Në epokën pas pandemisë, mënyra se si punojmë ka ndryshuar rrënjësisht. Punë nga zyra, puna nga distanca, apo modeli hybrid; të gjithë kërkojnë të dinë se cila është metoda më produktive. Megjithatë, përgjigjja nuk është e thjeshtë, sepse çdo kompani ka dinamikat dhe nevojat e veta.
Skerdi Sino, VP Demand Generation në Native Teams, na jep një pasqyrë të qartë:
“Të gjithë kërkojnë të dinë ‘recetën perfekte’ për modelin e punës. Puna nga zyra, në distancë apo hibride, kush prej tyre është më produktive dhe kur garanton një turnover më të ulët? Megjithatë, recetë perfekte nuk ka, pasi megjithëse metodologjitë kanë pluset dhe minuset e tyre, rezultati varet nga kompania që e aplikon.”
Studimet e fundit tregojnë se puna në distancë shpesh sjell një rritje të produktivitetit për shumicën e punonjësve. Një raport i Gallup në 2024, për shembull, evidentoi se 54% e punonjësve ndihen më produktivë duke punuar nga shtëpia, për shkak të uljes së kohës për udhëtime dhe ambientit më të qetë. Një tjetër studim nga Stanford vuri në dukje se punonjësit remote punojnë rreth 1.4 orë më shumë në ditë.
Skerdi Sino e thekson:
“Kjo ndodh për një sërë faktorësh, por ato që vlejnë të përmenden janë: kursimi i kohës, kursimi i parave, qëndrimi në ambientet e dëshiruara të punës dhe fakti që punonjësit remote e kanë gjithmonë ‘punën me vete’, gjë që çon në orë më të gjata pune për këtë kategori.”
Ndërkohë, modeli hibrid, që kombinon prani në zyrë dhe punë nga distanca, është bërë gjithnjë e më popullor.
Sino thekson rëndësinë e modelit hibrid:
“Ai konsiderohet si mesi i artë nga bizneset që me këtë metodë arrijnë të kenë dhe seancat e nevojshme të fokusit, kanë më të thjeshtë procesin e ‘onboarding’ dhe sigurohen që kultura e tyre të jetë më e përthithshme nga stafi. Në studimin e fundit të kryer nga Nick Bloom & Stanford, vërehet që turnover-i tek punonjësit hibrid ishte ulur me 33%, shifër kjo që tregon qartë se kjo metodë pune është jashtëzakonisht e suksesshme.”
Në vitin 2024, shumë kompani të mëdha ndërkombëtare u përpoqën të rikthenin punonjësit në zyrë, duke ndryshuar politikën e tyre të punës. Por studimet e fundit tregojnë se kjo qasje pati efekt të kundërt, duke nxitur largime masive.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto