Inovacioni nuk fillon me teknologjinë: Ledi Imeraj në AllWeb 2025 për mentalitetin që krijon ndryshim - Business Magazine Albania

Inovacioni nuk fillon me teknologjinë: Ledi Imeraj në AllWeb 2025 për mentalitetin që krijon ndryshim

Në një botë ku teknologjia përparon më shpejt se kulturat e punës që e mbështesin, diskutimi për inovacionin si mënyrë të menduari po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Këtë frymë solli edhe AllWeb 2025, konferenca më e madhe në rajon për inovacion digjital, komunikim dhe marketing, e zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve, sipërmarrësve dhe profesionistëve të ekosistemit digjital.

Në skenën kryesore të eventit, Ledi Imeraj, Drejtoreshë e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës (AIE), moderoi panelin “The Valley Is a Place. Innovation Is a Mindset”, me pjesëmarrjen e Jonika Hoomes dhe Blerina Sanocki, dy profesioniste me përvojë të gjatë në drejtim ekzekutiv, zhvillim organizativ dhe menaxhim strategjik në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në Google Inc.. Diskutimi u përqendrua tek mënyrat se si liderët dhe ekipet mund të bashkëpunojnë përtej kufizimeve të burimeve dhe të kalojnë nga thjesht “të bërë punën” tek bashkëkrijimi i rezultateve dhe inovacionit me ndikim real.Panelistët ndanë përvoja konkrete nga kompani të sukseshme teknologjie, që kanë kaluar periudha të hiper-rritjes dhe periudha mungese, duke theksuar se bashkëkrijimi nuk ndodh përmes ndarjes së detyrave, por përmes ndarjes së përgjegjësisë. Ekipet që kuptojnë ndikimin e përbashkët të punës së tyre janë ato që krijojnë vlera të qëndrueshme, edhe në kushte të kufizuara.

Lexo edhe: 300 profesionistë, 1 skenë, dhjetëra ide që po formësojnë të ardhmen digjitale!

Jonika Hoomes vuri në pah rëndësinë e edukimit dhe ndërtimit të kulturës së mësimit të vazhdueshëm. Ajo theksoi se inovacioni nuk është rezultat i një ideje gjeniale, por i një procesi të gjatë zhvillimi që kërkon investim të qëndrueshëm në njerëz. “Shumë organizata flasin për inovacion, por pak investojnë në mësim,” tha ajo. “Nëse nuk i trajnojmë njerëzit të mendojnë ndryshe, të provojnë, të dështojnë dhe të mësojnë, inovacioni mbetet vetëm fjalë në strategji.” Për të, edukimi është infrastruktura e vërtetë e inovacionit, një rrjet mendor që e mban gjallë kulturën e rritjes.

Nga ana e saj, Blerina Sanocki solli një perspektivë të thellë mbi përulësinë si cilësi udhëheqëse. Në një botë ku suksesi shpesh lidhet me ekspozimin dhe kompeticionin, ajo argumentoi se përulësia është thelbi i udhëheqjes që frymëzon. “Përulësia nuk është dobësi, është forcë. Është aftësia për të dëgjuar, për të pranuar që nuk i di të gjitha, dhe për të krijuar hapësirë ku të tjerët rriten,” tha Sanocki. Në kontekstin e punës me ekipe shumëdisiplinore, kjo aftësi për të reflektuar dhe për të ndarë suksesin është ajo që ndërton besim dhe bashkëpunim të qëndrueshëm.

Duke sjellë përvojën e saj shumëvjeçare në Silicon Valley, Ledi Imeraj e zhvendosi fokusin nga teknologjia tek mendësia që e bën inovacionin të ndodhë. Ajo theksoi se inovacioni nuk fillon me mjetet, por me njerëzit, me pronësi, kureshtje dhe guxim për të sfiduar mënyrat ekzistuese të të menduarit. “Inovacioni fillon shumë përpara teknologjisë, ai lind nga mënyra si mendojmë, nga ndjenja e kureshtjes dhe nga guximi për të përmirësuar vazhdimisht  mënyrën si punojmë,” tha Imeraj. Në këtë kontekst, roli i AIE është të ndërtojë një kulturë të qëndrueshme inovacioni në sektorin publik dhe privat, ku idetë kalojnë nga koncepti në ekzekutim dhe ku bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe individëve kthehet në nxitës real të zhvillimit.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon rregullat e lojës, diskutimi solli një mesazh të qartë: teknologjia është vetëm mjeti; ndryshimi i vërtetë fillon me mentalitetin njerëzor.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0