Qeveria spanjolle po përgatit një ndërhyrje të fortë ndaj rrjeteve sociale, duke vendosur në shënjestër si aksesin e të miturve, ashtu edhe përgjegjësinë e drejtuesve të platformave.
Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi se Spanja synon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën moshën 16 vjeç dhe të miratojë ligje të reja që i bëjnë kompanitë teknologjike drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbajtjet problematike.
Sanchez e cilësoi realitetin digjital si një hapësirë të pakontrolluar që po ndikon negativisht te fëmijët dhe adoleshentët, duke paralajmëruar se algoritmet po krijojnë varësi, presion psikologjik dhe përhapje të gjuhës së urrejtjes. “Nuk mund të lejojmë që interneti të sillet si një territor pa ligj”, u shpreh ai gjatë fjalimit në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai.
Lëvizja e Spanjës vjen në një moment kur gjithnjë e më shumë shtete po shtrëngojnë rregullat. Britania dhe Franca po shqyrtojnë masa të ngjashme, ndërsa Australia tashmë ka vendosur një precedent global, duke ndaluar zyrtarisht rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Sipas autoriteteve, objektivi nuk është censura, por mbrojtja e brezit të ri nga pasojat e përdorimit të pakontrolluar të teknologjisë, përfshirë ndikimin në shëndetin mendor, sjelljen sociale dhe mënyrën e komunikimit.
Debati pritet të ashpërsohet në javët në vijim, ndërsa kompanitë e teknologjisë përballen me presion gjithnjë e më të madh për të ndryshuar mënyrën se si funksionojnë platformat e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.