llojin e personit që dëshiron të bëhesh në pesë vitet e ardhshme. Më pas përcaktohen disa qëllime për vitin dhe disa angazhime konkrete për tre muajt e ardhshëm. Në fund të tremujorit, bëhet një rishikim i sinqertë dhe përgatitet plani i radhës.

Në fund të fundit, drejtimi i një biznesi është sfidë në vetvete. Por ta bësh këtë duke ruajtur shëndetin, balancën personale dhe marrëdhëniet me njerëzit e dashur është edhe më e vështirë. Ky ritual i thjeshtë nuk i zgjidh të gjitha problemet, por ndihmon që rruga të ndërtohet me qëllim dhe jo thjesht duke reaguar ndaj urgjencave të përditshme.

entepreneur

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0