Duke parë përtej vaksinave apo tabletave, shkencëtarët po eksplorojnë mënyra të reja dhe inovative për shpërndarjen e barnave antivirale me qëllim parandalimin e përhapjes së viruseve shumë ngjitëse. Një nga idetë më të veçanta? Çamçakëzi, por jo çfarëdo çamçakëzi. Ky i fundit prodhohet nga një fasule mjaft interesante.
Studiues nga Penn Dental Medicine, pjesë e University of Pennsylvania, po punojnë mbi këtë model të ri të shpërndarjes së barnave, duke u fokusuar në luftimin e viruseve që grumbullohen në fyt dhe në zgavrën e hundës. Ekipi ka studiuar neutralizimin e viruseve të herpes simplex (HSV-1 dhe HSV-2) si dhe të shtameve të gripit A (H1N1 dhe H3N2), përmes një çamçakëzi të formuluar klinikisht, të prodhuar nga fasulet lablab (Lablab purpureus).
Kjo fasule, e njohur gjithashtu si fasule zymbyli, fasule egjiptiane ose indiane, është një bishtajore që përmban një proteinë të aftë të “kapë” dhe neutralizojë disa viruse, duke i dhënë asaj veti antivirale. Proteina FRIL mbetet natyrshëm e qëndrueshme edhe pasi bima përpunohet në pluhur dhe shndërrohet në çamçakëz.
Edhe pse ende nuk është testuar tek njerëzit, çamçakëzi është provuar në një simulator përtypjeje të quajtur ART-5, i cili imiton kushtet e zgavrës orale, përfshirë ndërveprimet e mundshme me substanca që mund të dëmtojnë ose pengojnë veprimin e proteinës FRIL. Rezultatet treguan se çamçakëzi me bazë lablab siguron një çlirim efektiv dhe të qëndrueshëm të proteinës, mbi 50% e saj çlirohet brenda 15 minutave të para, pa shenja toksiciteti apo ndërveprime negative.
Lexo edhe: Rutte dhe e vërteta e dhimbshme, Europa duhet të peshojë realitetin, jo të ëndërrojë
Më mbresëlënësja është se vetëm 40 mg proteinë FRIL, në një tabletë çamçakëzi prej dy gramësh, arritën të ulin ngarkesën virale me më shumë se 95%. Ky rezultat nuk ishte i papritur për studiuesit, pasi përputhet me gjetjet e një studimi të mëparshëm të të njëjtit ekip, ku u testua një çamçakëz antiviral kundër COVID-19, i cili tashmë ka hyrë në fazat e provave klinike.
“Mungesa e një vaksine kundër virusit herpes simplex, nivelet e ulëta të vaksinimit ndaj gripit, rënia e imunitetit dhe transmetimi i virusit edhe pas vaksinimit, theksojnë nevojën për të ulur ngarkesën virale në pikat kryesore të transmetimit,” shprehet ekipi kërkimor. Ata nënvizojnë se arsyeja pse fokusi është te goja dhe jo te hunda lidhet me faktin se transmetimi oral i viruseve është disa herë më i lartë sesa ai nazal.
A do të ishin njerëzit më të hapur ndaj një çamçakëzi antiviral? Ndoshta po, duke qenë se përdorimi i produkteve orale apo nazale gjatë sëmundjes është tashmë i zakonshëm. Për herpesin, një çamçakëz i tillë do të kishte vlerë të madhe në ndalimin e përhapjes së virusit, veçanërisht pasi ai transmetohet shpesh pa simptoma dhe prek rreth 27% të të rriturve në SHBA. Për të dyja format e herpesit nuk ekziston një kurë përfundimtare dhe infeksioni mund të shkaktojë probleme kronike. HSV-1, i cili transmetohet kryesisht përmes gojës, është një nga shkaktarët kryesorë të verbërisë infektive në vendet perëndimore.
Përveç përgatitjes për prova klinike të këtij çamçakëzi inovativ, studiuesit po shqyrtojnë edhe përdorimin e tij kundër gripit të shpendëve, konkretisht virusit H5N1.
“Kontrolli i transmetimit të viruseve mbetet një sfidë madhore globale,” deklaroi studiuesi Henry Daniell. “Një proteinë antivirale me spektër të gjerë (FRIL), e pranishme në një produkt ushqimor natyror si pluhuri i fasules, që neutralizon jo vetëm viruset e gripit njerëzor, por edhe ato të gripit të shpendëve, përbën një risi të rëndësishme dhe të domosdoshme për parandalimin e infeksionit dhe transmetimit të tyre.”
“Këto gjetje janë premtuese për vlerësimin e çamçakëzit me bazë fasule në studime klinike tek njerëzit, me qëllim minimizimin e infeksioneve dhe transmetimit viral,” shtoi ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.