Fushata e 11 majit, partitë shpenzuan 217 mijë euro reklama në rrjetet sociale - Business Magazine Albania

Fushata e 11 majit, partitë shpenzuan 217 mijë euro reklama në rrjetet sociale

Raporti i OSBE-ODIHR i publikuar dje për zgjedhjet e 11 majit, ka zbuluar ndër të tjera edhe një shifër të panjohur për publikun shqiptar: sa para shpenzuan partitë politike dhe kandidatët, vetëm gjatë një muaji fushatë zyrtare, për reklama politike në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Monitoruesit e ODIHR kanë matur paratë e dhëna duke përdorur librarinë zyrtare të Kompanisë Meta, që bën transparencë për sponsorizimet, pra, shpërndarjen me pagesë të materialeve me përmbajtje propagandistike. Konkretisht, në raport thuhet:

“Sipas Meta Ad Library, nga 9 prilli deri më 8 maj, kandidatët shpenzuan gjithsej deri në 21,410,830 lekë (217,870 euro) për reklama politike. Nga këto, PD shpenzoi 2,746,960 lekë (27,950 euro), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1,173,220 lekë (11,940 euro), Lëvizja Shqipëria Bëhet 490,050 lekë (4,990 euro). Ndër kandidatët, Agron Shehaj, kreu i Partisë së Mundësive, kishte shpenzimet më të larta me 1,909,780 lekë (19,430 euro), Belind Këlliçi i PD-së me 763,100 lekë (7,770 euro) dhe Vullnet Sinaj i PS-së me 748,960 lekë (7,620 euro)”.

Në këtë raport, bie në sy se nuk ekziston asnjë pagesë e bërë online nga Partia Socialiste, përjashtuar deputetin Vullnet Sinaj që ka bërë reklama individualisht në rrjetet sociale. Megjithë këtë, në raportin e ODIHR, PS akuzohet “për keqpërdorimin e një rrjeti të gjerë patronazhimi kundër standardeve”, që si pjesë e misionit, kishte dhe shpërndarjen dhe pëlqimin e postimeve të politikanëve.

Lexo edhe: OSBE/OHDIR: Mbyllja e TikTok ndikoi në zgjedhjet elektorale!

Por shpenzimet reale, sipas raportit mund të jenë më shumë se kaq. Sepse, shpesh, palë të treta, që nuk janë në vetvete parti politike, bëjnë pagesa online për llogari të ndonjë subjekti, dhe janë jashtë hartës të ligjit.

“Shpenzimet e fushatës për aktivitetet online duhet të përfshihen në limitin e përgjithshëm të shpenzimeve dhe të raportohen, pasi ligji kërkon raportimin e të gjitha shpenzimeve të fushatës. Megjithatë, fushatat online, reklamat politike të paguara në platformat e rrjeteve sociale dhe shpenzimet e palëve të treta janë të parregulluara, duke mundësuar përdorimin e pakontrolluar të fondeve në fushatë.

Këto boshllëqe krijojnë shtigje për përdorimin potencial të fondeve të paligjshme dhe të pagjurmueshme dhe anashkalimin e rregullave në fuqi. Për të rritur transparencën, autoritetet duhet të marrin në konsideratë rregullimin e fushatave online dhe të palëve të treta, dhe të përcaktojnë kushtet përkatëse për fushatat e palëve të treta dhe mekanizmat e duhur të raportimit dhe sanksionimit”, – thotë ndër të tjera Raporti për këtë çështje.

Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR i publikuar një ditë më parë i cilëson zgjedhjet e 11 majit, si të qeta, konkurruese dhe të mirëorganizuara, por me një sërë problematikash. Me shqetësim shikohet përdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës në fushatë, që sjell pabarazi mes palëve.

Shqiptarja.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0