“Make America Go Away”, kapelet që po sfidojnë Trump-in në Groenlandë - Business Magazine Albania

“Make America Go Away”, kapelet që po sfidojnë Trump-in në Groenlandë

Një simbol i kundërshtimit politik të groenlandezëve ndaj presidentit amerikan Donald Trump është shfaqur online: kapele të kuqe me mbishkrimin “Make America Go Away”.

Këto kapele, me mbishkrimin “Make America Go Away”, janë konceptuar si një parodi e lëvizjes MAGA të udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, e njohur edhe si fushata “Make America Great Again”. Kapelet, të krijuara fillimisht nga pronari i një dyqani veshjesh vintage në Kopenhagë, Jesper Rabe Tonnesen, dështuan vitin e kaluar pas lançimit. Tani që tensionet SHBA–BE janë rritur, dizajni po përjeton një valë të re interesi.

Pavarësisht protestave nga udhëheqësit europianë, Trump po këmbëngul në synimin e tij për të marrë nën kontroll territorin gjysmë-autonom danez të Groenlandës, duke kërcënuar me tarifa shtesë ndaj tetë vendeve europiane që i dalin përpara.

“Kur një delegacion nga Amerika shkoi në Groenlandë, ne filluam të kuptonim se kjo ndoshta nuk ishte një shaka, nuk është reality TV, është realitet,” tha Tonnesen, 58 vjeç.

“Dhe unë thashë, në rregull, çfarë mund të bëj? A mund të komunikoj në një mënyrë argëtuese me një mesazh të mirë dhe t’i bashkoj danezët për të treguar se populli danez mbështet popullin e Groenlandës?”

Kapelja origjinale e dizajnuar nga Tonnesen përmbante një lojë fjalësh: “Nu det NUUK!”, një shtrembërim i shprehjes daneze “Nu det nok”. Kjo do të thotë “Tani mjaft”, duke zëvendësuar fjalën “nok” me Nuuk, kryeqytetin e vogël të Groenlandës.

Themeluesi i një grupi tjetër që shet kapelet, Victor Schøtt nga Greenland Support, i tha Business Insider se shumica e porosive tani vijnë nga SHBA-ja, përpara Danimarkës, Gjermanisë, Irlandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve skandinave. Të gjitha fitimet shkojnë për të mbështetur një nisëm bamirësie për fëmijët.

Lexo edhe: “Groenlanda, territor i SHBA-së deri në vitin 2026”, mesazhi i ri i Trump me foton e krijuar me AI

Schøtt theksoi se projekti nuk synon të nënçmojë vetë Amerikën, por kritikon stilin e politikës së jashtme që përfaqëson Trump.

Trump mban sytë nga Groenlanda

Interesi i Donald Trump për Groenlandën nuk është i ri. Që në vitin 2019, presidenti foli hapur për mundësinë e blerjes së ishullit, duke shkaktuar habi ndërkombëtare dhe një refuzim të fortë nga Danimarka.

Megjithatë, Groenlanda ka një rëndësi të madhe strategjike. Ajo ndodhet në ndërthurjen mes Arktikut dhe Atlantikut, ka depozita të pasura burimesh natyrore, përfshirë mineralet e rralla të tokësdhe është një pikë kyçe për sistemet amerikane të mbrojtjes dhe komunikimit. Ishulli tashmë strehon bazën hapësinore amerikane Pituffik, e njohur më parë si baza ajrore Thule, e rëndësishme për monitorimin ajror dhe hapësinor.

Donald Trump ka sugjeruar se Uashingtoni duhet të ketë kontroll më të madh mbi rajonin e Arktikut për arsye të sigurisë kombëtare, veçanërisht në kontekstin e rivaliteteve me Rusinë dhe Kinën. Kërcënimet me tarifa dhe madje refuzimi për të përjashtuar veprime ushtarake janë perceptuar në Europë si një largim shqetësues nga diplomacia tradicionale e bazuar në aleanca.

Mbrojtësit e autonomisë së Groenlandës

Reagimi i publikut groenlandez ka qenë i shpejtë dhe i vendosur. Javët e fundit janë mbajtur protesta në Nuuk dhe qytete të tjera, ku banorët theksojnë se e ardhmja e ishullit duhet të formësohet vetëm nga groenlandezët. Protestuesit kujtojnë se Groenlanda, megjithëse e lidhur zyrtarisht me Danimarkën, gëzon autonomi të gjerë dhe prej vitesh debaton për pavarësi të mundshme, por sipas kushteve të saj dhe jo nën presionin e një fuqie të jashtme.

Kështu, kapelet janë shndërruar në më shumë se një kuriozitet viral apo deklaratë mode. Ato janë bërë një formë proteste kundër një toni imperial të politikës dhe një kujtesë e të drejtës së Groenlandës për vetëvendosje.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0