Fjalimi që tronditi Davosin - “Nostalgjia nuk është strategji, bota e vjetër nuk kthehet më”: Mark Carney shfaqet si realisti i palëkundur i gatshëm të përballet me Trump - Business Magazine Albania

Fjalimi që tronditi Davosin – “Nostalgjia nuk është strategji, bota e vjetër nuk kthehet më”: Mark Carney shfaqet si realisti i palëkundur i gatshëm të përballet me Trump

Në një fjalim në Davos, të shkruar prej tij, kryeministri kanadez paraqiti doktrinën e tij për një botë ku normat ndërkombëtare po shpërbëhen. Për pjesën më të madhe të karrierës së tij si ekonomist dhe bankier qendror, Mark Carney ka qenë në qendër të mendimit global dhe institucioneve multilaterale. I quajtur shpesh “bankieri rockstar”, ai ishte një figurë e zakonshme në samitet ndërkombëtare, ku fliste përkrah liderëve të biznesit dhe elitave politike, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar, ekonomitë e hapura dhe rregullat e përbashkëta.

Por, pas më pak se një viti si kryeministër i Kanadasë, Carney ofroi këtë javë një vlerësim shumë më të drejtpërdrejtë dhe realist të botës: “Të fortët bëjnë çfarë munden, të dobëtit vuajnë atë që duhet.”

Në një fjalim të gjerë dhe reflektues, ku herë pas here ndjehej një melankoli për rendin e parashikueshëm ndërkombëtar, Carney paraqiti një doktrinë për një botë me norma të fragmentuara, duke paralajmëruar se “pajtueshmëria nuk garanton më siguri”. “Rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë,” tha ai. “Nostalgjia nuk është strategji.”

Fjalimi, i mbajtur përpara politikanëve, mediave dhe liderëve të biznesit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, u prit me duartrokitje në këmbë. Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt Donald Trump, Carney iu referua qartë shqetësimit në rritje se Shtëpia e Bardhë po synon të çmontojë arkitekturën e bashkëpunimit kolektiv që ka përcaktuar rendin global për gati tetë dekada.

“Udhëheqës të tjerë perëndimorë kanë folur për ‘devijime të rrezikshme’ nga normat, por gjithmonë kthehen te ideja se Trump mund të zbutet apo të akomodohet,” thotë Jack Cunningham, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Torontos. “Carney e ka rrëzuar këtë iluzion. Ai po thotë hapur se kjo qasje nuk është më reale.” Sipas Cunningham, gjithnjë e më shumë liderë po e kuptojnë se nuk mund ta “menaxhojnë” Trumpin për pjesën e mbetur të mandatit të tij dhe se sistemi ndërkombëtar i ndërtuar nga vetë SHBA po shembet. “Carney është lideri i parë i madh perëndimor që e pranon hapur këtë realitet. Shumë vende po kërkojnë dikë që të tregojë drejtimin, dhe ky fjalim është një flamur i ngulur.”

Lexo edhe: CEO i Anthropic trondit Davosin me kritika të ashpra ndaj Nvidia-s

Fuqia si armë dhe rreziku i botës së mbyllur

Kryeministri kanadez paralajmëroi se “fuqitë e mëdha”, një referencë e tërthortë ndaj SHBA-së, kanë filluar ta përdorin integrimin ekonomik si armë: tarifat si presion, infrastruktura financiare si mjet shtrëngimi dhe zinxhirët e furnizimit si dobësi për t’u shfrytëzuar. Në ditët e fundit, Trump ka kërcënuar me tarifa ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë përpjekjet e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës. Megjithatë, Carney paralajmëroi edhe kundër tërheqjes diplomatike dhe ekonomike, duke thënë se një botë e ndarë në “fortesa” do të ishte më e varfër dhe më pak e qëndrueshme. “Për fuqitë e mesme, si Kanadaja, pyetja nuk është nëse do të përshtatemi. Duhet ta bëjmë. Pyetja është: a do të ndërtojmë vetëm mure më të larta, apo do të synojmë diçka më ambicioze?”

“Nëse nuk je në tavolinë, je në menu”

Ngjitja e shpejtë e Carneyt nga ekonomist në lider shteti lidhet ngushtë me idenë se afërsia gjeografike, integrimi ekonomik dhe aleancat historike me SHBA-në nuk garantojnë më siguri dhe prosperitet. Fjalimi vjen në një moment kur Kanadaja përgatitet për negociata të zgjatura tregtare dhe përballet me kërcënime të përsëritura për aneksim nga ana e Trumpit. “Carney e kupton se nuk ka nevojë ta provokosh Trumpin, por as ta lajkatosh pa fund,” thotë Cunningham. “Ai e di që angazhimet dhe fjalët e Trumpit janë të paqëndrueshme. Prandaj kjo qasje nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri.” Carney përmendi misionin e fundit tregtar të qeverisë së tij në Kinë, ku u kërkua investim kinez në sektorin e naftës dhe u ulën ndjeshëm tarifat për automjetet elektrike kineze, një shkëputje e qartë nga linja amerikane.

Ndërsa Kanadaja pozicionohet si “parimore dhe pragmatike”, Carney shpalosi vizionin e tij për rolin e fuqive të mesme në një botë të paqëndrueshme: “Fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk je në tavolinë, je në menu. Fuqitë e mëdha mund të veprojnë vetëm. Ne jo.”

Ai prezantoi konceptin e “gjeometrisë së ndryshueshme”, ku aleancat formohen sipas çështjeve, interesave dhe vlerave. Përmendi mbështetjen miliardëshe për Ukrainën, qëndrimin e fortë përkrah Groenlandës dhe Danimarkës, si dhe përpjekjet për të thelluar lidhjet tregtare me Azinë dhe Evropën. Kjo qasje fleksibël bie në kontrast të fortë me rendin e pasluftës që Carney dikur e mbronte pa rezerva.

Bob Rae, ish-ambasador i Kanadasë në OKB, theksoi se dështimi nuk është i institucioneve, por i shteteve që duhej t’i mbronin ato. “Superfuqitë kanë vendosur të marrin ligjin në duart e tyre,” tha ai. “Mesazhi i kryeministrit është i qartë: institucionet nuk braktisen, por duhet pranuar se ato janë seriozisht të sfiduara.”

Carney paralajmëroi gjithashtu se marrëveshjet e arritura nga pozita dobësie nuk përfaqësojnë sovranitet real: “Ne pranojmë çfarë na ofrohet. Konkurojmë kush është më i bindur. Kjo nuk është sovranitet – është performancë sovraniteti duke pranuar nënshtrimin.”

Fjalimin e mbylli me një thirrje për veprim kolektiv: “Rritja e fuqisë së fortë nuk duhet të na verbojë ndaj faktit se legjitimiteti, integriteti dhe rregullat kanë ende peshë – nëse zgjedhim t’i ushtrojmë së bashku.”

Fjalimi i plotë:

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0