300 profesionistë, 1 skenë, dhjetëra ide që po formësojnë të ardhmen digjitale! - Business Magazine Albania

300 profesionistë, 1 skenë, dhjetëra ide që po formësojnë të ardhmen digjitale!

Konferenca AllWeb përmbylli me sukses edicionin e saj të 8-të në Tiranë, eventi më i madh në Shqipëri i dedikuar marketingut digjital, inovacionit dhe sipërmarrjes. Mbi 300 profesionistë të industrisë u mblodhën për të ndarë përvoja, ide dhe praktika që po formësojnë të ardhmen e peizazhit digjital.

Programi u hap me një mesazh frymëzues nga bashkëorganizatorët Gerti Boshnjaku dhe Darko Buldioski, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përhapjes së dijes digjitale në Ballkan.

Prezantimi hapës erdhi nga Jonika Hoomes, ish-menaxhere pranë Google, e cila solli një perspektivë praktike mbi mënyrën se si gjigantët globalë përdorin inteligjencën artificiale për të përshpejtuar proceset e inovacionit. Ajo u pasua nga Diego Pisa, CEO i Teleperformance Albania & Italy, i cili ndau shembuj konkretë të përdorimit të AI në shërbimin ndaj klientit dhe në rritjen e efikasitetit operacional.

Më pas, Anja Nikolovska theksoi rëndësinë e monitorimit mediatik dhe analizës së sjelljes së përdoruesve, duke nënvizuar rolin që kanë të dhënat në ndërtimin e strategjive efektive të komunikimit. Aleksandar Ašković vijoi me një prezantim mbi fuqinë e YouTube si kanal komunikimi dhe monetizimi në tregjet në zhvillim.

Pas pushimit të parë, në skenë u ngjit Barbara Slade Jagodić, e cila ndau strategjitë më të fundit të SEO dhe mënyrën se si AI mund të shfrytëzohet për optimizimin e përmbajtjes. Prezantimin e saj e pasoi Vesna Mardonovic me një analizë mbi sjelljen mediatike dhe angazhimin e audiencës në epokën digjitale.

Një moment reflektues erdhi me diskutimin mes Andreas Wil Gerdes dhe Lumjana Shehu mbi “Jetën Digjitale”, duke trajtuar sesi teknologjia mund t’i ndihmojë njerëzit të jetojnë më mirë, jo vetëm më shpejt. Më vonë, Yoad Mick mbajti njërën prej prezantimeve më dinamike të ditës, duke folur për krijimin e përvojave të avancuara të përdoruesit përmes AI dhe automatizimit.

Në sesionin e pasdites, Blerina Sanocki Dhima hapi pjesën e tretë të programit me një fjalim mbi menaxhimin e biznesit përmes inovacionit të qëndrueshëm dhe kulturës kreative. Ajo iu bashkua më pas Jonika Hoomes dhe Ledi Imeraj në diskutimin “Lessons from the Valley”, të moderuar nga kjo e fundit, ku u ndanë mësime të vlefshme nga ekosistemi inovativ i Silicon Valley.

Nikola Ilchev vijoi me një analizë të trendeve të ardhshme në e-commerce dhe ndikimin e “AI Agents” në përvojën e blerjeve online, ndërsa Kaido Kukk nga IUTE Bank solli një perspektivë rajonale mbi evolucionin e pagesave digjitale. Dita u mbyll nga Valon Canhasi, themelues i Hallakate, i cili ndau përvojën e drejtimit të një agjencie marketingu në epokën e AI dhe rëndësinë e ekuilibrit midis kreativitetit njerëzor dhe fuqisë teknologjike.

Një falënderim i madh për partnerët tanë: Raiffeisen Bank, Mane Foundation dhe Swiss EP ETC.

Mirënjohje të veçantë për të gjithë folësit, partnerët, ekipin organizator dhe çdo pjesëmarrës që e bëri të mundur këtë përvojë unike.

Më poshtë klipi përmbledhës i konferencës:

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0