Rusia bllokon WhatsApp, Instagram, YouTube dhe Facebook! - Business Magazine Albania

Rusia bllokon WhatsApp, Instagram, YouTube dhe Facebook!

Rusia bllokon WhatsApp, Instagram, YouTube dhe Facebook!

Rusia ka urdhëruar bllokimin e aplikacioneve WhatsApp, Instagram, YouTube dhe Facebook ndërsa Kremlini po forcon gjithnjë e më shumë kontrollin ndaj platformave të komunikimit online. WhatsApp, në pronësi të kompanisë Meta, ka reaguar duke deklaruar se kjo lëvizje synon të detyrojë mbi 100 milionë përdorues në Rusi të kalojnë në një aplikacion shtetëror komunikimi, të cilin kompania e përshkruan si një mjet potencial mbikëqyrjeje nga autoritetet.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha BBC-së se vendimi ishte marrë “për shkak të mosgatishmërisë së Meta-s për t’iu përmbajtur normave dhe ligjit rus”. Ai shtoi se Meta mund të rifillojë operimin në Rusi nëse “respekton ligjin dhe hyn në dialog me autoritetet”. I pyetur nëse autoritetet po përpiqen t’i detyrojnë qytetarët rusë të përdorin aplikacionin shtetëror Max, Peskov u përgjigj se “mesazheri kombëtar është një alternativë e disponueshme” për qytetarët.

Ndërkohë, rregullatori rus i internetit, Roskomnadzor, njoftoi se këtë javë po kufizon edhe më tej aksesin në Telegram, duke pretenduar se platforma nuk ofron siguri të mjaftueshme. Telegram është shumë i përdorur në Rusi dhe raportohet se përdoret gjerësisht edhe nga forcat ruse në Ukrainë.

Blogerë pro-luftës janë ankuar se këto masa po vështirësojnë komunikimin në terren. Që përpara pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, autoritetet ruse kishin nisur përpjekjet për të ndërtuar një alternativë vendase ndaj internetit global. Këto përpjekje janë intensifikuar gjatë luftës, së bashku me promovimin e platformës shtetërore Max. Kritikët pretendojnë se Max mund të përdoret për mbikëqyrje nga autoritetet ruse, ndonëse mediat shtetërore i mohojnë këto akuza. Aktualisht, Max po promovohet gjerësisht në Rusi përmes reklamave televizive, billboard-eve dhe fushatave nga autoritetet lokale dhe media. Rusia argumenton se WhatsApp dhe Telegram kanë refuzuar të ruajnë të dhënat e përdoruesve rusë brenda territorit të vendit, siç kërkohet nga ligji. Autoritetet në Moskë pretendojnë gjithashtu se WhatsApp përdoret shpesh për mashtrime dhe zhvatje financiare, duke e përdorur këtë si argument për t’i nxitur qytetarët të kalojnë te Max.

Nga ana e saj, WhatsApp deklaroi se po bën gjithçka që është e mundur për t’i mbajtur njerëzit të lidhur: “Të izolosh mbi 100 milionë përdorues nga komunikimi privat dhe i sigurt është një hap prapa dhe vetëm sa e bën jetën e njerëzve në Rusi më pak të sigurt,” thuhet në deklaratë. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi më herët këtë vit se WhatsApp pritet të bllokohet përfundimisht në Rusi në vitin 2026. Një zyrtar rus, Andrei Svintsov, u citua të ketë thënë se “masa kaq të ashpra janë plotësisht të justifikuara”, duke qenë se Rusia e ka shpallur Meta-n organizatë ekstremiste.

Lexo edhe:WhatsApp Web bën hapin e madh, së shpejti thirrje zanore dhe video direkt nga shfletuesi

WhatsApp ishte më parë aplikacioni më i përdorur për mesazhe në Rusi, por që nga viti 2022, kur Meta u shpall “organizatë ekstremiste”, aplikacione si Instagram dhe Facebook janë bllokuar dhe aksesohen vetëm përmes VPN-ve. Megjithatë, qytetarët rusë nuk janë të ndaluar ligjërisht të përdorin shërbimet e Meta-s.

Projekti për të drejtat digjitale “Na Svyazi” (Në kontakt) ka raportuar se Rusia po heq gjithnjë e më shumë faqe nga regjistri shtetëror i adresave të internetit, i kontrolluar nga Roskomnadzor. Sipas këtij projekti, 13 platforma të njohura janë hequr nga Sistemi Kombëtar i Emrave të Domeineve (NSDI), përfshirë YouTube, Facebook, WhatsApp Web, Instagram, BBC dhe Deutsche Welle. Pasi një faqe hiqet nga ky regjistër, ajo nuk hapet më pa përdorur VPN. Autoritetet në Moskë po e promovojnë fuqishëm aplikacionin Max, i cili, sipas kritikëve, nuk ofron enkriptim “end-to-end”, duke e bërë më të lehtë ndërhyrjen nga autoritetet. Max është krahasuar me WeChat-in në Kinë, një “super-aplikacion” që kombinon komunikimin me shërbimet shtetërore.

Që nga viti 2025, autoritetet ruse kanë vendosur që Max të instalohet paraprakisht në të gjitha pajisjet e reja që shiten në vend. Ka raportime se punonjës të sektorit publik, mësues dhe studentë po detyrohen gjithnjë e më shumë ta përdorin këtë platformë. Shefi ekzekutiv i Telegram-it, biznesmeni rus Pavel Durov, ka deklaruar se shteti po kufizon aksesin në Telegram për t’i detyruar qytetarët të përdorin aplikacionin shtetëror, duke e quajtur këtë një formë mbikëqyrjeje dhe censure politike. Irani, sipas tij, ka ndjekur një strategji të ngjashme duke tentuar të ndalojë Telegram-in dhe të shtyjë qytetarët drejt një aplikacioni shtetëror, por njerëzit kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar këtë ndalim. “Kufizimi i lirisë së qytetarëve nuk është kurrë zgjidhja e duhur,” ka deklaruar Durov.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0