Një studim i Universitetit të Cambridge, ka zbuluar se truri i njeriut nga mosha 9 vjeç deri në 32 është në një adoleshencë të gjatë dhe më pas nis faza adulte, që është faza më e gjatë e jetës.
Në studimin e publikuar në revistën shkencore Nature Communications, shkencëtarët kanë identifikuar pesë faza kryesore të strukturës së trurit gjatë jetës së njeriut, të ndara nga katër “pika kthese” vendimtare, kur arkitektura e trurit riorganizohet.
Faza e parë, ajo e fëmijërisë së trurit, shtrihet nga lindja deri rreth moshës 9 vjeç. Në këtë periudhë, truri kalon nëpër një proces të quajtur “konsolidim i rrjetit”, ku lidhjet e shumta nervore të krijuara në foshnjëri filtrohen dhe mbijetojnë vetëm ato që përdoren më shpesh. Gjatë kësaj kohe, lënda gri dhe e bardhë rriten me ritëm të shpejtë, trashësia kortikale arrin kulmin dhe format karakteristike të palosjeve të trurit stabilizohen.
Në moshën rreth 9 vjeç, vërehet një ndryshim i rëndësishëm në kapacitetet njohëse, por edhe një rritje e rrezikut për shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor.
Faza e dytë, adoleshenca e trurit, zgjat mesatarisht nga mosha 9 deri rreth 32 vjeç. Gjatë kësaj periudhe, lënda e bardhë vazhdon të rritet dhe rrjetet e komunikimit në tru rafinohen. Lidhjet bëhen më të shpejta dhe më efikase, si brenda zonave specifike të trurit, ashtu edhe në komunikimin mes rajoneve të largëta. Kjo periudhë lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e performancës njohëse.
Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Alexa Mousley, kjo është e vetmja fazë e jetës kur efikasiteti i rrjeteve nervore rritet vazhdimisht. Këto zhvillime arrijnë kulmin në fillim të të tridhjetave, rreth moshës 30–32 vjeç, që studiuesit e quajnë “pika më e fortë e kthesës topologjike” gjatë gjithë jetës.
Lexo edhe: Programuesi legjendar që ka punuar në heshtje në Thinking Machines Lab të Mira Muratit
“Ndërsa puberteti ka një fillim të qartë, përfundimi i adoleshencës është shumë më i vështirë për t’u përcaktuar shkencërisht. Bazuar vetëm në arkitekturën e trurit, ne shohim se ndryshimet tipike të adoleshencës përfundojnë rreth fillimit të të tridhjetave,” shpjegon Dr. Mousley.
Pas kësaj moshe nis faza adulte e trurit, e cila është edhe më e gjata, duke zgjatur mbi tri dekada. Gjatë kësaj kohe, arkitektura e trurit stabilizohet dhe nuk vërehen më ndryshime të mëdha strukturore. Studiuesit e lidhin këtë fazë me një “plateau” të inteligjencës dhe personalitetit. Gjithashtu, vërehet një rritje e “segmentimit”, ku rajonet e trurit bëhen gradualisht më të ndara nga njëra-tjetra.
Rreth moshës 66 vjeç shënohet pika e tretë e kthesës, që lidhet me fillimin e plakjes së hershme të trurit. Ndryshimet janë më të lehta, por tregojnë një riorganizim gradual të rrjeteve nervore, i cili lidhet me proceset e plakjes dhe me uljen e lidhjeve për shkak të degradimit të lëndës së bardhë. Kjo periudhë përkon edhe me rritjen e rrezikut për probleme shëndetësore që ndikojnë në tru, si tensioni i lartë i gjakut.
Pika e fundit e kthesës ndodh rreth moshës 83 vjeç, kur truri hyn në fazën e plakjes së vonë. Edhe pse të dhënat janë më të kufizuara për këtë periudhë, studiuesit vërejnë një kalim nga komunikimi global i trurit drejt mbështetjes më shumë në zona të veçanta, ndërsa lidhjet e përgjithshme në tru dobësohen.
“Shpesh e përjetojmë jetën si një seri fazash të ndryshme. Rezulton se edhe truri ynë kalon nëpër faza/epoka të ndryshme,” thotë Prof. Duncan Astle, autor bashkëpunues i studimit. Sipas tij, shumë probleme neurozhvillimore, të shëndetit mendor dhe neurologjike lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si është i ndërtuar rrjeti i lidhjeve në tru. “Fakti që zhvillimi i trurit nuk është një proces linear, por përbëhet nga disa pika kyçe ndryshimi, na ndihmon të kuptojmë më mirë kur dhe pse truri është më i ndjeshëm ndaj çrregullimeve,” përfundon Astle.
Studimi është mbështetur nga Medical Research Council, Gates Foundation dhe Templeton World Charitable Foundation.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.