Nga Eni Muça- Fushën e sipërmarrjes në Shqipëri po e shoqërojnë gjithnjë e më shumë formate që ofrojnë përmbajtje të thelluar, analiza reale dhe histori konkrete nga ata që janë në terren. Në këtë artikull kemi përzgjedhur disa prej podkasteve më aktive dhe me ndikim, të cilat trajtojnë tema të lidhura me biznesin, inovacionin dhe zhvillimin profesional. Të ndryshëm në stil, por të përbashkët në qëllim: të sjellin frymëzim, njohuri dhe perspektivë për ata që janë të përfshirë apo të interesuar në ndërtimin e një ideje.
ThinkBig – nga Business Magazine Albania
“ThinkBig” është më shumë se një show. Është një platformë e gjallë edukimi që viziton bizneset në terren, bashkëbisedon me sipërmarrësit në ambientin e tyre dhe sjell histori suksesi që frymëzojnë. Programi përfshin edhe një këndvështrim eksperti apo profesionisti, i cili shfaqet si këshillues ose analist i industrisë. Ata ndajnë perspektivat e tyre bazuar në përvojë konkrete. Prodhuar nga Business Magazine Albania dhe moderuar nga Gerti Boshnjaku dhe Eni Muça, ky produksion televiziv i sjellë në një stil podkasti reflekton një qasje autentike dhe dinamike ndaj zhvillimit të biznesit dhe inovacionit në Shqipëri.
Shih episodet e rradhës në kanalin zyrtar të Businessmag Albania në YouTube si edhe në websiten www.thinkbig.al
Inspire podCLASS – nga Alketa Vejsiu
Një nga zërat më të njohur të medias shqiptare, Alketa Vejsiu, sjell një seri podcastesh që e tejkalon thjesht frymëzimin. “Inspire podCLASS” është një udhëtim në botën e sukseseve të mëdha dhe të heshtura, i sjellë përmes rrëfimeve të thella e personale nga figura publike, artistë, liderë dhe inovatorë. Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio.
Lexo edhe:Lahuta shqiptare, zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në UNESCO
Zë me Mirën – nga Mira Kazhani
Në “Zë me Mirën”, gazetarja Mira Kazhani i jep zë temave që shpesh heshten. Me një stil të ngrohtë e të drejtpërdrejtë, ajo sjell intervista të përqendruara në personalitetin e njeriut përballë – qofshin ata biznesmenë, artistë apo mendimtarë. Ky podcast është një ekspresion i qetë dhe i thellë i kohës që jetojmë, ku sipërmarrja dhe njerëzimi gërshetohen në mënyrë natyrale.
Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio
3GO TREGO – nga Valon Canhasi
3GO është një podcast që sjell rrëfime të njerëzve të suksesshëm në fushat e ndryshme dhe ju jep mundësinë të zbuloni udhëtimet e tyre drejt suksesit. Emri “3GO” lexohet si “trego” në gjuhën shqipe, që nënkupton “me tregu”. Përtej intervistave të thjeshta, ata ofrojnë një platformë ku të ftuarit mund të shprehin vlerat, sfidat, mësimet, historitë dhe përvojat që i kanë ndihmuar të arrijnë aty ku janë sot. Të ftuarit janë udhëheqës të industrisë, sipërmarrës, krijues, dhe shumë të tjerë që janë të gatshëm të tregojnë historitë e tyre të suksesit me dëgjues. Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio.
Money Hour – nga Aurora Sulçe
Portali i ekonomisë, Fast News Economy starton një nismë të re, në shërbim të të gjithë lexuesve të tij. Bëhet fjalë për podkast-in “Money Hour”, dedikuar ekonomisë dhe parave. Një podkast ndryshe nga të tjerët, ku diskutohet për tema specifike në mënyrë të thjeshtë dhe argëtuese. I moderuar nga drejtuesja e Fast News Economy, Aurora Sulçe dhe Ergis Sefa, ky podcast është një moment argëtimi dhe informimi për një nga cështjet që na prek të gjithëve pa përjashtim: ekonominë. Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio.
Business Plus – nga revista Monitor
Podcasti Business Plus është një seri podkastesh e prodhuar nga revista Monitor, një nga mediat më të njohura ekonomike në Shqipëri. Ky podcast fokusohet në temat më të rëndësishme të zhvillimeve ekonomike dhe të biznesit në vend, duke sjellë intervista me drejtues kompanish, sipërmarrës, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve publike. Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio.
The Dalina Show – nga Andale/ Dalina Buzi
Podcast by Xhulio Radi – Xhulio Radi
Podcast i dedikuar sipërmarrësve shqiptarë, atyre që po ndërtojnë sot Shqipërinë.
T’pa Thana – nga Gazeta SI (Liridon Mulaj)
Është një bashkëprodhim i Gazetës Si dhe Time Code. Ky podcast synon t’i ofrojë audiencës një medium të ri që sjell në qendër të vëmendjes personazhe me kontribute të padiskutueshme në jetën publike shqiptare dhe jo vetëm.Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio.
Themeluesit – nga Dr. Rezart Lahi
“Themeluesit flasin” është një rrëfim serioz dhe pa filtra i atyre që kanë guxuar të ndërtojnë. Me intervista të thelluara dhe diskutime mbi sfidat reale të biznesit, ky podkast ka krijuar një komunitet të zëshëm të vizionarëve shqiptarë, të cilët frymëzojnë jo me fjalë, por me vepra.
Mund ta shihni në: YouTube & Instagram.
Një rrugëtim sipërmarrësi – nga Valer Pinderi
Podkasti “Një rrugëtim Sipërmarrësi” i themeluar nga Valer Pinderi është një platformë që synon të frymëzojë dhe edukojë të rinjtë shqiptarë në fushën e sipërmarrjes. Në këtë podcast, Valeri ndan histori reale nga rrugëtimet e sipërmarrësve të suksesshëm, duke përfshirë sfidat, gabimet dhe mësimet e nxjerra gjatë rrugës së tyre drejt suksesit. Mund ta shihni në: YouTube & platformat audio.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.