Prindërit nuk kanë qëllim të thonë gjëra që lëndojnë ose dëmtojnë fëmijët e tyre, por ndodh. Je i lodhur, ata të nervozojnë, dhe je i frustruar pasi i ke kërkuar për herë të 600-të të pastrojnë pjatat ose të nisen në kohë. Shpesh, pa vetëdije, përsërisim fraza që i kemi dëgjuar në fëmijërinë tonë, pa kuptuar sa ndikim negativ kanë pasur.
Ne si prindër mundohemi të bëjmë më të mirën, por shpesh gabojmë. Prandaj është e dobishme të dimë disa prej shprehjeve që mund të jenë të dëmshme, edhe kur nuk e kemi me qëllim. Nuk bëhet fjalë të fajësojmë veten, por të bëhemi më të vetëdijshëm për gjuhën që përdorim. Më poshtë janë disa fraza të zakonshme që ekspertët rekomandojnë të shmangen dhe alternativa më të shëndetshme për t’i zëvendësuar ato.
1. “Nuk është ndonjë gjë e madhe”
Fëmijët shpesh qajnë ose bëjnë krizë për gjëra që neve na duken të kota. Por për ta, ato probleme janë të mëdha dhe ndjenjat që i shoqërojnë janë shumë reale. Kur i minimizojmë emocionet e tyre, në fakt u themi: “Si ndihesh nuk ka rëndësi” ose “Është budallallëk të jesh i frikësuar apo i zhgënjyer.”
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
“Duket sikur je shumë i mërzitur/frikësuar/zhgënjyer. Do të doje të flisnim dhe të gjenim një zgjidhje?”
Kështu ndihmon fëmijën të kuptojë emocionet e veta dhe t’i emërtojë ato.
2. “Ti gjithmonë…” ose “Ti kurrë…”
Kur përdorim fjalë si “gjithmonë” ose “kurrë”, ne e etiketojmë sjelljen e fëmijës në mënyrë të padrejtë dhe e humbasim mundësinë për të kuptuar pse po sillet ashtu në atë moment.
Çfarë të bësh:
Përpiqu të jesh kurioz për arsyen e sjelljes. Afrohu dhe fol pranë fëmijës, në vend që të bërtasësh nga larg. Kjo e ndihmon të përqendrohet dhe krijon mundësi për ta mësuar çfarë mund të bëjë ndryshe herën tjetër.
3. “Më bën të trishtohem kur ti bën kështu”
Edhe pse mund të të mërzisë sjellja e fëmijës, nuk është e shëndetshme t’ia lidhësh gjendjen tënde emocionale atij. Kështu i japim shumë pushtet negativ dhe i mësojmë se mund të manipulojë të tjerët në të ardhmen.
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
Vendos kufirin qartë: “Nuk është në rregull të kërcesh mbi divan.” Pastaj ofro zgjedhje: “Do të doje të luaje qetë këtu apo të dalim jashtë?”
4. “Duhet ta dije më mirë”
Kjo frazë përdor fajin dhe turpin për të ndryshuar sjelljen e fëmijës, por vetëm e bën më mbrojtës dhe i ul vetëbesimin. Në fakt, u dërgon mesazhin se nuk janë mjaftueshëm të zgjuar për të marrë vendime të mira.
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
“Hmm, duket se kemi një situatë këtu! Çfarë mund të bëjmë për ta rregulluar?”
Kështu fëmija mëson të zgjidhë problemet dhe të reflektojë mbi zgjedhjet e veta.
5. “Lëre, e bëj unë”
Kur jemi me nxitim, shpesh marrim përsipër diçka që fëmija po përpiqet ta bëjë vetë. Por kjo i dërgon mesazhin: “Ti nuk je i aftë.” Kjo është zhgënjyese dhe demotivon.
Çfarë të bësh:
Jepu kohë të mbarojnë vetë detyrën. Ose, nëse është urgjente, thuaj: “Do të të ndihmoj vetëm këtë herë sepse jemi me nxitim, por më pas do ta provojmë bashkë.”
6. “Ti je [epitet]”
Epitetet, qofshin negative si “dembele”, apo edhe pozitive si “i zgjuar”, janë të dëmshme. Ato kufizojnë mënyrën si prindërit e shohin fëmijën dhe shpesh bëhen një vetë-profeci që realizohet. Fëmijët mund ta besojnë se janë vetëm ajo etiketë, duke u ndjerë të bllokuar.
Çfarë të bësh:
Vlerëso përpjekjen, jo etiketën. Thuaj: “Më pëlqeu shumë si u përpoqe kaq shumë për të mbaruar këtë detyrë.” Kjo i mëson fëmijët se përpjekja dhe procesi kanë vlerë më shumë se rezultati. Në fund të ditës, nuk bëhet fjalë për të qenë prind perfekt, por për të qenë prind i vetëdijshëm. Fjalët kanë fuqi të madhe dhe mënyra si flasim mund të ndërtojë ose të rrënojë vetëbesimin e fëmijëve tanë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto