Emmanuel Macron u bë viral për arsye që ndoshta nuk i kishte parashikuar, pasi u shfaq me syze dielli reflektuese të stilit aviator gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Presidenti francez i veshi ato për të mos lejuar që një skuqje e dukshme në sy t’i dominonte titujt mediatikë. Por a rezultoi kjo zgjedhje një veprim i zgjuar apo një gafë komunikimi?
Në politikë, autoriteti duhet të shfaqet dhe të projektohet që të besohet. Simbolika, madje edhe skenografia, nuk mund të jetë thjesht një truk. Në epokën e rrjeteve sociale, një imazh përhapet dhe ngjall reagime shumë më shpejt sesa fjalët. Dhe pamja e Presidentit të Francës, me syze të errëta brenda sallës së Davos, bëri xhiron e botës brenda sekondash.
Për shumëkënd, fjalimi i tij kaloi në plan të dytë. Pyetja kryesore ishte: “Pse po mban syze dielli brenda?” A ishte një shaka? A kishte ndodhur diçka fizike? Spekulimet nuk munguan, nga humor i lehtë deri te ironi e hapur, duke marrë parasysh se Macron njihet edhe për prirjen për të shfaqur forcën fizike.
Shkaku i saktë i skuqjes në sy mbetet i paqartë, por sipas mediave franceze, bëhet fjalë për një hemorragji subkonjuktivale, pra çarje e një ene gjaku në sipërfaqen e syrit. Një gjendje e padëmshme, që mund të shkaktohet nga kollitja e fortë, teshtitja apo fërkimi i syrit, dhe që shfaqet më shpesh te personat me tension të lartë ose diabet.
Megjithatë, zhurma rreth syzeve pothuajse e errësoi mesazhin politik të Macron-it. Në fjalimin e tij, i cili gjithashtu u bë viral, ai denoncoi një “botë pa rregulla”, kritikoi “akumulimin e pafund të tarifave doganore” dhe u shpreh se preferon “respektin ndaj bullizmit”, duke u bërë thirrje vendeve evropiane të mos dorëzohen përballë ligjit të më të fortit. Emri i Donald Trump nuk u përmend asnjëherë, ndonëse mesazhi ishte i qartë.
“Ju lutem më falni për pamjen jo fort estetike të syrit tim,” tha Macron në fillim të fjalimit. “Është diçka krejtësisht e padëmshme.” Ai e shoqëroi deklaratën me humor, duke e quajtur një “referencë të pavullnetshme ndaj ‘Eye of the Tiger’”, këngës ikonike të filmit Rocky III, si simbol i vendosmërisë.
Një zëdhënës i Pallatit Elize bëri të ditur se presidenti po mban syze për shkak të ndjeshmërisë ndaj dritës, deri sa gjendja e vogël shëndetësore të kalojë. Në rrjetin X , reagimet ishin të shumta. Disa e konsideruan pamjen një “replikë të fuqishme” ndaj Trump, duke e quajtur një sukses të madh komunikimi. Të tjerë zgjodhën satirën, duke i përshkruar syzet si “gjysmë Top Gun, gjysmë Joe Biden”, apo duke pyetur me shaka nëse Macron do t’i mbajë deri në fund të mandatit. Paralele u bënë edhe me ish-kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili në vitin 2023 u shfaq me një sy të nxirë dhe një fashë pas një rrëzimi gjatë vrapimit, duke ironizuar vetë reagimet që do të pasonin në internet. Gjatë fjalimit të tij në Davos, Donald Trump nuk i kurseu komentet ironike, duke pyetur publikisht: “Çfarë dreqin i ka ndodhur?”
Prodhuar në Francë
Ndryshe nga Joe Biden, i cili shpesh shihet me syze Ray-Ban, Macron zgjodhi një markë që përfaqëson mjeshtërinë franceze. Bëhet fjalë për Maison Henry Jullien, një shtëpi historike e syzeve luksoze, e themeluar në vitin 1921. Kompania konfirmoi se presidenti mban modelin Pacific S 01 Double Or Palladium, i krijuar në vitin 2017.
Modeli është i disponueshëm në tre ngjyra, gri, blu dhe kafe, dhe kushton rreth 659 euro. Që nga momenti kur lajmi u përhap në media dhe rrjete sociale, faqja zyrtare e prodhuesit ka përjetuar fluks të jashtëzakonshëm vizitash. Edhe pse kompania kaloi në pronësi italiane në vitin 2023, dizajni dhe prodhimi mbeten të rrënjosura fort në Francë, një detaj që i shton edhe më shumë simbolikë këtij “aksidenti” të vogël diplomatik, i cili përfundoi duke u kthyer në një fenomen global.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto