Shqipëria vijon të përfaqësohet denjësisht në renditjen globale të miliarderëve. Samir Mane, themelues dhe president i BALFIN Group, është përfshirë edhe këtë vit në listën prestigjioze të Forbes, me një pasuri neto të vlerësuar në 1.5 miliardë dollarë. Krahasuar me vitin e kaluar, pasuria e tij është rritur me rreth 100 milionë dollarë.
BALFIN Group përfaqëson një nga konglomeratet më të mëdha të investimeve në rajon, me seli në Tiranë. Portofoli i grupit përfshin qendra tregtare, rrjete dyqanesh elektronike dhe lodrash në Ballkanin Perëndimor, sektorin bankar, pasuri të paluajtshme luksoze në Shqipëri, si dhe investime strategjike në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Austri. Grupi operon gjithashtu parqe logjistike dhe zotëron një universitet privat.
Lexo edhe:Baroni i Ballkanit/ Forbes shkruan për Samir Mane: Nga refugjat në miliarder
Historia sipërmarrëse e Samir Manes nis në vitin 1991, kur ai emigroi drejt Austrisë si refugjat nga regjimi komunist. Aktiviteti i tij i parë biznesor filloi në vitin 1993 me tregtimin e pajisjeve shtëpiake drejt Shqipërisë. Në vitin 1998 themeloi rrjetin e njohur të dyqaneve Neptun, ndërsa në vitin 2005 u rikthye në Shqipëri për të hapur qendrën e parë tregtare në vend, duke shënuar një moment të rëndësishëm për zhvillimin e retail-it modern shqiptar.
Në rang global, Shtetet e Bashkuara vijojnë të dominojnë listën e miliarderëve, me emra si Elon Musk, Mark Zuckerberg dhe Jeff Bezos ndër më të pasurit në botë.
Lista e Forbes për këtë vit përfshin gjithsej 3,028 miliarderë në mbarë globin, me një pasuri totale të vlerësuar në 16.1 trilionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 247 individësh krahasuar me vitin e kaluar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.